KMDLNJ: Moslejimi i shamisë në shkolla nuk paraqet shkelje të të drejtave të njeriut
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me debatin e ditëve të fundit për udhëzimin administrativ që lejon bartjen e shamisë në shkolla.
Ky këshill ka thënë se janë paraqitur disa raste kur femrat me mbulesë ishin diskriminuar në vendet e punës, apo edhe kur disa nxënëse të shkollave fillore ishin larguar nga procesi mësimor.
Mirëpo, KMDLNj-ja konsideron se bullizimi apo stigmatizimi është shkelje e të drejtave të njeriut, ndërkaq sa i përket moslejimit të mbulesës, KMDLNj-ja konsideron se kjo është e rregulluar me ligj dhe se nuk paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. “Ky Udhëzim Administrativ është ende në fuqi në Kosovë, është i zbatueshëm dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë nuk mund të kundërshtohet, përjashtuar rastin kur eventualisht do të shfuqizohej e për të cilin është i domosdoshëm ndryshimi i Kushtetutës aktuale e që, së paku, deri më tani nuk është ndonjë nismë e tillë”, është thënë në komunikatë.
Më tutje, KMDLNj-ja ka thënë se premtimet e subjekteve politike gjatë fushatave nuk kanë qenë të duhura dhe vetëm kanë nxitur debate të panevojshme.
“Bartja apo mosbartja e shamisë për nxënëset nën moshën 18 vjeçe është shndërruar thuaja tërësisht në fushatë politike dhe po bëhet për qëllime politike. Jo pse mungon e drejta për ushtrim të drejtave dhe të lirive fetare. Në këtë kontekst është i papranueshëm dhe i dënueshëm linçimi publik i të gjithë atyre që janë kundër përdorimit të shamisë për nxënëset e moshës jomadhore dhe që kërkojnë të zbatohet Udhëzimi Administrativ në fuqi dhe të respektohet Kushtetuta e Kosovës. Edhe ky linçim po bëhet në formë të fushatës”, është thënë në këtë komunikatë.
KMDLNj-ja, ndër të tjera, ka konstatuar se çdo imponim apo keqpërdorim i autoritetit të prindit ose kujdestarit që e detyron një femër të moshës jomadhore, nën moshën 18 vjeçe të bartë shami paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut dhe, si e tillë, duhet të dënohet nga institucionet përkatëse.
“Mbështetur në ligjet në fuqi, ku qartazi janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet, KMDLNJ-ja propozon një prerje të qartë midis institucioneve arsimore publike dhe atyre fetare. Në institucionet arsimore publike si shenjë identifikuese duhet të jetë një uniformë unike, pa lejuar asnjë simbol apo veshje fetare, pa asnjë përjashtim në mënyrë që të mos lejohet asnjë diskriminim apo supremacion i një besimi, pavarësisht numrit të praktikuesve”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së.