KMDLNj: Përgjegjësia nuk përfundon me shkarkimin e ministrit Sefaj dhe shefit të AKI-së

30 mars 2018 | 13:25

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) përmes një reagimi për medie ka reaguar pas ngjarjes së djeshme të deportimit të mësimdhënësve të kolegjit “Mehmet Akif” në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë.

Sipas KMDLNj-së përgjegjësia nuk përfundon me shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur  Sefaj dhe shefit të AKI-së, Driton Gashit.

“Dje, disa individë të papërgjegjshëm, duke kidnapuar gjashtë (6) shtetas të Turqisë, me leje pune dhe leje për qëndrim të përkohshëm në Kosovë, të gjithë intelektualë të nivelit të lartë, pa të kaluar kriminale, e vulosën Kosovën si vendin më antidemokratik në botë, si shkelësin më të madh të të drejtave të njeriut, si zbatuesin besnik të urdhrave të një autokrati dhe shkelësi të madh të drejtave të njeriut në Turqi dhe si vendin që i ekstradoi të arrestuarit, pa përfillur as ligjet e veta e lëre më konventat ndërkombëtare që merren me të drejtat e personave që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të represionit politik, ku nuk mund të kenë as trajtim sipas ligjit por as gjykim të drejtë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së ky rast nuk ka qenë arrestim por kidnapim.

“KMDLNj kërkon të bëhen hetime të tërë këtij procesi dhe të përcaktohet përgjegjësia konkrete dhe të mos mbyllet me dy shkarkime të cilat nuk janë aspak të rëndësishme. Hipotetikisht, edhe nëse këta kanë fshehur informatat nga kryeministri dhe kryekuvendari, është e pabesueshme, edhe si hipotezë se askush nuk ka qenë i informuar për këtë krim ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut. Është e pamoralshme dhe e padrejtë që shkarkimi i ministrit Sefaj dhe shefit të AKI-së, Gashi të ndërlidhet me kërkesën e Listës Serbe për shkarkimin e tyre, si njëri nga kushtet për kthim në qeveri”, është theksuar ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq ka mbërritur në Amerikë ku është pritur…