KMDLNj: Për mosliberalizim pësojnë qytetarët e jo politikanët

04 dhjetor 2018 | 14:22

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNj) përmes një komunikate për media ka vlerësuar se nga mosliberalizimi i vizave pësojnë qytetarët, e jo politikanët.

Duke pasur parasysh deklarimin e djeshëm të bërë në Prishtinë nga komisionari i BE-së për zgjerim, Johanes Hahn, se liberalizimi i vizave për kosovarët mund të shtyhet deri në vitin 2020, si dhe kërkesën e tij për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ky Këshill ka thënë se Kosova duhet ta zbatojë reciprocitetin me shtetin serb.

KMDLNJ-ja, po ashtu, ka kërkuar bashkëpunim në mes partive në pushtet dhe atyre opozitare. “Në këtë kontekst, KMDLNJ kërkon një bashkërenditje të pozitës dhe opozitës deri në tejkalim të situatës apo krijimit të rrethanave më të favorshme për Kosovën e që pastaj , pozita dhe opozita mund të merren vesh për caktimin e një date për zgjedhje të reja , pas reformës së Ligjit për Zgjedhje e që është kusht i domosdoshëm për ndryshime cilësore, si në nivelin e përfaqësimit politik ashtu edhe  në planin e vendimmarrjes“, thuhet në reagim.

Reagimi i KMDLNJ-së:

PËR MOSLIBERALIZIM TË VIZAVE E PËSOJNË QYTETARËT E JO POLITIKANËT, TË POZITËS DHE OPOZITËS!

Pasi Komisionari për Zgjerim i BE –së , Johanes Han , pa fije brejtjeje të ndërgjegjës  ua përplasi në fytyrë autoriteteve të Kosovës se , mbase , deri në vitin 2020 nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës shpërtheu një kundërshtim i opozitës që kërkon kokat e kryeministrit Haradinaj , ministres Dhurata Hoxha dhe qeverisë së Kosovës për , siç deklaron opozita , dështim të liberalizimit të vizave. Ky farë komisioneri Han , ndonëse deri më tani ishte zbatues i standardeve të dyfishta , gjatë konferencës për media deklaroi se : “ Kosova e ka kryer detyrën ndërsa ne duhet ta kryejmë punën tonë .. “ që , me një fjalë nënkupton se Kosova i ka përmbushur kushtet ( kriteret ) teknike  për liberalizim të vizave prandaj , Kosova nuk mund të jetë fajtore sipas KMDLNj –së për mosliberalizim të vizave por kjo është përgjegjësi ekskluzive e BE-së. Edhe raportuesit e BE –së që e vizituan Kosovën , në vazhdimësi kanë deklaruar se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave duke shpresuar se ky liberalizim do të ndodhë deri në fund të vitit  2018 ose , më së largu , deri në tremujorin e parë të vitit 2019. Realisht , politikanët që janë në pozitë kanë deklaruar se në fund të vitit do të lëvizin pa viza qytetarët e Kosovës për faktin se i kanë përmbushur kushtet e kërkuara madje , edhe një kusht që nuk i ishte kërkuar asnjë vendi apo shteti në rajon , Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi . Edhe përbërja paraprake e koalicionit qeverisës , pjesë e së cilës ishte LDK që e kishte postin e kryeministrit , gjithashtu deklaronte se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe e kundërshtonte Demarkacionin ( plotësisht me të drejtë ) si kusht për liberalizim të vizave . Përpjekja për liberalizim të vizave ishte zingjirore ku ishin përfshirë të gjitha subjektet politike , përjashtuar këtu LV që nuk ishte asnjëherë pjesë e pushtetit. Pas refuzimit për liberalizim të vizave e që përgjegjësia duhet t’i adresohet ekskluzivisht BE –së , fitohet përshtypja që një pjesë e opozitës i është gëzuar këtij dështimi e që është shumë e pandershme për faktin se edhe vet kanë qenë pjesë e përpjekjeve për liberalizim të vizave dhe tani duan të përfitojnë politikisht nga ky dështim ndonëse politikanët e pozitës e as të opozitës nuk kanë asnjë problem për të siguruar vizat për ta dhe anëtarët e familjeve të tyre në ndërkohë që e pësojnë qytetarët që presin për muaj të tërë për një termin për viza para ambasadave të shteteve evropiane ku , në të shumtën e rasteve u refuzohen vizat . Mjafton të shkoni para një ambasade të huaj dhe të shihni mjerimin dhe gjendjen e tmerrshme me të cilën padrejtësisht përballen qytetarët e Kosovës , jo për ta marrë një vizë ( nuk kanë asnjë garancion për këtë ) por për të caktuar një termin , disa muaj më heret për një aplikim të thjeshtë. Për qytetarët e Kosovës duhen një mal me dokumente , taksë jo fortë e lirë për kushtet tona dhe , në fund , në shumicën e rasteve refuzoheni. Opozita , në planin e përgjegjësisë nuk mund të shfajësohet për faktin se edhe vet ka qenë pozitë , ka përfituar materialisht duke shetitur tërë botën në emër të lobimit dhe tash është e pandershme t’i lajë duart nga çdo përgjegjësi aq më parë që liberalizimi i vizave nuk është interes vetëm politik apo partiak por është interes i qytetarëve të Kosovës të cilëve u mohohet , padrejtësisht , njëra ndër të drejtat elementare të njeriut , e drejta e lirisë së lëvizjes. Opozita është dashur dhe duhet të bashkërenditë veprimet me pozitën dhe shoqërinë civile në kundërshtim të refuzimit të padrejtë të BE –së për liberalizim të vizave , të hartojë një plan veprimi dhe kundërshtimi për këtë veprim që është interes i përgjithshëm i Kosovës dhe qytetarëve të saj , në njërën anë kurse , në anën tjetër , ta vazhdojë luftën politike që ta marrë pushtetin qoftë duke provokuar zgjedhje të parakohshme , qoftë duke e ndryshuar konjkukturën qeverisëse. Në çdo vend të botës opozita synon marrjen e pushtetit që është krejtësisht e ligjshme mirëpo janë disa zhvillime dhe situata kur opozita duhet të tregohet e përgjegjshme duke lënë intereset opozitare për të përballuar një rreziku për vendin. Duhet të pranojmë se Kosova po përballet me një rrezik , si në aspektin e rrezikimit të integritetit territorial ashtu edhe në pamundësinë e shtrirjes së sovranitetit . Kosova e ka një mekanizën bllokues , kategori kushtetuese e ajo është Lista Serbe dhe e cila mund të pamundësohet vetëm me bashkëpunimin e partive shqiptare dhe komuniteteve tjera pakicë që janë bashkëpunuese dhe të cilat e pranojnë shtetin e Kosovës mirëpo , të cilat më së paku përfitojnë , ose është më drejtë të thuhet , më së shumti dëmtohen në kurriz të përfitimeve që i ka Lista Serbe dhe serbët që në çdo mënyrë e kundërshtojnë Kosovën dhe rendin e saj kushtetues. Kosova ka hyrë në bisedime të imponuara me Serbinë , pa pasur plan , strategji veprimi , pa caktuar një afat dhe pa pasur të garantuar asnjë përfitim nga këto bisedime , madje duke u mashtruar keq sikur që ishte premtimi dhe mashtrimi për liberalizim të vizave. Pjesë e këtyre bisedimeve , në nivele më të larta ishte edhe vet LDK . Në Kosovë është bërë një gabim që në bisedime ka shkuar vetëm një person e që ka biseduar me Serbinë edhe jashtë kornizave negociuese , presidenti Hashim Thaçi i shoqëruar me disa përfituse të përhershëm të honorareve , pa pasur asnjë përgjegjësi për mospunën apo punën e dëmshme që e kanë bërë në kurriz të Kosovës dhe qytetarëve të saj. KMDLNj e ka vlerësuar dhe vlerëson se bisedimet rreth “ korigjimit të kufinjve “ , pa mandat të Kuvendit të Kosovës janë veprime  kundërkushtetuese dhe të dëmshme andaj propozon që të formohet një Grup Negociator ku opozita do të kishte rol të barabartë me pozitën dhe vetëm në këto rrethana , pas vlerësimit të situatës mund të vazhdohen bisedimet me Serbinë. Kosova duhet ta ketë një ofertë të qartë dhe të afatizuar nga bashkësia ndërkombëtare se  çka përfiton nga këto bisedime  e jo të manipulohet me premtimet “ për një perspektivë evropiane “ , formulim ky i përgjithësuar dhe pa përmbajtje. Pjesë e Ekipit Negociator duhet të jenë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe kapacitet negociues. Por kjo mund të ndodhë vetëm  pasi të arrihet një konsensus midis pozitës dhe opozitës. Në rrethanat aktuale Kosovës nuk i duhen këto bisedime dhe këtu mund të përfitojë vetëm Serbia. Duhet të bëhet një prerje e qartë e kompetencave kushtetuese që i garantojnë presidentit përfaqësim në takimet e nivelit të lartë me shtetet tjera mirëpo duhet të përcaktohet qartë roli dhe detyrimet e Kuvendit në këtë proces e që , deri më tani është privatizuar nga një rreth i ngushtë i personave përfitues e që nuk kanë pasur e as që kanë mandat të bisedojnë për çka janë duke biseduar , pa siguruar as transparencën minimale dhe pa iu nënshtruar asnjë llogaridhënie ! Kosova duhet të bisedojë me Serbinë vetëm si e barabartë dhe jo si palë e nënshtruar. Serbia nuk e njeh Kosovën dhe as ne nuk e njohim Serbinë prandaj duhet ta zbatojmë reciprocitetin 100% me Serbinë , si kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për trajtim të dinjitetshëm edhe nga ndërmjetësuesi. Taksa prej 100%  për mallrat nga Serbia dhe Bosnja është e imponuar për shkak të aktivitetit armiqësor të këtyre dy shteteve ndaj Kosovës dhe ajo nuk duhet të hiqet. KMDLNj e përkrah këtë taksë dhe çdo veprim që e siguron zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës , pa diskriminuar në baza etnike , politike , statusit shoqëror  , moshës etj. Qeveria e Kosovës duhet të përkrahet për zbatimin e kësaj mase deri  në një vendim tjetër ndërsa nga Qeveria kërkon që t’i ndërmerr të gjitha masat kundër përfituesve të pandershëm.  Në këtë kontekst , KMDLNj kërkon një bashkërenditje të pozitës dhe opozitës deri në tejkalim të situatës apo krijimit të rrethanave më të favorshme për Kosovën e që pastaj , pozita dhe opozita mund të merren vesh për caktimin e një date për zgjedhje të reja , pas reformës së Ligjit për Zgjedhje e që është kusht i domosdoshëm për ndryshime cilësore , si në nivelin e përfaqësimit politik ashtu edhe  në planin e vendimmarrjes .

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deontay Wilder dhe Tyson Fury, u ndanë në paqe në…