KMDLNj: Qytetarët t’i padisin institucionet nëse nuk iu kompensohen shpenzimet e testit për Covid

21 gusht 2020 | 11:51

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka vlerësuar se shëndeti publik i qytetarëve të Kosovës është vënë në sprovë për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

KMDLNj-ja si shkaktar të dështimit të menaxhimit me virus e ka vënë politikën aktuale në vend.

“Në menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 ka dështuar politika, e papërgatitur me këto situata, e shquar për joseriozitet dhe jokompetencë e cila interesin politik, partiak dhe personal e ka vënë mbi interesin e mbrojtjes së shëndetit publik. Në pamundësi dhe pazotësi të rrisin numrin e testimeve, si masë e vetme efikase parandaluese, këtë kompetencë i kanë bartur laboratorëve privatë për të cilat askush, në mungesë të transparencës nuk e di se cilat kritere kanë qenë përcaktuese për dhënie të lejes”.

“Edhe çmimet janë në shpërputhje të madhe me mundësitë materiale të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Numri i laboratorëve privatë është rritur shumë dhe me këtë edhe mundësia e zhvatjes së qytetarëve të Kosovës. Laboratorët privatë bëjnë teste serologjike dhe në të shumtën e rasteve udhëzojnë pacientët të bëjnë testin anti-Covid si dhe analiza plotësuese të gjakut e që për një person shuma shkon midis 85-100 euro”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Ky këshill ka theksuar se institucionet e Kosovës në mënyrë flagrante janë duke i shkelur të drejtat e njeriut duke mos i mbrojtur ato. Me këtë rast, KMDLNj ka ftuar qytetarët që t’i padisin institucione në rast se nuk kompensohen për testet për Covid-19 dhe shpenzimet tjera e që janë përgjegjësi ekskluzive e shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit…