KMDLNj: Rritje klienteliste dhe diskriminuese e pensioneve
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) e ka quajtur diskriminuese dhe klienteliste rritjen e pensioneve.
“Ka qenë e sigurt se qeveria do t’i rrisë pensionet dhe skemat sociale sikur që ka mundësi reale të rriten edhe pagat në arsim. Realisht këto grupe të targetuara përfituese kanë shumë votues andaj edhe ishte i pritshëm vendimi i qeverisë. KMDLNj edhe më parë ka kërkuar të rriten pensionet por jo në këtë mënyrë dhe këtë përqindje. KMDLNj kishte kërkuar të bëhej indeksimi në vitin 2022 kur inflacioni ishte 22 për qind dhe pastaj të bëhet rritja. Me rritjen prej 20 për qind, askush nuk përfiton përveç qeverisë. Madje, me këtë rritje pensionistët dhe përfituesit tjerë nuk marrin më shumë se 90 për qind nga pensionet paraprake. Qeveria është dashur të konsultohet me përfaqësuesit e pensionistëve për të arritur një zgjidhje të pranuar për të gjithë. Për më keq, qeveria ka injoruar Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës duke mos i pranuar në takime dhe duke shpërfillur, nga pozita e arrogancës së pushtetit, dialogun social. Në këtë mënyrë vetëm e ka betonuar agoninë e pensionistëve në luftë për mbijetesë nën çdo dinjitet përmes rritjes klienteliste të pensioneve që do të përkthej në përqindje të votave për zgjedhjet e ardhshme. Në anën tjetër me mospërfshirje të kategorive të luftës në këtë ‘rritje’ është diskriminim flagrant dhe shkelje e barazisë para ligjit”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së, pensionistët dhe përfituesit tjerë nuk duhet të pajtohen me këtë rritje klienteliste të pensionit dhe duhet të kundërshtojnë, qoftë përmes rrugëve ligjore apo edhe me votën e tyre.
“Ka qenë detyrim ligjor i qeverisë që të bëjë indeksimin e pensioneve në përputhje me rritjen e shkallës së inflacionit e jo të konsiderohet se është vullnet i mirë i qeverisë dhe përkujdesje për pensionistët. Le të merren praktikat e vendeve të rajonit dhe të krahasohen me vendimin e qeverisë për pensione. Qeveria e Kosovës me këtë klientelizëm diskriminues në mënyrë brutale po i shkelë të drejtat e njeriut të pensionistëve dhe grupeve të cenueshme për një jetë më të dinjitetshme dhe qëndrueshmëri sociale”, theksohet me tutje në reagimin e KMDLNj-së.