KMDLNj: Të hetohen gradimet dhe degradimet në Shërbimin Korrektues të Kosovës
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar që të hetohen gradimet dhe degradimet në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Sipas KMDLNj-së, SHKK-ja përkundër ndërhyrjeve politike të vazhdueshme, që nga përfundimi i luftës deri më tani, megjithatë ka arritur të konsolidohet duke bërë një punë të mirë në radhë të parë duke iu falënderuar personave të privuar nga liria që në aspektin social kanë qenë bashkëpunues dhe kryesisht të disiplinuar.
“Kontribut të madh në punën e mirë të SHKK-së kanë dhënë organizatat monitoruese, KMDLNj, QKRMT dhe Avokati i Popullit përkatësisht Komiteti Kombëtar për Parandalimin e Torturues. Kohëve të fundit, SHKK-ja ka pësuar ndryshime rrënjësore shkaku i ndërhyrjes flagrante, joprofesionale dhe të paskrupullt të politikës aktuale përkatësisht të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Drejtësisë që, për pasojë ka pasur gradimin e personave të pamerituar sikur edhe degradimin e kontribuuesve të mëdhenj për mbarëvajtjen e punës së SHKK-së. Disa ish drejtorëve të institucioneve mbajtëse dhe korrektuese iu ishte ndërruar vendi i punës edhe 15 ditë para pensionimit duke i transferuar nga një qytet në një tjetër”, është thënë në reagimin e KMDLNJ-së.
Sipas këtij institucioni, hapja e rasteve të paqena ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore duke ndikuar në vdekjen e tyre të parakohshme siç ishte rasti i të ndjerit Heset Loku.
“Përndjekje e ulët dhe në kundërshtim me moralin minimal profesional ishte bërë ndaj ish kryeinspektorit të Burgjeve të Kosovës, ish të burgosurit politikë, Ylber Topallit me motive ekskluzivisht politike. “Pas suspendimit nga puna, pa asnjë mbështetje ligjore, Gjykata mori vendim që ai të kthehet në punë. Megjithatë, përkundër vendimit të Gjykatës, Ylber Topalli nuk u kthye në vendin e mëparshëm të punës shkaku se ky vend është ruajtur për një person të besuar të strukturave politike. KMDLNj -ë, mbështetur në informatat e besueshme brenda këtij Shërbimi e thotë se posti i kryeinspektorit të Burgjeve të Kosovës është rezervuar për një person profesionalisht të hendikepuar, moralisht të kompromituar,që më parë, për shkak të hetimeve të brendshme të hapura shkaku i shkeljeve disiplinore dhe jo vetëm disiplinore nuk ka mundur të pajiset me certifikatën e sigurisë nga institucionet e autorizuara. Ky person nuk ka pasur përvojën e duhur menaxheriale për poste të larta dhe është pritur ta plotësojë këtë kusht për t’u zgjedhur në këtë post përmes një konkursi që do t’ i përshtatet. Ka qenë aktiv në denoncimin e kolegëve që i ka konsideruar si kandidatë që mund ta rrezikojnë në karrierë. KMDLNj e ka të njohur emrin e këtij personi, skajshmërisht të dëmshëm për SHKK të Kosovës por, gjithashtu skajshmërisht të dëgjueshëm për strukturat politike aktuale”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së, duke theksuar se për këtë arsye KMDLNj kërkon auditim të pavarur dhe hetime të rasteve të gradimit të shpejtë brenda SHKK-së si dhe diskriminimit përmes degradimit të kuadrove të merituara brenda këtij shërbimi. “Rasti i ish Kryeinspektorit të Burgjeve, Ylber Topalli është ekzemblar i trajtimit diskriminues i motivuar ekskluzivisht politikisht”, është theksuar në fund të reagimit të KMDLNj-së.