KMDLNj: Paramilitarët e gjykatës raciste speciale vazhdojnë orgjitë e bastisjeve!
Ditëve të fundit janë shpeshtuar bastisjet e paramilitarëve të paidentifikuar si forcë policore e ndonjë institucioni ndaj personave që, në një mënyrë apo tjetër ishin pjesë e luftës çlirimtare apo pjesë e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Kryesisht janë të interesuar të marrin telefona celularë apo materiale që pastaj me metoda alkimike i përkthejnë si ndërhyrje në drejtësi përmes joshjes apo frikësimit të dëshmitarëve. Bastisja e shtëpisë së Sylejman Selimit, jo si person i dyshuar por si një vend ku kërkojnë dëshmi, biseda me Sami Lushtakun në bazën e EULEX-it në Fushë Kosovë, gjithashtu si person jo i dyshuar paraqesin raste flagrante të privatësisë dhe shqetësim i familjeve të tyre. Të paftuar vizituan edhe shtëpinë e Hajredin Kuçit, pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit. Presioni mbi Kuçin bëhet me qëllim që ta largojnë nga ekipi mbrojtës duke e ditur kapacitetin intelektual dhe profesional në fushën e drejtësisë. Nga burime të sigurta KMDLNj -ë ishte informuar se disa ditë më parë vetura dhe persona të panjohur vëzhgonin shtëpitë e Sylejman Selimit dhe Hajredin Kuçit për t’i “vizituar” pastaj përmes vizitave dhe bastisjeve. Me të filluar bastisjen, KMDLNj-ë ka informuar disa media dhe nga një largësi e vogël ka monitoruar këto bastisje nga policë të pauniformuar, të pajisur me një distinkt identifikues, me kompetenca të pakufizuara e që nuk i japin asnjë llogari institucioneve të Kosovës në ndërkohë që Policinë e Kosovës, të cilës aspak nuk i besojnë e përdorin si “fuqi krahu”. Metodat e bastisjes në orët e hershme të mëngjesit, paramilitarët e Speciales i kanë trashëguar nga policia e Serbisë sikur edhe joshjen dhe shantazhimin e dëshmitarëve.
Pas këtyre bastisjeve ka reagime të personave të njëjtë, sa për të thënë dhe reagime të zbehta partiake. Institucioni që e ka për detyrim të reagojë, të kërkojë llogari dhe transparencë meqë sillet dhe thirret se është themelues i kësaj Gjykate, Kuvendi i Kosovës e luan lojën e strucit për shkak të mungesës së guximit, oportunizmit, mungesës së moralit elementar dhe integritetit intelektual dhe profesional. Për më keq shumica e deputetëve, në heshtje, disa edhe publikisht e përkrahin këtë Gjykatë prandaj edhe e kanë zgjedhur gjuhën e peshkut, të heshtjes jonormale. Për KMDLNj është i habitshëm mungesa e reagimit të krahut të luftës që mrizojnë në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Partitë në pushtet po e bëjnë të mundurën dhe të pamundurën t’ua rëndojnë gjendjen pengjeve të Hagës, familjeve të tyre dhe të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë Gjykatë, që nga pakësimi drastik i mjeteve të parapara për mbrojtje ligjore e deri te mungesa e interesimit elementar për fatin e të burgosurve, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, ende të pafajshëm sepse nuk janë dënuar me një vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente. Asnjë qeveri dhe vend i rajonit nuk është sjellur me aq shpërfillje ndaj qytetarëve të saj në raste të ngjashme sikur që asnjë vend apo qeveri nuk ka treguar aq entuziazëm për t’i shpallur fajtorë dhe dënuar sikur që e bënë qeveria e tashme. Për shkak të ndërhyrjes klandestine dhe të qëllimshme në Udhëzimin Administrativ nga ministrja aktuale e Drejtësisë e që jashtëzakonisht pakëson mundësitë për një mbrojtje efektive juridike, dikush duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë penale, nëse jo tani, në të ardhmen, pa asnjë dyshim. Urrejtja ndaj krerëve të UÇK-së, bartësve më të lartë të posteve institucionale në Kosovë, themeluesve të shtetit është e pashembulltë, patologjike dhe përpjekje që, bashkë me Gjykatën Speciale Raciste të Hagës ta rishkruajnë historinë e Kosovës për të krijuar vende për protagonizmin e tyre ndonëse nuk e dhanë asnjë kontribut për luftën, lirinë dhe formimin e shtetit të Kosovës, përkundrazi, e bënë të kundërtën.
Me bastisje të shpeshta paramilitarët e Specialës skajshmërish po e provokojnë situatën e sigurisë duke e testuar durimin e shqiptarëve. Ky durim i ka disa vija të kuqe dhe askush nuk mund të presë se ngjarjet do të zhvillohen sipas dëshirave të mashtrueses Trandafillova, kuadër i Bullgarisë komuniste e mësuar me këso procese të montuara politike. Policia e Kosovës nuk duhet të jetë inferiore dhe e nëpërkëmbur nga paramilitarët e Hagës e që nesër do të kritikohet për këtë. Të arrestuarit nuk duhet t’ua japin telefonat celularë këtyre “policëve” të panjohur e as t’ua hapin dyert e shtëpive të tyre vullnetarisht. Nuk duhet të lejojnë që t’iu shkelet privatësia apo t’iu dhunohet familja dhe shtëpia. Kuvendi i Kosovës duhet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme çdo herë që është e nevojshme për të kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria që janë në Hagë, të kërkojnë transparencë më të madhe dhe llogaridhënie, një afat të arsyeshëm të kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe krijimin e kushteve të pakufizuara për mbrojtje juridike, deri në plotëfuqishmërinë e dënimit të shqiptuar. Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë që Gjykata Speciale t’i mbulojë shpenzimet për avokatët mbrojtës, kompensim material për të burgosurit që shpallen të pafajshëm si dhe t’i kompensojë viktimat. Përfundimisht, Kuvendi i Kosovës duhet publikisht të deklarohet nëse kjo Gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, nëse gjykon sipas ligjeve të Kosovës, në të kundërtën duhet të distancohet qartë nga kjo Gjykatë duke e adresuar përgjegjësinë për këto padrejtësi juridike dhe shkelje flagrante të drejtave të njeriut ndaj pengjeve të Hagës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Kjo adresë e përgjegjësisë është në Hagë, në Gjykatën Speciale Raciste e jo në Kosovë.