KMDLNj: Pasi rryma u shtrenjtua, u harrua tatimi në pronë!
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka theksuar se pasi rryma u shtrenjtua, u harrua tatimi në pronë.
KMDLNj ka bërë me dije se kohë më parë qytetarët e Kosovës u bombarduan me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë, mesatarisht më shumë se 100 për qind, krahasuar me vitin paraprak.
Sipas KMDLNj-së, reagimet ishin të shumta, me një efekt të çastit në vend se kjo rritje e vlerës së tatimit në pronë të kundërshtohet fuqishëm përmes aktivizmit qytetar dhe të gjithë atyre që kanë mandat ta mbrojnë interesin e qytetarit.
“Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati tërë përgjegjësinë për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se Ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë. Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor, edhe ashtu të rrezikuar shumë nga kriza e përgjithshme ekonomike”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Në këtë situatë, KMDLNj ka theksuar se komunat kanë kërkuar nga Ministria e Financave që të mos zbatojë këtë rritje jonormale, deri në një vlerësim tjetër kurse ministria, për ta heshtur dhe zbutur kundërshtimet e arsyeshme të qytetarëve ka propozuar që komunat t’ua falin nga 100 euro tatimpaguesve ndonëse për këtë nuk ka asnjë bazë ligjore.
“E pabesueshme deri ku shkon injoranca dhe arroganca e atyre që kanë përgjegjësi konkrete për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë”, thuhet në këtë reagim.
KMDLNj ka reaguar edhe energjinë elektrike që parashihet të rritet 15 për qind.
“Qeveria e Kosovës në vend se të mbrojë interesin e qytetarëve – votuesve të saj, po i mbron interesat e KESCO-s, ZRrE-së dhe strukturave kriminale në veri të Kosovës që rrymën e papaguar e përdorin për prodhim të kriptovalutave dhe kultivimin e bimëve narkotike. KMDLNj vlerëson se reagimi i qytetarëve nuk garanton se ata janë të përkushtuar t’i mbrojnë interesat e tyre sikur që ndodhë në vendet me një demokraci shumë më të zhvilluar dhe të qëndrueshme. Shembull tipik e kemi reagimin qytetar në Francë ku standardi është pakrahasimisht më i lartë se në Kosovë por se qytetarët nuk pajtohen me masat e imponuara nga qeveria. KMDLNj e përkujton opinionin se shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë në rritje zinxhirore të çmimeve të artikujve tjerë, kryesisht të domosdoshëm sikur edhe të shërbimeve”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.