KMShK-ja shënon 12-vjetorin e themelimit
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka shënuar të enjten 12-vjetorin e themelimit.
Në fjalën e tij hyrëse, Nehat Islami, drejtor ekzekutiv i KMShK-së, ka thënë se Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës mbron qytetarin nga shkrimet joetike dhe të pavërteta, si dhe gazetarët nga akuzat e pabaza që mund të vijnë.
“Ajo që vlen të theksohet në veçanti është se Kodi i Mediave mbron qytetarin dhe gazetarin duke mbajtur lart prestigjin profesional. Shtimi i numrit të ankesave për dyzetë herë në krahasim me vitet e para, tregon se ai tani është më i besueshëm”, ka thënë Islami.
Dinka Zivalj, shefe e sektorit për komunikim dhe zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Kosovë, ka uruar KMShK-në për shënimin e 12-vjetorit, duke thënë se është e rëndësishme që mediat të marrin rolin kryesor për të ndaluar gjuhën e urrejtjes, lajmet e rreme, dhe propagandën.
Ndërkaq Marina Tuneva, drejtoreshë e Këshillit të Mediave të Shkruara të Maqedonisë, e cila foli në emër të projektit “Ndërtimi i Besimit në Media në Europën Juglindore dhe Turqi”, ka theksuar se po mbështesin mekanizmat llogaridhënës të mediave, pasi ata luajnë rol kryesor në ngritjen e standardeve profesionale dhe etike, duke i bërë bashkë lexuesit, publikun dhe mediat.
Balazs Weyer, anëtar i Bordit të Aleancës së Këshillëve të Pavarur të Mediave të Evropës, duke folur për besimin e publikut në lirinë e mediave, shtoi se: “Liria e mediave nuk është vetëm formalitet. Nuk ka të bëjë vetëm me ligjet dhe rregullimin. Liria është e rrënjosur thellësisht në besimin e publikut. Ky besim është rrjedhë për lirinë e mediave dhe cilësinë e tyre, sepse kur nuk ka besim, nuk ka rëndësi se çfarë shkruajmë dhe publikojmë”.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin përfaqësues të Aleancës së Këshillëve të Pavarur të Mediave të Evropës dhe Këshillëve të Mediave të rajonit, diplomatë, përfaqësues të BE-së në Kosovë, përfaqësues të OSBE-së, përfaqësues të organizatave që merren me media, si dhe gazetarë e redaktorë të mediave.