KMDLNj: Refuzimi i Kurtit për ta takuar Jasharajn e vështirëson situatën

12 shtator 2022 | 14:18

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka bërë thirrje që qeveria dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të gjejnë zgjidhje për grevën në arsim.

Sipas KMDLNj-së, gabimi kryesor i Qeverisë së Kosovës është se nuk e ka marrë seriozisht paralajmërimin për grevë nga SBAShK-u dhe deri vonë ka kundërshtuar çdo takim apo përpjekje për bashkëbisedim me kryetarin e saj Rrahman Jasharaj.

“Për më keq figura kyçe në SBAShK është linçuar publikisht, është fyer në baza kombëtare dhe njerëzore nga zyrtarë qeveritarë dhe nga ata që janë të afërt me qeverinë aktuale. Në çdo reagim, deri më sot, KMDLNj ka deklaruar se greva mbetet vetëm si zgjidhje e skajshme kur shpenzohen të gjitha mundësitë për arritje të një marrëveshjeje e që KMDLNj mendon se nuk janë shfrytëzuar këto mundësi prandaj, pa të drejtë po e pësojnë 320,000 nxënës në Kosovë si dhe familjet e tyre”, është theksuar në reagimin e SBAShK-ut.

KMDLNj ka theksuar se Qeveria e Kosovës, si ushtruese efektive dhe e mandatuar e pushtetit është dashur të bëjë përpjekje të vazhdueshme që të evitohet greva e jo të shpërfillë kërkesat e SBAShK-ut për takim.

“Kryeministri Kurti është dashur ta takojë kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, jo një herë por sa do të ishte e nevojshme në mënyrë që të tejkalohet situata. Refuzimi i vendosur i kryeministrit Kurti ta takojë kryetarin e SBASHK, Rrahman Jasharaj e vështirëson shumë zgjidhjen e ngërçit të krijuar aq më parë që ministrat dhe vartësit e kryeministrit nuk dalin jashtë qëndrimeve të kryeministrit madje, për më keq me një fjalor fyes dhe kërcënues e fusin çështjen në rrugë njëkahëshe, pa zgjidhje”, është thënë në reagimin e SBAShK-ut.

KMDLNj ka thënë tutje se përpjekja e presidentes Osmani për të ndërmjetësuar ka qenë më shumë penguese se që e ka pasur qëllimin e mirë për faktin se nuk ka qenë asnjënëse në këtë angazhim.

“Dhe në fund, për KMDLNj, edhe këmbëngulja e SBAShK-ut dhe Rrahman Jasharaj se: ‘ose 100 euro ose do të bëhet kijameti …’ nuk është e arsyeshme për faktin se nëse kërkoni ndërmjetësim dhe zgjidhje përmes dialogut atëherë nuk duhet dhe nuk mund të insistoni 100 % në qëndrimin tuaj. Sepse, nëse nuk ka gatishmëri për një lëshim nga pozitat fillestare pse atëherë duhet të bisedohet?! KMDLNj e kupton gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve të Kosovës sikur edhe të punonjësve të arsimit mirëpo, aktualisht ka kategori shumë më të rrezikuara ekonomikisht e të cilat nuk bëjnë grevë prandaj këtë duhet ta ketë parasysh edhe SBAShK”, thuhet në reagim.

KMDLNj kërkon që kryeministri Kurti të takohet me kryetarin e SBAShK-ut dhe Këshillin Grevist në përpjekje që të gjendet një zgjidhje, e pranuar nga të dy palët “ndërluftuese” qoftë edhe për një afat të caktuar, deri të një zgjidhje përfundimtare.

“Fillimisht duhet të ndalet gjuha e urrejtjes, kërcënuese, degradues dhe linçuese ndaj kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dhe anëtarëve të Këshillit Grevist e pastaj të fillojë një bashkëbisedim mirëkuptimi midis palëve në mënyrë që nxënësit të shkojnë në shkolla”, është theksuar ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.

Për KMDLNj-në përgjegjësi në lidhje me këtë situatë do të kenë dy persona, siçka theksuar “me fuqi të madhe vendimmarrëse në institucionet që drejtojnë, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut”.

“KMDLNj thërret palët që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje dhe nxënësit të fillojnë mësimin. Ndryshe, të dyja palët do të marrin përgjegjësi për shkelje të rënda dhe serioze të drejtave të njeriut për një arsim cilësor dhe të domosdoshëm!”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth shtatë vite më parë, Vesa Luma dhe Big Basta…