KMDLNj: Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies besueshmëria në Gjykatën Speciale është në pikëpyetje!
Reagim i KMDLNj-së
Gjykata Speciale me seli në Hagë ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës nën një presion të jashtëzakonshëm të ndërkombëtarëve dhe me vullnetin e një pjese të subjekteve politike kosovare. Me një aneks marrëveshje ku opinioni ishte përjashtuar nga çdo informatë, po kjo gjykatë, tash absolutisht raciste nga aspekti i të drejtave tlë njeriut i zhveshi, fillimisht themeluesin (Kuvendin e Kosovës) por edhe institucionet tjera të Kosovës nga çdo e drejtë që të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie nga gjykata, ndonëse kjo karikaturë juridike deklarohet si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe se punon sipas ligjeve të Kosovës. Ky absurditet, arrogancë dhe shpërfillje ndaj Kuvendit të Kosovës ka krijuar dhe krijon të gjitha kushtet për një proces gjyqësor të pabarabartë, paragjykues, të padrejtë ku epilogu thuaja është i ditur, edhe pa përfunduar procesi gjyqësor. Kur të merret parasysh fakti se institucionet aktuale të Kosovës nuk tregojnë asnjë interesim apo vullnet për t’u interesuar nëse pengjeve të Hagës po iu shkelen të drejtat elementare të njeriut (raste të tilla ka shumë), atëherë puna e kësaj gjykate thjeshtëzohet në një proces teknik; ekzekutim të një vendimi politik të qendrave të vendosjes botërore. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mungesë të guximit minimal që të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie për faktin se të arrestuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit janë 100 për qind shtetas të Kosovës dhe 100 për qind janë shqiptarë. Për një çështje që paraqet interes për vendim ka dallime në baza partiake, si gjatë vizitave që iu bëhen pengjeve të Hagës ashtu edhe gjatë prononcimeve. Edhe përfaqësuesit e institucioneve kanë bërë të njëjtat dallime gjatë vizitave ndërsa kanë qenë në një linjë vetëm kur kanë marrë mëditje dhe shpenzime tjera për vizita ndonëse, në të njëjtën kohë kanë marrë rroga të plota. Për më keq, në vend se ta përmbushin detyrimin ligjor që e kanë, angazhohen që t’ua vështirësojnë jetën pengjeve të Hagës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar për sajesë të provave në Hagë, pas përgjimeve të presidentit Thaçi, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarit të GP të LV-së, Rexhep Selimi gjatë vizitave familjare dhe me të tjerë si dhe përgjimit të komunikimit elektronik bëri publik një transkript të përgjimit i redaktuar deri në shpërfytyrim (sikur edhe gjatë proceseve gjyqësore) për të kërkuar nga Gjykata Speciale Raciste që të burgosurve t’iu ndalohen vizitat dhe komunikimi sikur që edhe ata të vendosen në dhoma të ndara, pa të drejtë dhe mundësi ta takojnë njëri-tjetrin. Me fjalorë të burgjeve i bien se ata do të veçohen në vetmi, deri në një vendim tjetër. Në bazë të Rregullores së GJSR, përkatësisht pikës 4. vizitat dhe komunikimi me familje nuk mund të ndalohen përveç në rast të ndonjë epidemie (siç ishte rasti i pandemisë Covid) ku rrezikohet shëndeti i përgjithshëm apo rrezikohet siguria e përgjithshme. Përveç vizitave familjare, as vizitat e avokatëve nuk mund të ndalohen ndërkaq të gjitha masat tjera mund të ndërmerren nëse ka shkelje të Rregullores dhe Rregullave të Burgut nga të privuarit nga liria. Mund të ndalohet eventualisht vizita e anëtarit të caktuar të familjes (por jo edhe familjes), ndonjë mbrojtësi (por jo edhe të ekipit mbrojtës) nëse shkelin rregullat që e përcakton Rregullorja.
Familjarët, vizitorët tjerë paralajmërohen se vizitat përgjohen dhe se ato përgjime mund të përdoren për ndjekje penale nëse vlerësohet se për këtë janë plotësuar kushtet ligjore.
KMDLNj ende nuk ka informata të konfirmuara për masat shtrënguese ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit por se ka informata se vizitat familjare nuk iu janë ndaluar dhe as kufizuar.
GJSR në Hagë, që nga fillimi ka pasur standarde të dyfishta, si për dëshmitarët, ashtu eddhe për të burgosurit, të gjithë shqiptarë, të gjithë shtetas të Kosovës.
Dëshmitë dhe dëshmitarët janë siguruar nga Serbia sikur edhe “provat” për gjykim, jo rrallë edhe nga radhët e BIA-së, policisë serbe, prokurorisë dhe gjykatave serbe.
Janë marrë si dëshmitarë të besueshëm shqiptarë të trajnuar në Serbi e që janë kthyer në Kosovë, “analistë” dhe “veprimtarë të shoqërisë civile”, sidomos gjatë vazhdimit të masës së paraburgimit. Janë marrë citate nga mediet, intervistat, prononcimet, librat, bisedat private etj. për ta rritur shkallën e inkriminimit ndaj pengjeve të Hagës. Janë marrë si të besueshme edhe raportet e organizatave ndërkombëtare (me emër të madh si HRW) ndonëse dëshmitari ka deklaruar se ato raporte janë shkruar nga vetëm një burim, mediet dhe shërbimet serbe dhe të cilat nuk janë verifikuar në terren apo nga një burim tjetër plotësues.
Pengjet e Hagës një kohë ishin të izoluar, nuk lejohej komunikimi midis tyre.
Salih Mustafës për shkak se nuk iu ofrua shërbimi shëndetësor me kohë dhe i duhur, iu përkeqësua gjendja shëndetësore shumë.
Hysni Gucatit, i liruar me kusht nuk iu ofrua ndihma mjekësore (operimi për shkak të pasojave të luftës) deri në kohën kur u dënua me dënim kapital.
Nasim Haradinajt iu mohua pjesëmarrja në varrimin e vëllaut që është non sense për gjykata të ngjashme. Tribunali i Hagës, jo që i lironte për raste të tilla por ua siguronte edhe pjesëmarrjen gjatë kohës së të pamës.
Vizitat të ashtuquajtura humanitare mund të quhen me çdo emër tjetër përveç humanitare.
Askush nuk është hetuar për rrjedhje, shitje apo kontrabandim të informatave nga Zyrat e Prokurorit të Specializuar për sajesa të provave përveç se janë dënuar me dënime drakonike, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Aakujt nga Kosova nuk i lejohet ta monitorojë për së afërmi punën e kësaj GJSR, t’i vizitojë të burgosurit dhe të shohë kushtet fizike ku mbahen dhe trajtimin e tyre, të bisedojë me stafin mbajtës dhe menaxhues, të vizitojë shëtitoren, kuzhinën, qendrën mjekësore, bibliotekën dhe objektet tjera që paraqesin interes nga aspekti i të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. Përralla janë se aty zbatohen standardet më të larta të drejtave të njeriut si Rregullat Evropiane të Burgjeve dhe, paradoksalisht edhe Rregullave të Nelson Mandelës (standarde më të larta të të drejtave të burgosurve sipas kritereve të Kombeve të Bashkuara) nëse ato nuk iu nënshtrohen një monitorimi të pavarur e që kjo Gjykatë nuk e ka lejuar.
Çdo masë shtrënguese brenda një burgu paraqet një dramë më vete për të burgosurit e që reflektohet në përkeqësimin e statusit social dhe shëndetit mendor.
Pavarësisht se vizitat familjare nuk janë penguar apo kufizuar (nuk e lejon Rregullorja përveç në raste të caktuara), këto masa shtrënguese do të reflektojnë gjatë çdo vizite familjare sepse konsiderohen se ato mbahen nën trysni dhe kërcënim, si për familjarët ashtu edhe për të burgosurit.
Këto masa shtrënguese do të ndikojnë edhe në përgatitjen e mbrojtjes cilësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Masat shtrënguese do të ndikojnë edhe te dëshmitarët e ardhshëm që nuk do ta kenë një ambient të lirë dhe të sigurt për të dëshmuar, sidomos për dëshmitarët që nuk duan ta përfillin skenarin e Prokurorit të Specializuar për sajim të provave.
Këto masa shtrënguese ndikojnë edhe në opinionin e gjerë në Kosovë duke thelluar ndarjet, edhe ashtu të theksuara.
KMDLNj pret që transkriptët e nxjerrë nga përgjimet (që parashihen edhe me Rregulloren) të jenë më sqaruese në të kundërtën kjo mund të konsiderohet si përpjekje e GJSR që të arsyetojë mbajtjen aq të gjatë në paraburgim të pengjeve të Hagës, arrestimet e fundit dhe inkursionin përmes bastisjeve si në kohën e Xhengiz Kanit që po e bëjnë hetuesit anekënd Kosovës duke konfiskuar celulari, PC, libra, publikime dhe materiale tjera, pa i dhënë llogari asnjë institucioni në Kosovë.
Përfaqësuesit institucionalë nuk kanë asnjë interesim për fatin e të burgosurve në Hagë me arsyetim se nuk duan të ndërhyjnë në drejtësi (kjo është në rregull) mirëpo mandati kushtetues i detyron që të interesohen për respektimin e të drejtave të njeriut, si të privuar nga liria e që ua garantojnë të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund ta zhbëjnë këtë gjykatë (disa nuk kanë guxim, të tjerët janë haptas në anën e Gjykatës) mirëpo e kanë detyrim ligjor, njerëzor dhe moral që, si themelues të kësaj gjykate të marrin vendim nëse kjo Gjykatë është apo nuk është e Kosovës. Nëse mendojnë se është, atëherë duhet të kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie në të kundërtën duhet të dalin botërisht dhe të deklarohen se kjo gjykatë nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën dhe ta shpallin se nuk është e Kosovës. Atëherë, kjo gjykatë do ta merrte statusin që e meriton dhe që realisht e ka, Gjykatë Speciale Raciste dhe Kolonialiste që edhe viktimat sikur edhe ata që i konsideron përgjegjës i trajton, jo në bazë të provave por sipas përkatësisë etnike!