KMDLNj: Pse “qeveria e madhe“ nuk deklarohet pas takimit me pesëshen e madhe?
Të shtunën e kaluar, një grup ndërkombëtar i cilësuar si “Pesëshja e madhe” u takua në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas së cilës opinioni në Kosovë nuk u informua fare për rrjedhën e këtij takimi dhe përmbajtjen e bisedimeve.
Ndaj kësaj situate ka reaguar KMDLNj, duke theksuar se Kurti si mënyrë të komunikimit me qytetarët dhe opozitën nuk e konsideron as si pjesë të qytetarisë.
Sipas KMDLNj-së, ai e zgjodhi gjuhën e peshkut – gjuhën e heshtjes gjë që në opinion ngjalli shumë dyshime për porosinë që e solli “Pesëshja e madhe” në Prishtinë.
“Qeveria e Kosovës, përkatësisht KM Kurti është qeveria dhe KM më jotransparent, sidomos sa i përket bisedimeve me Serbinë duke mos i dhënë llogaridhënie askujt, madje as deputetëve të Kosovës e që e kanë të detyruar ta bëjnë këtë. Nuk duhet të kthehemi shumë kohë prapa e të bëjmë krahasime se sillej LV-ja sa ishte në opozitë në Kuvendin e Kosovës me anëtarët e delegacionit që bënte negociata me Serbinë; nuk linte mjet pa përdorur për të kundërshtuar këto bisedime sikur që sulmonte me të gjitha mjetet e mundshme, të dhunshme kryesisht, anëtarët e delegacionit duke i akuzuar për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies. Qeveria aktuale me KM Kurti në krye, mungesën e transparencës dhe llogaridhënies e mbështjellin me një mbështjellëse që mbulon çdo gjë përveç të vërtetës, me ruajtjen e parimit e konfidencialitetit dhe kërkesën e ndërkombëtarëve që të mos flitet në publik për këtë. Arsyetim amortizues për marrëveshje që kanë prodhuar dhe do të prodhojnë pasoja të dëmshme për Kosovën”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj thekson se kryeministri Kurti me një fuqi absolute politike që ka, me një opozitë që me asgjë nuk i ngjanë opozitës, me një pjesë të shoqërisë civile nepotiste dhe klienteliste, me një pjesë të medieve të kontrolluara me dashje apo me privilegje, nuk e ka asnjë rrezik për postin që e ka sikur që me asgjë nuk i rrezikohet vendimmarrja.
“Prandaj edhe është e habitshme, e pakuptueshme dhe e papranueshme kjo mbyllje dhe mosgatishmëri për të komunikuar haptas me qytetarët për vendime që janë përcaktuese për të ardhmen e qytetarëve”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së, duke shtuar se opozita duhet t’i lë anash të gjitha temat tjera dhe të këmbëngul nga Kurti që të tregojë se çka në të vërtetë kanë sjell ndërkombëtarët në tavolinën e kryeministrit Kurti të shtunën e kaluar dhe se sa është kjo e pranueshme për Kosovën.
“Arroganca e numrave dhe opozita krejtësisht impotente e Kosovës e ka shndërruar KM Kurti në shpërfillës të detyrimeve kushtetuese që të raportojë në Kuvendin e Kosovës dhe se ky raportim nuk mund të kushtëzohet me asgjë, siç po ndodhë tani. KM Kurti e ka shumë të qartë se propozimi i ‘Pesëshes së madhe’ nuk është i mirë për Kosovën andaj me çdo kusht po përpiqet të blejë kohë duke e shtyrë sa më shumë që të jetë e mundur ekzekutimin apo realizimin e rezultatit përfundimtar, mundësisht deri në zgjedhjet e ardhshme. Është koha e fundit që KM i Kosovës, Albin Kurti t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues të zgjedhur të popullit dhe t’i informojë për ecurinë e bisedimeve dhe propozimet që i janë bërë nga ‘Pesëshja e madhe’ pas së cilës do të kërkonte përkrahjen e tyre në ndërtimin e një konsensusi politik, kombëtar dhe shtetëror”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.