KMDLNj: Serbia po bën presion me arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka vlerësuar se arrestimi i qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe nën akuzën se ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po bëhet me vendime politike për të ushtruar trysni.
Për arrestimin e Blerim Ramadanit, ky këshill ka thënë se shpreson që të lirohet sa më shpejtë “por se kjo nuk është zgjidhje”.
“Arrestimi i djeshëm i Blerim Ramadanit në Maqedoni të Veriut nuk ishte rasti i parë dhe, deri më tani asnjë shqiptar i arrestuar nuk është ekstraduar në Serbi sikur që as Ramadani nuk do të ekstradohet”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas këtij reagimi, KMDLNj-ja ka thënë se Kosova duhet të angazhohet maksimalisht për të siguruar mbrojtje ligjore për të arrestuarit “sikur edhe përkrahje të plotë për familjarët e të arrestuarve”.
“Tash po del se ato lista janë përcjellë në Interpol andaj edhe po arrestohen siç ishte rasti i Blerim Ramadanit. Më parë në bazë të fletarresteve nga Serbia ishin ndaluar – arrestuar kryeministrat Haradinaj dhe Çeku, deputetë të Kuvendit të Kosovës, aktivistë sindikalë, politikë etj. KMDLNj shpreson se Ramadani do të lirohet shpejt, por se kjo nuk është zgjidhje derisa janë ato lista që kërcënojnë çdo ish-ushtar të UÇK-së apo person që Serbia kërkon arrestimin e tij”, është thënë në këtë reagim.
Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani për momentin ndodhet në Gjykatën Penale ku pritet të merret vendimi për lirimin ose dërgimin në paraburgim ekstradues. Komisioni në të cilin merr pjesë edhe prokurori i krimit të organizuar do të vlerëson ligjshmërinë e fletarrestit të lëshuar para disa viteve me kërkesë të Serbisë tek Interpoli. Në prani të Ramadanit ndodhet mbrojtja e tij ligjore dhe ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja