KMDLNj: Strategji e gabuar për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë
Reagim i KMDLNj-së
Më 15 janar 2023 u përkujtuan 45 viktima civile të fshatit Reçak që u ekzekutuan nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë më datë 15 janar 1999. Ruzhdi Jashari, në atë kohë e informoi zyrën e KMDLNj-së në Prishtinë për këtë krim të tmerrshëm pa e ditur numrin e saktë të viktimave pasi që ishte informata e parë. Më 16 janar 1999 anëtarë të KMDLNj-së ishin në Shtime afër rrugës për Reçak e cila ishte e bllokuar nga Policia serbe dhe dëgjoheshin të shtëna me armë ndërkaq, e shoqëruar nga policë të shumtë serbë, Danica Marinkoviq kishte dalë në terren për të ndërtuar arsyetim për këtë krim të pashembullt që e bëri shteti serb kundër civilëve shqiptarë. Dëshmitarët që dëshmuan para Tribunalit të Hagës, bashkë me komandantin e Zonës, Shukri Buja, para se të shkonin në Hagë ishin në Zyrën e KMDLNj-së në Prishtinë për konsultime dhe pajisje me dëshmi. Masakra e Reçakut ishte kryer thuaja pa dëshmitarë prandaj ishte e vështirë të sigurohen dëshmitarë okularë dhe të besueshëm për të dënuar kryerësit e krimit. Me kalimin e kohës kjo mundësi po bëhet edhe më e vogël andaj KMDLNj, edhe për këtë por edhe për rastet tjera ka kërkuar që rastet të ndiqen në bazë të përgjegjësisë politike, policore dhe ushtarake, sipas përgjegjësisë komanduese për të gjithë ata që e kanë planifikuar, e kanë urdhëruar apo nuk e kanë penguar krimin e që e kanë pasur atë mundësi por edhe detyrim. Tash, në mungesë po ndiqen 18 persona, policë dhe serbë lokalë e që nuk garanton drejtësi për viktimat për faktin se kryesorët nuk janë të qasshëm për drejtësinë ndërsa gjykimi në mungesë, nga aspekti i të drejtave të njeriut është lehtë i cenueshëm. Bartësit e posteve kryesore, kryeministri, presidentja dhe kryekuvendari premtuan drejtësi për viktimat që, në rrethana aktuale është shumë e vështirë të materializohet aq më parë që janë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar të hapë çështje të ndjeshme sikur që janë krimet e luftës. Në këtë përkujtim të Masakrës së Reçakut, politikanët e bënë punën e tyre duke bërë përpjekje ta marrin kurorën e lavdisë ndërsa, më të merituarit që e bënë luftën, ish-luftëtarët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe heronjve të kombit si dhe të viktimave civile të luftës mbetën në margjina. Madje, për luftën në atë kohë nuk mund të flasin politikanët që, për shkak të moshës apo bindjeve politike nuk ishin pjesë e luftës, qoftë edhe si spektatorë por duhet të flasin ata që e bënë luftën e që në këtë përkujtim ishin shpërfillur nga politika. Nëse është i vërtetë pohimi i disa portaleve se teksti i kryetarit të Reçakut ishte redaktuar duke mos lejuar të përmenden emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Nasim Haradinajt, Hysni Gucatit dhe Salih Mustafës, dhe se edhe UÇK-ja duhet të mos përmendet, e këto ishin edhe pohimet e shoqatave të dala nga lufta atëherë KMDLNj propozon që këto manifestime të ndërpriten në mënyrë që të mos manipulohen dhe keqpërdoren nga askush, për qëllime politike dhe të tjera. KMDLNj, edhe më herët pati propozuar që të mbahet një manifestim Qendror, Dita e Përkujtimeve në nivel vendi që do të ishte një Orë e Historisë ku nxënësit, studentët dhe qytetarët do t’i vizitonin vendet ku prehen në përjetësi krijuesit e lirisë dhe të këtij shteti që e kemi, ashtu si e kemi. Fjalën kryesore do ta kishin bartësit e luftës, viktimat dhe kategoritë e dala nga lufta ndërsa politikanët, cilitdo qofshin ata, do ta kishin një prani dhe rol simbolik.
Kosova, në planin e hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës duhet të insistojë në ndjekjen në bazë të përgjegjësisë komanduese politike, policore dhe ushtarake e jo të merret me raste të izoluara, vështirë të dëshmueshme prandaj edhe kemi aq pak të dënuar për krime lufte.
KMDLNj po e vëren një zbutje të qëndrimeve në këmbënguljen për gjykimin e krimeve të luftës dhe ka frikë se për shkak të përshtatjes së rrethanave, shumica e viktimave do të pamundësohen të realizojnë njërën ndër të drejtat elementare të njeriut, të drejtën për drejtësi dhe për t’u informuar që janë edhe dy shtyllat e Drejtësisë Tranzicionale në kohën kur jemi afër hartimit të Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale. Sipas të drejtës ndërkombëtare, krimet e luftës nuk mund të falen e as të vjetërsohen por, një marrëveshje ndërkombëtare politike i relativizon ato shumë duke i shndërruar në “falje të heshtur”. A po ndodhë kjo në Kosovë?!