KMDLNJ: Ministria e Shëndetësisë po e luan avokatin e një laboratori privat
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas raportimeve se në laboratorin privat “Medical & Laboratory Services” një test PCR po iu kushton qytetarëve 200 euro.
Përmes një komunikate për media, KMDLNj ka vlerësuar se testet për Covid-19 janë përgjegjësi e shtetit dhe se çmimi prej 200 euro është shumë i shtrenjtë.
Sipas këtij këshilli, Ministria e shëndetësisë duhet të nisë hetimet për këtë rast, e jo ta luajë avokatin e laboratorit duke e arsyetuar çmimin e lartë. “Në vend se Ministria e Shëndetësisë të kërkojë hetime për këtë çmim, ajo në fakt e luan rolin e avokatit të këtij laboratori duke e arsyetuar çmimin me kohën e shkurtër të analizës dhe rezultateve. Ky veprim i Ministrisë së Shëndetësisë përveç se është konflikt i pastër interesit, në të njëjtën kohë është i liruar nga çdo skrupull, moral, profesional dhe institucional. Ministria e Shëndetësisë është e detyruar të krijojë politika për mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve e jo të mbrojë interesat e laboratorëve private që janë licencuar , pa siguruar asnjë transparencë , pa një mbikëqyrje efektive të punës së tyre dhe pa ofruar fare llogaridhënie”, është në reagim.
Sipas këshillit, institucionet shtetërore me numrin e vogël të testeve që po bëjnë po i detyrojnë qytetarët të shkojnë në laboratorë privat. “Ministria e Shëndetësisë, në vend se të rrisë numrin e testeve e që do të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të pandemisë sikur edhe do të kursente qytetarët e Kosovës nga shpenzimet që janë përgjegjësi e Shtetit, duke e mbajtur numrin e testimeve afërsisht 450-500 e kohëve të fundit edhe duke e ulur këtë numër i detyron qytetarët e Kosovës të shkojnë në laboratorët private që ia bëjnë si të duan dhe çka të duan”, ka vlerësuar KMDLNj-ja, duke shtuar se kjo po bëhet qëllimshëm.