KMDLNj, Thaçit: Mos e dekretoni gjyqtarin Radomir Laban
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi të mos e dekretojë Radomir Laban, i cili është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan dy kandidatë të komunitetit joshumicë, ndërsa refuzuan të gjithë kandidatët shqiptarë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e që për KMDLNj-në paraqet ‘non sens’ të llojit të vet, u ngrenë dyshime për të kaluarën e z. Laban i cili, sipas disa medieve të Serbisë, ka të kaluar kriminale dhe qenka dënuar për krim të organizuar. Për rastin në fjalë KMDLNj mendon se është lëshim i atyre që është dashur ta bëjnë verifikimin e së kaluarës të çdo kandidati që ka konkurruar për pozitën e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese aq më parë që nuk mund t’iu besohet kandidatëve për të kaluarën e tyre”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së, nëse rasti Laban është përtej dyshimeve të shprehura në media dhe dëshmohet e kaluara e tij, e cila është në shpërputhje me postin e synuar dhe për fat të keq të votuar nga deputet të papërgjegjshëm, Llaban jo që nuk duhet të dekretohet si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por ndaj tij duhet të fillojnë hetimet për paraqitje të pavërtetë të fakteve, fshehje të së vërtetës dhe falsifikim të dokumenteve. “Andaj, z. president Thaçi, KMDLNj kërkon nga ju, si autoritet që vendosë për dekretimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të mos e nënshkruani dekretimin e z. Laban deri sa përfundimisht të mos sqarohet e kaluara e tij, pas një verifikimi i cili doli të jetë i mangët për rastin konkret”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
/Epoka e re/