KMDLNj, politikanëve: Mos manipuloni me shifra të rreme, përmbushni kërkesat
Më 1 nëntor pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan të mërkurën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.
Njëri nga pjesëtarët e këtyre dy njësiteve lexoi dhe përsëriti kërkesat e tyre: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.
KMDLNj ka theksuar se edhe më parë ka reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin këto kërkesa në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit.
KMDLNj ka theksuar se nuk duhet të manipulohet me shifra të rreme.
“Në të gjitha rastet kur Kosovës po i cenohet integriteti territorial, që të gjithë po shprehemi krenarë me Policinë tonë, prandaj dhe ka ardhur koha që këtë ‘krenarinë’ ta përkthejmë në përkrahje reale për Policinë e Kosovës dhe të mos mbetet retorikë politike për manipulim. Me këtë protestë krejtësisht të drejtë, policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë me ligjet në fuqi dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka theksuar KMDLNj.