KMDLNj thërret për protestë të qetë të veteranëve të UÇK-së
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka thënë se protesta e nesërme (e enjte) e veteranëve të UÇK-së është plotësisht e drejtë dhe paraqet përpjekje për mbrojtje të drejtave të njeriut të kësaj kategorie që kohëve të fundit përveç shpërfilljes institucionale nga përfaqësuesit e institucioneve janë duke u fyer dhe stigmatizuar.
Më tutje, KMDLNj-ja ka bërë thirrje që protesta të jetë e qetë.
“KMDLNj-ja do të monitorojë nesër protestën e paralajmëruar të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpreson se kjo protestë krejtësisht e drejtë dhe e arsyeshme do të jetë paqësore duke përjashtuar çdo lloj dhune nga cilado palë dhe, në të njëjtën kohë thërret palët që t’i përmbahen rregullave të një proteste paqësore e që është rregulluar me ligjet në fuqi në Kosovë. Çdo përdorim i dhunës nga cilado palë për KMDLNj-në do të jetë e papranueshme dhe, si e tillë nuk do të përkrahet”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
KMDLNj THËRRET PËR PROTESTË TË QETË TË VETERANËVE TË LUFTËS
Për shkak të mospërfshirjes në Ligjin për pagën minimale, shoqatat e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar se të enjten, përkatësisht me datë 16 qershor 2022 do të organizojnë një protestë në kundërshtim të një padrejtësie flagrante që iu bëhet pasi deputetët e pozitës miratuan në lexim të parë këtë ligj në Kuvendin e Kosovës me datë 14 qershor 2022.
KMDLNj-ja edhe më herët ka përkrahur kërkesat e drejta të veteranëve të luftës që të përfshihen në Ligjin për pagën minimale duke deklaruar se edhe kjo pagë, as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e veteranëve të luftës dhe është në shpërputhje të madhe me situatën e krijuar ekonomike e mos të flasim me kontributin e madh që e kanë dhënë para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë.
KMDLNj-ja edhe më herët ka kundërshtuar numrin e veteranëve por, pasi kjo çështje është duke u trajtuar nga institucionet e drejtësisë, rezervohet nga deklaratat publike. Sido që të jetë, KMDLNj-ja konsideron se protesta e paralajmëruar e veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është plotësisht e drejtë dhe paraqet përpjekje për mbrojtje të drejtave të njeriut të kësaj kategorie që kohëve të fundit përveç shpërfilljes institucionale, nga përfaqësuesit e institucioneve që duhet t’i mbrojnë, në mënyrën më brutale dhe më të panjerëzishme po fyhen, po stigmatizohen duke anashkaluar dhe mohuar kontributin e tyre të pamohueshëm për liri dhe çlirim të Kosovës.
Nuk ka më përulje dhe poshtërim për një shtet nëse veteranët e luftës i trajton me një ndihmë sociale prej 170 eurosh që realisht është shuma me të cilin mbushet një rezervoar me karburante me çmime aktuale të një xhipi apo veture të institucioneve. Përgjegjësia për trajtim jonjerëzor i veteranëve të luftës dhe kontribuesve tjerë për liri dhe çlirim të Kosovës nuk është vetëm i kësaj qeverie por i të gjitha qeverive paraprake e që kjo qeveri, me mospërfshirjen në Ligjin për pagë minimale i ka vënë kapakun e diskriminimit.
KMDLNj-ja do të monitorojë nesër protestën e paralajmëruar të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpreson se kjo protestë krejtësisht e drejtë dhe e arsyeshme do të jetë paqësore duke përjashtuar çdo lloj dhune nga cilado palë dhe, në të njëjtën kohë thërret palët që t’i përmbahen rregullave të një proteste paqësore e që është rregulluar me ligjet në fuqi në Kosovë. Çdo përdorim i dhunës nga cilado palë për KMDLNj-në do të jetë e papranueshme dhe, si e tillë nuk do të përkrahet.
KMDLNj-ja gjithashtu e thekson se sulmet ndaj Listës Serbe pse ka votuar për këtë ligj janë të paarsyeshme dhe në kundërshtim me ligjin për faktin se si deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë mandat të votojnë në përputhje me vullnetin, përcaktimin dhe interesin politik që e kanë!
Është çështje tjetër se lojalitetin e tyre, si politikanë, deputetë dhe votues ia kanë besuar Serbisë për të cilën botërisht janë deklaruar se shteti i tyre është Serbia, se president i tyre është Aleksandër Vuçiq dhe jo Vojsa Osmani dhe se kryeministër e kanë Bërnabiqin e jo Albin Kurtin. Së paku, janë të sinqertë!