Koalicionet normale dhe jonormale për zgjedhjet e 9 shkurtit

25 shtator 2024 | 13:44

Behxhet Sh.  SHALA-BAJGORA

Të gjithë fitues, kush do të jetë i dyti: Fushata zgjedhore ka filluar edhe para ditës së shpalljes së zgjedhjeve. Aderime nga një parti në tjetrën i bënë në konferenca për media ndonëse të aderuarit ishin bateri të zbrazura në “partinë nënë” dhe në partinë e re kaluan si skrap, material i pareciklueshëm dhe i dëmshëm për mjedisin. Aleanca e Ramushit mblodhi më së shumti të tillë e që i mbështollën me emra të mëdhenj që në Kosovë ka pak si p.sh. “Forumi i intelektualeve…” dhe limonata tjera. PDK-ja, kryesisht merrej me diasporën, pa rekrutuar ndonjë emër të madh, së paku deri më tani. As LDK-ja nuk pati aderime domethënëse të kësaj bote, vota po kërkon nga varri dhe përmendoret. Nga varri i gjallë që quhet Vojsa Osmani dhe nga votat nga varri i Ibrahim Rugovës. Sikur edhe nga përmendoret e Rugovës që po mbijnë aq kohë sa e kërkon politika apo sa zgjatë nevoja për vota. LV-ja po “dobësohet” shumë me largimin e Vojsa Osmanit, në fakt ajo nuk u largua por u përzë nga Albin Kurti, ekzekutori mizor i të gjithë kundërshtarëve politikë që i ka apo i duken të tillë sipas dioptrisë antikombëtare të Dejona Mihalit, udbashes së LV-së. Në anën tjetër, LV-ja u “forcua” shumë pasi i konfirmuan “besnikërinë”, më mirë të them llaskucërinë Donika Shvarc  – Katrani, Faton si Peci, Haxhi Qamili dhe 10 të tjerë që është komplet partia s’GUXO.

Parti tjera që do të garojnë në zgjedhje, të deklaruara deri më sot nuk ka përveç partive të pakicave që pas rezultatit të zgjedhjeve përcaktohen se kujt i mbajnë zhagun.

Realisht, LV-ja konsiderohet parti fituese, vetëm përqindja diskutohet. Sipas “eruditëve” të LV-së, Halil Thaçit, Dimal Bashës, Mef Bajçinovcit dhe dinosaurve injorantë të kësaj partie, pa votat e diasporës kjo parti i fiton mbi 50 për qind kurse, me votat e diasporës i fiton mbi 150 për qind. Thonë se kufijtë e mençurisë janë të dukshëm dhe të matshëm, kurse të budallakisë nuk kanë kufij dhe nuk mund të maten. Për këtë arsye LV-ja nuk ka nevojë për koalicione, e formon qeverinë vet, me pakica dhe shokun e Mimozës, Radojiçiqin. Edhe LDK-ja deklarohet se i fiton zgjedhjet, e formon qeverinë me kryeministër Lumin e Xhikës dhe se nuk bënë koalicion me askënd, pa Lumin kryeministër dhe me ata që ecin “Rrugës së Vjetër” e jo  “Rrugës së Re”. Mashtrim optik, asgjë tjetër.

Edhe PDK-ja del se i fiton zgjedhjet me Bedri Hamzën kryeministër. Gjithashtu nuk pranon asnjë koalicion pa Bedriun kryeministër.  Kanë të drejtë ta shfrytëzojnë lirinë e fjalës dhe të shprehjes.

Koalicioni AAK-NISMA thotë se do të jenë befasi e zgjedhjeve, se çfarë nuk dihet. Ende nuk kanë kandidat për kryeministër.

Rezultatet reale: LV-ja fiton zgjedhjet, por as në ëndërr 50 për qind. Mund të hidhërohen shumë Halili, Dimali apo edhe trashëgimtari jotrim i trimit Bel Bajçinovci, por baza reale e votuesve të LV-së nuk e kalon 25 për qind. Të gjitha votat mbi këtë përqindje mund të jenë për shkak të opozitës së vdekur klinikisht apo një populizmi patriotik. Realisht, populizmin, LV-në e ka përsosur, ndërsa me patriotizmin nuk kanë asgjë të përbashkët, që nga kreu e deri te fundi. LV-ja e ka argument kryesor veriun e Kosovës, sovranizimin e kësaj pjese dhe për analfabetët funksionalë, karshillëku ndaj ndërkombëtarëve është arma bërthamore e tyre aq më parë që kjo paraqet shpagim për ata që kanë mungesë patriotizmi dhe njohurive politike.  Që nga koha e Pirros nuk ka pasur qeveri më të dobët, më të korruptuar, më mashtruese, më rrence, më antikombëtare dhe me mungesë të kompetencës politike dhe diplomatike se kjo e sotit. Përjashtim bën Ministria e Arsimit që udhëhiqet nga një ish-analfabete dhe një veteriner aktual. Thashë ish-analfabete për faktin se nga burimet e sigurta kam mësuar se Arbërie Nagavci ka shënuar përparim të madh, i dinë thuaja 70 për qind të shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe, ndërkaq zëvendësministri i kësaj ministrie, veteriner me profesion thonë se i di 30 për qind të shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe e që nënkupton se të dy bashkë i dinë të gjitha shkronjat e alfabetit.  Pasi na llogarisin si kope të deleve, për edukim cilësorë është e domosdoshme që njëri nga drejtuesit e arsimit të jetë veteriner.  Largpamës është Albini! LV-ja paturpësisht ka manipuluar me Bacën Adem Demaçi duke i vendosur përmendoren para kafiterive në Podujevë dhe duke e rajonalizuar dhe margjinalizuar rolin e Bacës. Në vend se të angazhohet që Baca Adem, së pari ta zë vendin në Prishtinë, e degdisën në Podujevë për qëllime politike dhe partiake.  Gjithashtu, kryeministri Kurti kishte ndarë tinëz nga publiku mbi 50 mijë euro për përmendoren e Rugovës në Podujevë e që është vendosur në vendin më të mirë të qytetit.

PDK-ja po gabon që  përmes urbanizimit politik disi po distancohet e të qenit parti e dalë nga lufta e që objektivisht edhe është.

LDK-ja nuk ka bërë asnjë reformë përveç se po investon materialisht në varrin dhe përmendoret e Rugovës, ndërsa partinë e ka bërë klientelë të kryetarit që i ka larguar thuaja të gjithë themeluesit dhe kontribuuesit e partisë duke i zëvendësuar me servilë permanent, mbijetues të të gjitha regjimeve dhe kohërave. Fetishizimi i Rugovës bëhet për përfitime politike dhe karrieriste, jo shkaku i respektit.

AAK-ja ka votues të qëndrueshëm që i sigurojnë të mos marrin në thua të pragut zgjedhor.

Koalicionet: Nëse nuk ka zhvillime të paparashikuara, jam i sigurt se partitë opozitare mund ta fitojnë shumicën parlamentare shqiptare por se kjo nuk garanton se mund ta bëjnë qeverinë, jo shkaku i votavem, por shkaku i postit të kryeministrit. PDK-ja dhe LDK-ja nuk e lëshojnë këtë post, kurse AAK-ja mund të rrisë pazarin sepse është përcaktuese për numrat që mundësojnë formimin e qeverisë. AAK-ja mund të ketë pozicion të fortë negociues edhe me LV-në. Mendoj se AAK-ja e ka pozicionin më të fortë negociues në senduiçin midis LV-së, në njërën anë dhe LDK-së e PDK-së, në anën tjetër.

Po flitet për një koalicion midis LV-së dhe PDK-së për të cilin besoj se humbëse absolute do të ishte PDK-ja. Pariparueshëm humbëse. Do të përçahej partia dhe do të pengohej reforma. Do të përligjej qëndrimi kriminal i LV-së ndaj udhëheqësve të luftës dhe PDK-së që janë të burgosur në Hagë, me një kontribut domethënës të partisë në pushtet. Politikisht do të ishte fat i Titanikut për LDK-në dhe PDK-në nëse bëjnë koalicion me LV-në. Partitë opozitare duhet të mbesin në opozitë për të fituar në zgjedhjet e radhës. Koalicioni i LV-së me njërën parti të madhe opozitare e rehabiliton nga të gjitha të këqijat që i ka bërë kjo parti, në emër të luftës ndaj të këqijave të mëparshme. LV-ja ose duhet të kalojë në opozitë ose duhet lënë që t’i kryejë të gjitha detyrat që i ka marrë nga ndërkombëtarët e që janë rrënuese për këtë parti, e deklaruar kombëtare dhe socialdemokrate, ndërsa në fakt është antikombëtare dhe nacionalsocialiste.

Votat:  LV-ja: 30-35 për qind, kurse LDK-ja dhe PDK-ja jo nën 21 – 22 për qind.  AAK – NISMA do të sillet midis 8.5 – 9.5 për qind. Kjo përqindje varet nga lista e propozuar për deputetë, nëse reciklohen kuadrot e vjetra partiake, të parapaguara për poste dhe pushtet, përqindja ulet. Si shembull e marr PDK-në. Nëse nuk e vendosë në 10 e parë  Pëparim Grudën, nënkupton se nuk respekton dhe vlerëson vlerat që e bënë diferencën në fushën e drejtësisë dhe demokracisë. Kjo vlen edhe për LDK-në. Por , me një siguri mbi 90 për qind e them se listat do të jenë riciklim i zgjedhjeve paraprake. Këtu LV-ja krijon epërsi. Të rrojmë, të mbijetojmë deri në atë kohë e të shohim!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Spanjë e bëjnë të sigurt: Wojciech Szczesny ka pranuar…