KMDLNj reagon për mbylljen e seancave në Speciale dhe për tekstet e redaktuara

14 shkurt 2022 | 14:35

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar në lidhje me të drejtat e ish-udhëheqësve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Sipas KMDLNj-së, për shkak të rrethanave objektive dhe subjektive është e pamundur të monitorohen nga afër apo drejtpërdrejtë të drejtat e ish-udhëheqësve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, nëse ato të drejta po respektohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e personave të privuar nga liria, për faktin se monitorimi bëhet nga distanca.

“Problemi kryesor i monitoruesve të KMDLNj-së është mbyllja e seancave sikur edhe tekstet e redaktuara deri në masën 75 për qind. Kjo praktikë duhet të ndryshojë sepse, në emër të mbrojtjes së dëshmitarëve po kompromitohet integriteti i procesit gjyqësor, përgatitja e mbrojtjes si dhe transparenca përmes një monitorimi efektiv”, ka theksuar KMDLNj.

Reagimi i KMDLNj-së:

Shkeljet e të drejtave të njeriut të të arrestuarve pranë Dhomave të Specializuara

Aktualisht janë tetë shtetas të Kosovës që mbahen në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Për shkak të rrethanave objektive dhe subjektive është e pamundur të monitorohen nga afër apo drejtpërdrejtë të drejtat e tyre nëse respektohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e personave të privuar nga liria dhe monitorimi bëhet nga distanca. Vetëm nga data 15 korrik 2021, me ndërprerje shkaku i masave anti-Covid janë lejuar, fillimisht vizitat familjare të ngushtë kurse nga shtatori 2021 dhe e të tjerëve kurse aktualisht lejohen vetëm vizitat familjare. Monitorimi i seancave gjyqësore bëhet 100 për qind nga distanca. Ndërsa ekskluzivitet për vizita monitoruese kanë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Avokati i Popullit nga Holanda dhe këtu përfundon monitorimi ndonëse themeluesi DHS është Kuvendi i Kosovës dhe deklarativisht është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Problemi kryesor i monitoruesve të KMDLNj-së është mbyllja e seancave sikur edhe tekstet e redaktuara deri në masën 75 për qind. Kjo praktikë duhet të ndryshojë sepse, në emër të mbrojtjes së dëshmitarëve po kompromitohet integriteti i procesit gjyqësor, përgatitja e mbrojtjes si dhe transparenca përmes një monitorimi efektiv.
Të gjitha kërkesat për zëvendësim të masës së arrestit me një masë më të butë përkundër garancive të shteteve të treta janë refuzuar ndërkaq garancitë e ofruara nga Policia e Kosovës janë përbuzur skajshmërisht duke mos e pranuar profesionalizmin dhe kapacitetin e Policisë së Kosovës për të administruar arrestin shtëpiak. Prokurori i ZPS-së ka fshehur provat shfajësuese për ish-krerët e UÇK-së në deklaratat e ish ambasadorit të OSBE-së, Daan Everts, Bujar Bukoshit dhe Departamentit të Shtetit duke vënë mbrojtësit dhe mbrojtjen në pozita të pabarabarta me Prokurorinë. Zgjatja e paraburgimit përtej masave të arsyeshme ndikon në procesin gjyqësor duke e komprometuar atë nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe këtë tendencë e forcon edhe kërkesa e Prokurorisë se i duhen 1863 orë pune për pyetjet e bëra prej palës thirrëse që shumëfish e zgjatë kohën e hetimeve krahasuar me të gjitha Tribunalet ndërkombëtare.
Realisht, po të pranohej ky propozim i Prokurorisë, edhe në rast se dosja Thaçi dhe të tjerët i dorëzohet Gjykatës në vitin 2023, në rastin më të mirë, Prokurorisë së Specializuar, nëse punon me këtë dinamikë do t’i duheshin 9 deri në 11 vite për të përfunduar hetimet dhe prezantimin e pyetjeve.
Prokuroria e ZPS ndonëse pati premtuar se dosjen paraprake do ta dorëzojë në dhjetor të vitit 2021 ende nuk e ka bërë këtë dhe materialet dorëzohen pak ditë para seancave për ecurinë e gjendjes. Pastaj, deklarata e fundit se: “nëse Salih Mustafa shpallet fajtor, viktimat nuk do të referohen për zhdëmtim në Gjykatat e Kosovës sepse nuk japin një qasje realiste lidhur me viktimat e krimit. Për këtë arsye i ka drejtuar një pyetje MD së Kosovës për këtë çështje ligjore e cila duhet t’i përgjigjet deri më 16 mars 2022. Prandaj, Gjykata do të lëshojë një Urdhër për Zhdëmtim në bazë të Nenit 22 (8) dhe 44 (6) të Ligjit. Kuptohet se zhdëmtimi do të bëhej nga Buxheti i Kosovës. Edhe kjo qartazi dëshmon mungesën e besimit dhe shpërfilljen që ua bëjnë Dhomat e Specializuara institucioneve të Kosovës duke i ngarkuar me shpenzime enorme në kohën kur këto shpenzime, mbrojtja e të akuzuarve, shpenzimet për familjarët, kompensimi për ata që do të shpalleshin të pafajshëm nga Gjykata dhe, së fundi kompensimi i viktimave do të duhej të mbuloheshin nga Buxheti i Dhomave të Specializuara e jo nga Buxheti i Kosovës.
Nga aspekti i të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, KMDLNj, duke mos e paragjykuar prezumimin e pafajësisë në asnjë mënyrë konstaton se ndaj të arrestuarve, shtetas të Kosovës që janë në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, në mënyrën më flagrante shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, kryetarja e Dhomave të Specializuara, një pjesë e institucioneve kosovare dhe një pjesë e mediave e që e vënë në pikëpyetje të madhe të drejtën ligjore dhe njerëzore për organizim të një procesi gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikusht apo të ndonjë interesi tjetër. KMDLNj ka bërë kërkesë dy herë për vizitë monitoruese Njësisë së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë por është refuzuar me arsyetimin e kufizimeve shkaku i rritjes së rasteve të të prekurve nga Covid. Të privuarit nga liria, shtetas të Kosovës nuk kanë monitorim efektiv nga Kosova prandaj mbesin të pambuluar dhe të pambrojtur nga shkelja eventuale e të drejtave të njeriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka njoftuar se ka mbajtur…