KMDLNj-së: Nga viti 2004 nuk dihet asgjë për Ramadan Kolgecin i zhdukur në Mal të Zi
Ramadan (Rrahim) Kolgeci, i lindur më 10 gusht 1917 në fshatin Vraniq, komuna e Therandës që nga data 9 korrik 2004 konsiderohet i zhdukur për faktin se gjatë kthimit nga pushimet në Ulqin, agjencioni turistik “Shpejtimi Tours“ ndali autobusin në dalje të Podgoricës, përkatësisht te restorani “Mimoza“ dhe pas pushimit të caktuar nga lista e udhëtarëve mungonte vetëm Ramadan Kolgeci. Pasi nuk ishte kthyer në shtëpi, fshatin Vraniq ditëve në vijim, i biri i tij Rrahimi e paraqet rastin në Stacionin Policor në Therandë me datë 26 korrik sikur edhe në Prokurorinë e Qarkut në Prizren më datë 22. 10. 2004. Po këtë rast, zhdukjen e prindit e ka paraqitur në stacionin e Policisë në Ulqin, Kryqin e Kuq të Kosovës në Therandë dhe në KMDLNj –ë sikur edhe në mediat elektronike dhe të shkruara.
KMDLNj –ë, pas trajtimit të rastit, me një shkresë zyrtare iu drejtua autoriteteve përgjegjëse në Mal të Zi duke kërkuar informata për Ramadan Kolgecin. Autoritetet në Mal të Zi nuk janë përgjigjur me shkrim ndërsa gjatë bisedës telefonike kanë deklaruar se janë duke bërë hetime për rastin.
Për KMDLNj –ë është sa befasuese aq edhe e papranueshme që institucionet e Kosovës nuk kanë kërkuar nga autoritetet e Malit të Zi që ky rast të zbardhet dhe për këtë ta informojnë familjen Kolgeci që është në pritje më shumë se 19 vite të informatave për fatin e babait të tyre. Raportet midis Kosovës dhe Malit të Zi janë dukshëm më të mira se më parë si dhe bashkëpunimi policor andaj është e habitshme pse ky rast nuk është zbardhur deri më tani. Zhdukja apo rrëmbimi i Ramadan Kolgecit ka ndodhur në ora 23.00 të mbrëmjes te restoranti “Mimoza“ afër Podgoricës dhe mbetet e panjohur pse autobusi që bartte udhëtarë është nisur pa u kompletuar lista e udhëtarëve që udhëtonin me autobusin e “Shpejtimi – Tours“. I zhdukuri Ramadan Kolgeci ishte në moshë të madhe, 87 vjeçare dhe shtrohet pyetja se interes i kujt ishte që ai të mos kthehej në autobus. Hipotetikisht edhe nëse, për shkak të moshës mund ta ketë gabuar apo harruar rrugën, si është e mundur që pastaj të mos gjindet askund?!
KMDLNj-ë nuk e konsideron këtë rast si ad acta, rast të mbyllur por kërkon që autoritetet kosovare ta rihapin rastin dhe të kërkojnë përmes MPJD dhe Ambasadës së Kosovës në Podgoricë informata për këtë rast.
Familja Kolgeci është në ankth të pritjes së një informate apo raporti për Ramadan (Rrahim) Kolgecin që nga viti 2004, viti kur edhe është zhdukur dhe është e drejtë elementare e njeriut të informohet për fatin e kryefamiljarit të tyre.