KMDLNj reagon për tollovinë dhe bllokadën në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka bërë me dije se qytetarë të Prishtinës, banorë të rrugës “Muharrem Fejza” në Lagjen Mati 1 i janë drejtuar KMDLNj-së me një deklaratë ku shfaqin brengën dhe problemet e mëdha që ua ka shkaktuar Komuna e Prishtinës me mbylljen e kësaj rruge për riparim, pa bërë ndonjë zgjidhje tjetër alternative, për të bërë të mundur lëvizjen e tyre.
“Edhe ashtu, kjo rrugë ka qenë e stërngarkuar për faktin se në shumë raste bllokohej nga autobusë, pompa betoni, kamionë që bartnin inerte dhe sikur edhe me betonjerka. Komuna e Prishtinës, në përpjekje për ta lehtësuar trafikun në rrethrrotullim i pati bërë disa ndarje që edhe më shumë e vështirësonin trafikun kurse, tani, me mbylljen e kësaj rruge, ‘Muharrem Fejza’, pa bërë asnjë zgjidhje alternative, këtë pjesë të Prishtinës e ka shndërruar në ferr të komunikacionit. Banorët që janë të bllokuar, as në raste emergjente nuk mund të lëvizin me makina ndërsa, disa banorë që i kanë parkuar automjetet në vende tjera, disa herë janë gjobitur nga Policia e Kosovës në ndërkohë që nuk iu mundësohet t’i parkojnë veturat para shtëpive të tyre apo në objektin ku banojnë. Udhëheqësit aktualë të komunës së Prishtinës e kanë trashëguar një infrastrukturë të mirë dhe të rregullt nga udhëheqja paraprake (LDK-së) mirëpo nuk kanë ditur ta menaxhojnë situatën si duhet”.
“Në pamundësi të ndërtojnë infrastrukturë plotësuese, kanë hyrë në improvizime duke e bërë Prishtinën thuaja qytet të pajtueshëm në aspektin e hapësirës së domosdoshme për banim, qoftë edhe sa i përket standardeve minimale. Qyteti i Prishtinës është shndërruar në një ‘Hiroshimë arkitektonike’ ose, me fjalë të tjera është shndërruar në një kantier ndërtimi duke shpërfillur të gjitha rregullat që vlejnë për qytetet tjera të shteteve të ndryshme ku respektohet orari i ndërtimeve, lëvizja e makinerisë së rëndë gjatë orarit të caktuar, ku mbrohet infrastruktura e qytetit nga dëmtimet (rrjedhja e betonit, materialeve inerte në rrugët kryesore sikur edhe dëmtimi i shtresës së asfaltit). Komuna e Prishtinës ka dështuar krejtësisht në sigurimin e kushteve për qytetarët që, së paku gjatë kohës së pushimit, në orët e pasdites, gjatë natës, gjatë festave dhe gjatë pushimeve të fundjavës të kenë qetësi shkaku se ndërtimet nuk ndalen për asnjë çast”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj ka theksuar se: “Tollovia dhe kaosi i shkaktuar në rrugën ‘Muharrem Fejza’ që skajshmërisht e ka vështirësuar jetën e banorëve shkaku se Komuna e Prishtinës nuk ka bërë asnjë zgjidhje, ka dëmtuar edhe bizneset që punojnë në këtë rrugë prandaj Komuna e Prishtinës duhet të bëjë një zgjidhje për t’ua zvogëluar humbjet e biznesit”.
Për KMDLNj-në, përgjegjësia kryesore për këtë gjendje është udhëheqja aktuale e Komunës së Prishtinës dhe se në vendet normale nuk ka të ngjarë që të bllokohet rruga pa ofruar asnjë zgjidhje tjetër.
“Gjithashtu, nga aspekti i të drejtave të njeriut është i papranueshëm fakti se qytetarët e kësaj rruge të bllokuar, ku është pamundësuar lëvizja me vetura, të gjobiten nga Policia e Kosovës. Qytetarët e rrugës ‘Muharrem Fejza’ nuk janë fajtorë e as shkaktarë të bllokimit të rrugës prandaj nuk mund të gjobiten nga Policia e Kosovës për shkak të papërgjegjësisë së autoriteteve të komunës së Prishtinës. KMDLNj kërkon nga komuna e Prishtinës të bëjë një zgjidhje të përkohshme që ua mundëson banorëve të lëvizin pa u penguar dhe se duhet të jetë një prani më e madhe e Policisë së Kosovës, jo për të dënuar banorët e kësaj lagjeje për shkak të parkimit të veturave jashtë perimetrit ku jetojnë sepse këtë e kanë të imponuar nga papërgjegjësia e komunës së Prishtinës por për të mbajtur rend dhe krijuar kushte që mundësojnë lëvizjen e qytetarëve të rrugës ‘Muharrem Fejza’. Policia e Kosovës, si institucioni që gëzon besim të madh te qytetarët e Kosovës nuk duhet të lejojnë të bëhen instrument i një politike të gabuar të komunës së Prishtinës, duke gjobitur banorët, pa fajin e tyre”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.