KMDLNj: Standardet e dyfishta të drejtësisë ndaj Lirim Mehmetajt
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj ftesës që Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
“Gazetari i gazetës ‘Albanian Post’, Lirim Mehmetaj është ftuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë si i dyshuar për veprën penale: ‘nxitje e urrejtjes….’, që është i barasvlershëm me veprën penale në ish Jugosllavi që cilësohej si Propagandë Armiqësore. Me këtë ligj dënoheshin kryesisht shqiptarët dhe kundërshtarët politikë të regjimit komunist të atëhershëm. Gazetari Lirim Mehmetaj bëri hulumtime dhe nxori materiale nga arkiva për ish-bashkëpunëtorët e regjimit jugosllav dhe serb, pasardhësit e të cilëve janë në majat apo institucionet e rëndësishme të regjimit aktual. Prokuroria u tregua shumë e shpejtë në reagim ndaj gazetarit Mehmetaj, pas denoncimit nga një person i paidentifikuar deri më tani në ndërkohë që nuk reagoi fare ndaj trajtimit publik puro racist ndaj gazetarit Mehmetaj nga një ‘analist’ i regjimit, ditë më parë për shkak të prejardhjes territoriale nga vjen Lirim Mehmetaj. Kjo, për KMDLNj- ë është rast tipik dhe flagrant i zbatimit te drejtësisë sipas standardeve të dyfishta dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, në përgjithësi dhe lirinë e shprehjes së mendimit, në veçanti”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së, duke theksuar se ky rast është përpjekje që përmes frikësimit me pasoja ligjore të heshtet e kaluara, e vërteta dhe çdo mendim kritik.
“Nëse Prokuroria e merr si pikë referuese rastin Mehmetaj si vepër penale: ‘urrejtja dhe përçarja ….’, atëherë gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kabineti qeveritar dhe, së paku 8- 10 analistë do të duhej të ftohen nga kjo Prokurori për vepra shumë më të rënda. Mjafton të përcillen debatet televizive dhe postimet në Facebook si dhe në portale të shumta pas së cilave një Pavijon i Burgut në Dubravë do të rezervohej për këto raste. Me këtë rast dhe me këtë reagim, KMDLNj kundërshton fuqishëm zbatimin e standardeve të dyfishta ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj duke e konsideruar si përndjekje të motivuar politikisht dhe kombëtarisht për t’ia pamundësuar hulumtimin dhe bërjen publike të së vërtetës për një të kaluar kompromituese të një pjese të regjimit aktual”, thuhet në të këtë reagim.
KMDLNj ka theksuar se e sheh si të domosdoshme miratimin e një Ligji të Lusracionit të Figurave Publike për t’u sqaruar e kaluara dhe për t’iu hequr mundësia që personat e komprometuar politikisht dhe kombëtarisht të bartin poste publike.
“Po të bëhej ky veprim, nuk do ta kishim fare rastin Lirim Mehmetaj. Deti atëherë, mbetjet e riinkarnuara nga e kaluara do të sajojnë këso raste për ta mbajtur peng të kaluarën duke e sajuar të tashmen dhe të ardhmen sipas nevojave të tyre. KMDLNj solidarizohet me Lirim Mehmetajn dhe të gjithë ata ndaj të cilëve zbatohen standardet e dyfishta”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.