KMDLNj: Votat nga diaspora mund t’i mbrojë vetëm KQZ-ja, mos i bëni presion

11 shkurt 2021 | 16:24

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka njoftuar se i janë drejtuar shumë qytetarë nga shtete të ndryshme, duke u ankuar se nuk janë thirrur në telefon për verifikim për votim.

“KMDLNj përgëzon KQZ-në për punën e mirë që e ka bërë në organizimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 dhe dëshiron që ky proces të përfundojë sa më mirë që të jetë e mundur dhe me sa më pak probleme e kundërshtime në mënyrë që të krijohen kushtet që sa më shpejtë të formohen institucione e Kosovës e që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve”, ka njoftuar KMDLNj.

Njoftimi plotë i KMDLNj-së:

KMDLNj-së i janë drejtuar shumë qytetarë nga shtetet e ndryshme të Evropës me ankesë se nuk janë thirrur me telefon për verifikim apo se brenda një familjeje prej 6 anëtarëve me të drejtë vote, janë thirrur vetëm dy anëtarë ndërsa 4 të tjerë nuk janë thirrur.

Qytetarët e Kosovës që jetojnë përkohësisht në shtetet tjera e që janë shtetas të Kosovës sikur edhe ata që e kanë dyshtetësinë kanë kërkuar që e drejta e tyre për të votuar të mbrohet sikur edhe të mbikëqyret në rast se ka dyshime për mohim të kësaj të drejte.

Në këtë kontekst, KQZ-së, si autoritet me mandat kushtetues për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 ka dhënë zotime publike se asnjë votues, pavarësisht se ku jeton e që i plotëson kushtet ligjore për të votuar, do të votojë dhe në asnjë rast nuk do t’i mohohet e drejta për votim, si e drejtë e njeriut e që garantohet me ligjet e zbatueshme në Kosovë dhe KMDLNj nuk dyshon aspak në profesionalizmin dhe korrektësinë e KQZ-së.

KQZ-së, deri më tani në mënyrë shembullore i ka organizuar zgjedhjet në Kosovë falë korrektësisë dhe bashkëpunimit të gjithë anëtarëve të KQZ-së, që përfaqësojnë të gjitha subjektet politike.

Moscertifikimi i disa kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje nga radhët e LV-së, AAK-së dhe Nismës ka nxitur shumë reagime të këtyre subjekteve politike dhe votuesve të mundshëm duke e nisur një kampanjë linçimi ndaj anëtarëve të KQZ-ë që kanë pasur tjetër qëndrim kurse pjesa më e madhe, krejtësisht padrejtësisht është drejtuar kundër kryetares së KQZ-së, znj. Valdete Daka.

Kontribut të madh për ngritjen e tensioneve ka dhënë Zyra për Regjistrim të Partive Politike me një kërkesë kontraverse e që u rrëzua nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Gjykata Supreme e Kosovës mori parasysh ankesat e subjekteve politike me ç’rast urdhëroi që disa kandidatë të kthehen në lista të rregullta për votim, me të gjitha të drejtat që i kanë kandidatët e certifikuar më parë kurse, për një numër të kandidatëve dha përgjigje negative. Është interesant se subjektet politike reaguan sipas standardeve të dyfishta, pranuan certifikimin e atyre që Gjykata Supreme iu dha të drejtë kurse refuzuan rastet kur po kjo Gjykatë ktheu përgjigje negative.

Të gjithë anëtarët e KQZ-së, pavarësisht subjektin politik që e përfaqësojnë janë të detyruar të punojnë sipas Ligjit për zgjedhje sikur që e kanë obligim ta respektojnë dhe zbatojnë vendimin e gjykatës kompetente e që në rastin konkret nuk ishte ashtu.

Kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, në KQZ-së është e para në mesin e të barabartëve dhe fuqia e votës së saj është e barabartë me fuqinë e votës së çdo anëtari tjetër të KQZ-së që nënkupton se në asnjë rast vota e kryetares nuk është përcaktuese për marrje të vendimit për shkak të pozitës që e ka.

Për sulmet që janë bërë ndaj kryetares së KQZ-së ka pasur reagime të fuqishme, si të vendorëve ashtu edhe të ndërkombëtarëve duke e cilësuar, me plotë të drejtë si sulm dhe përpjekje për ndërhyrje në punën e një institucioni të pavarur siç është KQZ-së.

Për sulmet që i janë bërë KQZ-së dhe kryetares, znj. Valdete, Prokuroria e Shtetit duhet të nisë hetimet në mënyrë që të mbrohet pavarësia e punës së KQZ-së dhe të sigurohen kushtet që procesi zgjedhor dhe ai pas zgjedhjeve të zhvillohet normalisht dhe në përputhje me Ligjin. KQZ-së nuk është vend ku bëhet fushatë por është vendi ku menaxhohet procesi zgjedhor, në të gjitha fazat e saj dhe se të gjithë anëtarët e KQZ-së, pavarësisht kë e përfaqësojnë duhet të punojnë në përputhje me Ligjin dhe betimin e dhënë.

Ka me mijëra monitorues të pavarur që janë certifikuar nga KQZ –ë dhe të cilët me punën e tyre kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë dhe korrektësi prandaj edhe nuk do të lejojnë që vota e askujt të keqpërdoret apo dikujt që i ka plotësuar kushtet ligjore t’i mohohet e drejta për të votuar. Çdo subjekt politik ka me mijëra vëzhgues që, përveç se e mbrojnë votën e subjektit që e përfaqësojnë, kanë mundësi t’i denoncojnë edhe shkeljet nga subjektet tjera.

Gjithashtu, këto zgjedhje i monitorojnë edhe ekspertë ndërkombëtarë si dhe përfaqësues të ambasadave, prandaj mundësia për manipulim është shumë e vogël. Për çdo shkelje eventuale dhe mohim të së drejtës për të votuar janë adresat disashkallëse që i shqyrtojnë ankesa dhe që marrin vendime. Rasti më i mirë është lejimi i pjesëmarrjes në zgjedhje i kandidatëve për deputetë: Liburn Aliu, Labinotë Demi – Murtezi, Shemsedin Dreshaj dhe të tjerë.

KMDLNj përgëzon KQZ-në për punën e mirë që e ka bërë në organizimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 dhe dëshiron që ky proces të përfundojë sa më mirë që të jetë e mundur dhe me sa më pak probleme e kundërshtime në mënyrë që të krijohen kushtet që sa më shpejtë të formohen institucione e Kosovës e që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve.

KMDLNj uron të gjitha subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje që ta bëjnë një garë të drejtë, të realizojnë të drejtën ligjore dhe njerëzore për të votuar sipas bindjes dhe pa presion dhe votuesi është ai që e ka fjalën e fundit.

Për gjitha këto duhet një bashkëpunim kolegial i të gjithë anëtarëve të KQZ-së, të ruhet qetësia e jo që të ngritën tensionet e panevojshme dhe të kundërligjshme.

KMDLNj beson në profesionalizmin dhe korrektësinë e të gjithë anëtarëve të KQZ-së si dhe kryetares, znj. Valdete Daka ndaj të cilës është bërë një sulm i orkestruar, i panevojshëm dhe i kundërligjshëm .

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkrimtarja e gazetarja Alketa Gashi Fazliu ka nxjerrë nga shtypi…