KMDLNj: Loja e rrezikshme e konvertimeve fetare në Kosovë!

11 tetor 2023 | 14:00

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj rastit të fundit në media se një shtetase gjermane u konvertua në islam me pëlqimin dhe vullnetin e saj në Xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren dhe një rasti tjetër, ku ditë ishte një lajm se në Kishën e “Shën Abrahamit” në Llapushnik një banor i Negrocit u konvertua duke e pranuar besimin e krishterë dhe u pagëzua me emrin Martin Krasniqi.

“Sipas informatës nga kjo kishë brenda disa ditëve do të ketë edhe konvertime tjera në ndërkohë që me qindra të tjerë po presin të konvertohen apo, siç thonë ata: ‘po iu kthehen rrënjëve të besimit të të parëve …’. Jo fort moti besimin islam e pranoi edhe një serb duke u pagëzuar me një emër mysliman dhe të cilin Hoxha Shefqet Krasniqi e madhëroi aq shumë sikur të ishte njëri ndër themeluesit e këtij besimi. Është bërë si rregull që gjatë festave të fundvitit përkatësisht Festave të Krishtlindjeve në Katedralen e Prishtinës bëhen konvertime me publicitet mediatik sikur që kjo të ishte ngjarje me rëndësi dhe me interes të përgjithshëm publik dhe shoqëror e jo një çështje krejtësisht personale dhe private që nuk meriton asnjë publicitet, pavarësisht besimit që e lë mbrapa apo atij që e pranon. Kjo garë se kush më shumë po konverton dhe se kush më shumë po fiton publicitet me këto konvertime për KMDLNj-në paraqet shqetësim të madh aq më parë që kjo pastaj po përcillet me gjuhë të urrejtjes midis besimeve e që më parë për shqiptarët ka qenë e huaj dhe e papranueshme”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka theksuar se respekton të gjitha besimet dhe mbron të drejtën e ushtrimit të lirë të fesë e që është e garantuar me ligj, dhe sipas saj, në këtë drejtim Kosova njihet si një vend që i respekton këto të drejta pavarësisht besimit që e kanë apo numrit të besimtarëve që e praktikojnë besimin që i takojnë.

KMDLNj ka potencuar se është kundër gjuhës së urrejtjes e cila po shpërndahet në media duke e konsideruar besimin si çështje private dhe personale e jo si mjet apo mundësi për të dominuar një besim në dëm të besimit tjetër.

“Për KMDLNj-në është i papranueshëm çdo diskriminim apo ndërhyrje në vullnetin e vet besimtarit për t’u konvertuar duke i dhënë publicitet të panevojshëm mediatik. KMDLNj nuk e kupton se çfarë interesi publik dhe shoqëror kanë lajmet se sa persona janë konvertuar dhe nëse këtë e kanë bërë me vullnetin e tyre. Këto tendenca konfrontuese dhe përpjekje për mbizotërim për konvertime, KMDLNj i konsideron si rrezik për të ardhmen dhe legalizim të një gjuhe që është në kundërshtim të plotë me bindjet dhe mësimet fetare, pavarësisht besimit”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka thënë të…