KMDLNj: Seancat e stërzgjatura të Kuvendit po e rrezikojnë shëndetin
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) që në fillim të pandemisë Covid-19, me një letër drejtuar Kryesisë së Kuvendit dhe kryetares Vjosa Osmani, pati kërkuar që të ndërmerren masa mbrojtëse për deputetët dhe administratën, raporton “Epoka e re”.
Përkundër kësaj, një numër i deputetëve dhe administratës janë infektuar me Covid-19. Së fundi, edhe kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e presidentes Vjosa Osmani ka rezultuar pozitiv me Covid.
KMDLNj përmes një reagimi për medie ka theksuar se seancat e stërzgjatura të Kuvendit po e rrezikojnë shëndetin.
“KMDLNj vlerëson se kohëve të fundit seancat e Kuvendit të Kosovës, me shterpësinë e diskutimeve, jo që nuk po prodhojnë efektin e duhur por seriozisht po e rrezikojnë shëndetin e të pranishmëve. Kjo, sidomos është e theksuar gjatë interpelancave ku në sallë janë mbi 70 deputetë dhe të pranishëm dhe ku diskutimet stërzgjaten me orë të tëra, pa e dhënë asnjë rezultat. Çfarë kuptimi ka një seancë që zgjatë 10 orë diskutime, sikur gjatë fushatave elektorale dhe, si përfundim nuk janë në gjendje të miratojnë asnjë rezolutë, marrëveshje apo ligj, madje as të përafrojnë qëndrimet të cilat thellohen edhe më shumë. Shembull eklatant për këtë janë diskutimet dhe mosvotimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Me mosvotimin e këtij Projektligji, deputetët refuzues të Kuvendit të Kosovës po sillen sikur buxheti i Kosovës është pronar i buxhetit të Bankës Botërore e jo një buxhet social dhe paliativ që me mjete tejet simbolike po mundohet t’ua zbusin dhimbjet shumicës së bizneseve, para se ato të falimentojnë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së, “seancat me diskutime të zbrazëta, monotone të cilat përfundojnë kryesisht me disa deputetë që e luajnë rolin e mohikanit të fundit, pa kuorum që, përveç se nuk prodhojnë asgjë, i mërzisin qytetarët para ekranit televiziv sikur që e rrezikojnë shëndetin e tyre dhe të pranishmëve”.
KMDLNj kërkon që, në përputhje me situatën dhe për shkak të rrezikut të madh, Kryesia e Kuvendit, bashkë me grupet parlamentare të ofrojë një zgjidhje që seancat e Kuvendit të reduktohen në përputhje me rrezikun në mënyrë që të ruhet shëndeti i të pranishmëve.
“Në kohën kur pandemia e shkaktuar nga Covid-19 ka përshkallëzuar në tërë botën dhe kur kemi një rrezikshmëri shumë të lartë dhe kur janë ndërmarrë shumë masa kufizuese nuk ka asnjë kuptim mbajtja e këtyre seancave të stërzgjatura. KMDLNj rekomandon që seancat të mbahen vetëm për gjëra të domosdoshme, të diskutohet qartë dhe shkurt dhe të merren vendime që janë të domosdoshme. Me normalizimin e situatës do të normalizohej edhe puna e Kuvendit”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.