KMDLNj: Në Kosovë për tetë muaj vdiqën katër të burgosur me diagnozë terciare

21 prill 2021 | 11:45

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka njoftuar se në Kosovë për tetë muaj vdesin katër të burgosur me diagnozë terciare.

“Sipas informatave të KMDLNj-së, i burgosuri R.S., i lindur në Therandë më 17.10.1970, ka vdekur mbrëmë në ora 22:55 në Klinikën e Neurologjisë së SHSKUK–së për shkak të kancerit malinj në pelvik i cili është shpërndarë në pjesët tjera të trupit. Në kuadër të mundësive ekzistuese, i burgosuri R.S. që ishte në vuajtje të dënimit nga viti 2016 ishte trajtuar brenda Stacionarit në Burgun e Dubravës për t’u dërguar pastaj në Klinikën e Neurologjisë ku ka qenë i shtrirë e cila tërë kohën ka bashkëpunuar me Kliniken e Onkologjisë për trajtimit e tumorit dhe të metastazave mirëpo për shkak të rritjes së masës së tumorit dhe metastazave të shumta, gjendja shëndetësore i ishte përkeqësuar shumë andaj edhe ka ndërruar jetë. Duhet të theksohet se ky rast ishte në mesin e 25 rasteve të ngjashme që, me fillimin e pandemisë ishte dërguar te gjykata dhe institucionet tjera kompetente duke kërkuar lirimin e tyre por se ishte refuzuar në mungesë të aktit përkatës ligjor”, ka njoftuar KMDLNj.

Sipas KMDLNj-së, praktikat e deritashme që, për shkak të diagnozës terciare, sëmundjeve të pashërueshme, të burgosurve t’iu mundësohet ta pezullojnë dënimin e ka një përparësi që i mundëson të burgosurit të vdesë në shtëpi, pranë familjes dhe ta ulë numrin e të dënuarve që vdesin në burgje e që menjëherë bëhet lajm, pavarësisht kushteve dhe rrethanave të vdekjes.

“Në këtë mënyrë i shkaktojnë shumë probleme Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësorë të Burgjeve që bëjnë përpjekje, në kuadër të mundësive që i kanë, të trajtojnë raste të tilla. Qartazi, Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, përkundër vullnetit, nuk ka kapacitete profesionale të mjaftueshme të trajtojë raste me diagnoza terciare kurse trajtimi në Klinikat përkatëse përcillet me shumë pengesa dhe probleme, nga ato logjistike, deri te ato të sigurisë”, ka theksuar KMDLNj.

KMDLNj ka propozuar që të formohet një Komision i Pavarur Shëndetësor që do të trajtonte këto raste dhe i cili do të dilte me propozime konkrete, jo për pezullim të përkohshëm të dënimit, por për ndërprerje të dënimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë është zyrtare! Manchester City ka hequr dorë nga planet…