KMDLNj: Shteti lufton ndotësitë e vegjël, kurse amniston vrasësit e mëdhenj TC Kosova A dhe B
Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka vlerësuar si diskriminues vendimin për ndalimit të hyrjes së automjeteve në Prishtinë.
Në reagimin për medie të këtij këshilli, është thënë se Ministria për Punë të Brendshme, ajo e Mjedisit dhe Komuna e Prishtinës i kanë shpallur luftë ndotësve të vegjël, kurse e ka amnistuar kryendotësin e ajrit në Prishtinë dhe rrethinë, termocentralet Kosova A dhe Kosova B.
“Paralajmërimi i kufizimit apo ndalimit të hyrjes së automjeteve në Prishtinë është diskriminues dhe do të prodhojë kaos në trafik sikur edhe shumë probleme për të punësuarit. Prishtina nuk ka kapacitet të parkingjeve për vendosjen e gjitha veturave në periferi të qytetit e as kapacitet për transportimin e udhëtarëve me autobus nga vendi ku i lënë veturat, deri te vendi i tyre i punës, shkollimit, banimit apo objektet shëndetësore dhe institucionale”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas këtij këshilli, ndarja e veturave sipas numrit të fundit të tabelës në tek dhe çift do të ishte zgjedhje e përkohshme që e mbanë nën menaxhim kaosin e mundshëm në trafik. “Nëse qeveria apo komuna e Prishtinës ua siguron një mundësi alternative për ngrohje, atëherë edhe mund të ndalohet shitja e thëngjillit për ngrohje. Pastaj, nëse i referohemi njohësit më të besueshëm për mbrojtje të mjedisit në Kosovë, z. Luan Shllaku ngrohja me thëngjill është ndotës i papërfillshëm i mjedisit krahasuar me dy ‘vrasësit’ e mjedisit në Prishtinë dhe më gjerë. Termocentralet Kosova A dhe B dhe cilësia e dobët e karburanteve, veturat dhe mjetet e tjera të transportit që për këtë arsye emetojnë gazra helmues shumëfishë mbi vlerat e lejuara”, është bërë me dije në reagimin e KMDLNj-së.