KMDLNj, Nenad Rashiqit: A je ministër i Kurtit a prokuror i Vuçiqit?
Reagim i KMDLNj-së
Azem Kurtaj, pjesëtar i FSK-së është arrestuar nën dyshim se ka plagosur dy fëmijë serbë, njërin 21-vjeçar dhe tjetrin 11-vjeçar në komunën e Shtërpcës. Pas ndalimit policor prej 48 orëve, Gjykata Themelore në Ferizaj, me propozim të prokurorit të rastit ia caktoi masën e arrestit prej një muaji. Në ndërkohë, serbët bllokuan rrugët të cilat pastaj u ç’bllokuan dhe, në organizimin e Listës Serbe u organizua një protestë në Shtërpcë ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë të kësaj komune. Menjëherë pasi ndodhi rasti KMDLNj, në me një deklaratë publike kërkoi që rasti të mos paragjykohet, të pritet përfundimi i hetimeve dhe të mos dhunohet parimi i prezumimit të pafajësisë që është standard ndërkombëtar në fushën e drejtësisë si parakusht për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikueshëm politikisht, si njëra ndër vlerat elementare të të drejtave të njeriut edhe për personat e privuar nga liria.
Ky standard u dhunua pikërisht nga ata që duhet të jepnin shembull por që e kanë edhe detyrim kushtetues të mos ndërhyjnë në procesin e hetimeve, presidentja, kryeministri, ministra, shefa të grupeve parlamentare e kush jo tjetër. Ndërkombëtarët, sidomos kur janë serbët në pyetje reaguan si kor, njëzëri dhe me cilësime më të rënda, pa filluar ende hetimet. Reagimi i tyre në këto raste është refleksiv dhe automatik. Reagoi edhe kisha ortodokse e Serbisë, të gjithë udhëheqësit më të lartë të Serbisë dhe disa analistë të ricikluar për çdo situatë dhe për çdo përdorim në Kosovë si dhe pjesa llaskuce e shoqërisë civile.
Nuk mbahet mend që të ketë pasur aq shumë reagime kundër një të arrestuari dhe aq linçime publike sa ndaj të arrestuarit Azem Kurtaj dhe të ketë pasur garë se kush do të bëjë cilësime më të rënda, më fajësuese dhe më paragjykuese, në të njëjtën kohë. Këto ishin qartë porosi për prokurorin e rastit dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj se çfarë vendimi duhej të merrej dhe se çdo vendim që do të ishte në kundërshtim me cilësimet e skuadrës për pushkatim publik, pa i bërë asnjë gjykim të arrestuarit Azem Kurtaj, do të kthehej kundër prokurorit të rastit dhe Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Në këto raste as Baba Vanga nuk do të kishte guxim të merrte vendim tjetër përveç masës së arrestit. Pra , as që mund të flitet se ndaj të privuarit Kurtaj janë zbatuar standardet minimale ndërkombëtare për personat e privuar nga liria dhe se e tërë rrjedha e deritashme është në kundërshtim të plotë me vendimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për raste të ngjashme dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. KMDLNj ua përkujton opinionit dhe linçuesve se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka marrë vendime në favor të të arrestuarve dhe të dënuarve kur ata janë privuar nga liria nën presion të opinionit publik e rasti Kurtaj është i tillë ku presioni dhe deklaratat publike ua zënë vendin argumenteve dhe ku gjykimi bëhet thjesht një formalitet.
Përgjegjësi për krime lufte në Kosovë, Velko Odalloviq deklaroi se Danush Kurtaj, i ekzekutuar në Burgun e Dubravës nga paramilitarët serbë në vitin 1999, babai i Azem Kurtajt paska qenë terrorist. Askush nga institucionet zhurmëbërëse në Kosovë nuk reagoi për këtë cilësim e ishin aq të zhurmshëm në gjykimin e Azem Kurtajt, ende pa filluar hetimet. Këto janë standarde të dyfishta që po zbatohen në Kosovë, mësim i mësuar nga ndërkombëtarët, për qëllime politike.
Nenad Rashiq që veten e shet si zë i arsyeshëm i serbëve të Kosovës dhe së voni u bë ministër në qeverinë Kurti 2, në një intervistë medias “Nova – RS”, pa asnjë mëdyshje dhe pa patur fare prova deklaroi se Azem Kurtaj me qëllim ka gjuajtur drejtë serbëve, jo për t’i frikësuar ata, por për t’i vrarë. Mbulesë për këtë e kishte cilësimin e prokurorit të rastit si dhe vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj si dhe bisedimet me ministrin Sveçla. Pastaj, si fakt përdori edhe deklaratat dënuese të politikanëve të Kosovës dhe reagimet joqeveritare. Përtej këtij cilësimi, Nenade Rashiq kërkon që Azem Kurtajt t’i zgjerohen hetimet duke marrë deklarata nga kolegët e të arrestuarit (në FSK) për qëndrimet nacionaliste të Azem Kurtajt në FSK.
Nenad Rashiq paraqitet edhe më i skajshëm se Goran Rakiq ndonëse i maskuar me një cipë të lojalitetit ndaj institucioneve të Kosovës. Nenad Rashiq, me cilësimin paragjykues të Azem Kurtajt si vrasës, pa një vendim të formës së prerë të një gjykate përkatëse, ndërhynë në mënyrë flagrante në punën e gjyqësorit nga një pozitë e fuqishme politike e të qenit ministër ndonëse duhet ta ketë të qartë se pushtetet janë të ndara.
Nenad Rashiq aspak dhe me asgjë nuk dallon nga Velko Odalloviq, madje, për më keq, për këto ndërhyrje të paargumentuara në një procedurë gjyqësore, ai paguhet me një pagë të majme të taksapaguesve kosovarë në mesin e të cilave janë edhe taksat e Azem Kurtajt i cili, në vend që të ketë një proces gjyqësor të drejtë, ai po dënohet paraprakisht përmes linçimit publik e që Nenad Rashiq, nga pozita e pushtetit dhe të urrejtjes po bën përpjekje t’i shqiptojë dënimin, pa një proces gjyqësor, arbitrarisht dhe padrejtësisht.
Në një vend normal, ky farë ministri do të duhej të shkarkohej me urgjencë, pa i dhënë as mundësinë më të vogël për të dhënë dorëheqje. Po Nenad Rashiqi, as nuk do të shkarkohet e lëre më të jep dorëheqje sepse në Kosovë kanë vdekur përgjegjësia institucionale dhe përgjegjësia morale.
KMDLNj nuk e paragjykon rastin e Azem Kurtajt, as duke e deklaruar pafajësinë e tij apo duke e shpallur fajtor për faktin se kjo është përgjegjësi ekskluzive e gjykatës përkatëse mirëpo kërkon nga linçuesit e deklaruar dhe ata që mund të paraqiten në të ardhmen që të mos ndërhyjnë në procesin gjyqësor, të presin përfundimin e hetimeve, të presin vendimin e formës së prerë të gjykatës dhe të respektojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, si vlerë dhe e drejtë e njeriut të personave të privuar nga liria.