KMDLNj shpreson që nesër të lëshohen pagat për mësimdhënësit

04 tetor 2022 | 17:06

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me mosdhënien e pagave për mësimdhënësit grevistë për muajin shtator.

KMDLNj shpreson që nesër të lëshohen pagat për mësimdhënësit.

“KMDLNj edhe më herët është deklaruar kundër ndalimit të pagës ndaj atyre që bënë grevë e që është në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, ka theksuar KMDLNj.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave, deri sot nuk ka bërë procedimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator. Arsyetimi i ministrit të Financave është se pagat nuk do të procedohen për grevistët kurse ministrja e MASHT- thotë se komunat nuk i kanë dorëzuar listat në Thesar duke i vënë përgjegjës zyrtarët komunalë në ndërkohë që qeveria e Kosovës, në të gjitha nivelet mbanë qëndrim se pagat nuk do të paguhen për mësimdhënësit kurse, punëtorët e administratës në komunen e Prishtines, ndonëse bënë grevë, kanë marrë rrogat e plota për muajin shtator. Në shumë prononcime KMDLNj është deklaruar se greva ka qenë e shmangshme për ta zgjidhur problemin përmes një marrëveshjeje të negociuar gjë që qeveria nuk e ka bërë duke konsideruar kërkesat e SBASHK- ut si shantazh dhe haraç e që nuk ka të bëjë fare me realitetin. Ndonëse KMDLNj ka pasur rezerva për këtë grevë, në anën tjetër e njeh dhe pranon të drejtën e grevës, si e drejtë elementare e njeriut dhe, në rastin konkret SBASHK- u ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin që e ka e që është në përputhshmeri të plotë me ligjet e zbatueshme në Kosovë që garantojnë pavarësinë e plotë të organizimit dhe veprimit sindikalist. Në këtë kontekst KMDLNj ka përkrahur SBASHK- un duke kërkuar që qeveria e Kosovës, në asnjë mënyrë të mos ndërmerr veprime hakmarrëse kundër grevistëve sikur që të ndërpresë fushatën linçuese, të pashembulltë për një shtet demokratik kundër drejtuesve të SBASHK- ut dhe kryetarit të saj, Rrahman Jasharaj. KMDLNj edhe më heret është deklaruar kundër ndalimit të pagës ndaj atyre që bënë grevë e që është në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut për raste të njëjta ndërkaq që vendimet e GJNDNJ në Strasburg janë mbi kushtetutat e vendeve anëtare të kësaj Gjykate. Arsyetimi cinik dhe i pamoralshëm se SBASHK duhet të kompensojë grevistët, nga disa organizata klienteliste të shoqërisë civile apo individëve që e kanë buxhetin vjetor sa i tërë buxheti i SBASHK- ut, gjatë një viti kalendarik, është kërkesë skajshmërisht e pamoralshme dhe qëllimkeqe e që nuk kontribuon në tejkalimin e situates. KMDLNj kërkon që të gjindet një mënyrë për kompensim të orëve të humbura ndonëse ky kompensim do të hasë në kundërshtim sikur që ishte edhe herave tjera. Mospagesa e pagave për mësimdhënësit është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim të plotë me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për këto tē drejta. Pa asnjë dyshim se Gjykatat do të marrin vendim ne favor të grevistëve që në rastin konkret, padrejtësisht dhe brutalisht po penalizohen nga institucionet për një aktivitet të ligjshëm sindikalist. KMDLNj pati bërë ftesë publike SBASHK- ut që , si shenjë e vullnetit të mirë ta ndërpresë grevën pavarësisht qëndrimit të qeverisë. Pasi u ndërpre greva, qeveria po vazhdonë të tregojë muskuj ndaj atyre që ua kanë mësuar shkrim – leximin, duke i luftuar me uri. KMDLNj pret dhe shpreson që qeveria e Kosovës nesër të procedoj me pagat për muajin shtator për mësimdhënësit , në të kundër do të bartë përgjegjësi të plotë për destabilizim eventual të situatës dhe shkelje të drejtave të njeriut. Edhe nëse qeveria e Kosovës këmbëngul në vazhdim të luftës kundër sindikalistëve, KMDLNj kërkon nga SBASHK – u të mos hyjë në grevë por të bëjë padi individuale në gjykata të rregullta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim…