KMDLNj: SBAShK-u po e rrezikon procesin mësimorë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj grevës së sotshme në arsim të organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
KMDLNj nëpërmjet një komunikate për medie ka vlerësuar se kjo sindikatë po manipulon me nxënësit e shkollave fillore atyre të mesme si dhe me studentët për shkak se siç thuhet “koalicioni PDK- AAK -NISMA nuk e paska përmbushur një marrëveshje të nënshkruar gjatë fushatës elektorale e që nënkupton se SBAShK-u, si një institucion i pavarur paska hyrë në raporte klienteliste me këto subjekte politike duke u siguruar vota në këmbim të realizimit të marrëveshjes e cila nuk ka pasur dhe as që ka karakter detyrues për këtë koalicion parazgjedhor, në zgjedhjet e fundit”.
Sipas KMDLNj-së, me këto greva shantazhuese SBAShK-u po e rrezikon procesin mësimorë, si dhe po e dobëson sistemin arsimor në Kosovë.
“Me këto greva që janë tipike shantazhuese, SBAShK-u po e rrezikon procesin mësimorë e që po e dobëson sistemin arsimorë i cili edhe ashtu përballet me njëqindmijë probleme”, është theksuar në komunikatë.
KMDLNj përkrahë përpjekjet e SBAShK-ut për të siguruar të drejtat për punëtorët arsimorë të viteve të 90 –ta sikur që është njohja e stazhit të punës që fillimisht ka qenë edhe kërkesë e SBAShK-ut për të kaluar pastaj edhe në kompensim material, si kërkesë tjetër.
“Pasi që institucionet e Kosovës i kanë kompensuar thuaja të gjitha kategoritë që u takon kompensimi sipas ligjeve në fuqi, po këto institucione duhet të gjejnë mundësi t’i kompensojnë edhe punëtorët e arsimit të viteve të 90–ta. Është krejtësisht e papranueshme shpërdorimi i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme për arritjen e qëllimit të SBAShK-ut dhe instrumentalizimi i tyre, si mjet shantazhi ndaj institucioneve”, është thënë më tutje në komunikatën e KMDLNj-së.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të gjejnë mundësinë që së bashku me SBAShK-un ta krijojnë një bazë ligjore për kompensim duke caktuar shumën e kompensimit si dhe duke e afatizuar në kohën më optimale zbatimin e ligjit për kompensim.