
KMDLNj thërret qytetarët të kundërshtojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike
ZRrE, një ndërmarrje e strukturuar keqbërëse e informoi opinionin se operatorët e energjisë elektrike: KEDS, KOSTT dhe KESCO kanë bërë kërkesë që në kuadër të rishikimit të çmimit të energjisë elektrike të pranojnë kërkesën që nga 1 prilli 2025 çmimi i energjisë elektrike të rritet për 30 përqind. Më parë rritja e çmimit të energjisë elektrike bëhej thuaja ilegalisht dhe mbulohej me një lojë me tarifa që nuk kuptohej nga ana e qytetarëve të Kosovës deri të kalonte vala e parë e pakënaqësisë. ZRrE është një ndërmarrje e strukturuar kriminale që ishte mbrojtur nga të gjitha qeveritë përkundër faktit se thuaja mbi 15 përqind kishte diskriminuar konsumatorët ekskluzivisht në baza etnike duke liruar serbët nga pagesa e faturave për rrymën e shpenzuar sikur që kishte ngarkuar konsumatorët shqiptarë dhe joserbë me fatura për rrymën që nuk e kishin shpenzuar përkatësisht përmes hajnisë klasike i dëmtonte konsumatorët. Përkundër vendimit të gjykatës, konsumatorët nuk ishin kompensuar për paratë e vjedhura nga ZRrE e as nga qeveritë e Kosovës.
Paralajmërimi i ZRrE-së për kërkesën e operatorëve të energjisë elektrike për rritje të çmimit të energjisë elektrike është përgatitje e konsumatorëve se rryma do të shtrenjtohen mbase më pak se 30 përqind e që sipas KMDLNJ-së është kontribut konkret për rritje të varfërisë në Kosovë e që për ndrikull e ka qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë përkatëse. Qeveria e Kosovës po e luan lojën e ndyrë, në vend se të mbrojë interesat e qytetarëve, po i mbronë interesat e operatorëve të energjisë elektrike. Këtë nuk e ka bërë para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 por vetëm pasi ato kanë përfunduar.
KMDLNj kundërshton çdo rritje të çmimit të energjisë elektrike aq më parë që nuk ka asnjë rrethanë që e arsyeton këtë rritje përveç interesit të oligarkëve qeveritarë, konsumatorëve të privilegjuar, operatorëve të energjisë elektrike dhe strukturës kriminale të ZRrE-së. Qeveria në detyrë do të provojë të zbusë reagimin e qytetarëve përmes subvencionimit dhe tarifave mashtruese sikur që ka bërë deti më tani. KMDLNj-ë thërret qytetarët që fuqishëm të kundërshtojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike shkaku se do të prodhojë efekte zinxhirore duke provokuar rritjen e çmimeve të gjithë artikujve të domosdoshëm për mbijetesë dhe shërbimeve. Do të dëmtojë edhe pjesën dërrmuese të bizneseve sikur që do të rrezikojë përmbajtësisht shtresat më të cenueshme të shoqërisë, pensionistët dhe përfituesit e skemave sociale. Qytetarët duhet të kundërshtojnë këtë rritje të vazhdueshme të energjisë elektrike duke protestuar para të gjitha adresave që kanë përgjegjësi për këtë shtrenjtim.
Është e pamundur të flitet për respektim të drejtave të njeriut në kohën kur me këto shtrenjtime jonormale po ulet cilësia e jetës dhe po shembet shëndeti social i pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës nga ata që kanë mandat t’i mbrojnë këto interesa.
Kur shteti dështon, qytetarët duhet të mbrojnë vet të drejtat e tyre përmes protestave dhe kundërshtimeve tjera paqësore dhe demokratike.
25 shkurt 2025, Shërbimi për Informim i KMLDNj-s.