“Koalicioni AAK-Nisma do t’i fitojë 18 për qind të votave”
Sekretari i Nisma’s, Bilall Sherifi ka folur për koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai ka thënë se pret që ky koalicion të marrë votat e 18 për qind të votuesve dhe se e kanë këtë potencial, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Pres që nëse ne arrijmë të shtrijmë tek votuesit një platformë të qartë politike besojmë se do të jemi shumë të rëndësishëm në legjislaturën e radhës. Unë pres që të arrijmë rezultatin e sondazheve të vitit 2016, 18 për qind. Demokracia çdo katër vite ta cakton. Potenciali është aty. Se a do të arrijmë ta mobilizojmë potencialin varet nga ne”, shtoi ai.
Ai ka thënë se koalicioni ende nuk ka ndonjë emër, por është bashkim i forcave opozitare dhe ka për qëllim të ndërtojë një alternativë programore e politike dhe të merr sa më shumë besim nga votuesit.
“Ideja për të krijuar koalicion nuk është nga frika por nga dëshira për të përbashkuar disa pjesë që do të përbënin një tërësi më të madhe. Ideja është që përmes këtij koalicioni të krijojmë një front të përbashkët ku do t’i kenë dyert e hapura shumë figura, shumë parti më të vogla, personalitete qendrore e lokale dhe për të garuar me objektiv që të dalim sa më fuqishëm.”, tha Sherifi në DPT te Fidani.
Sherifi tha se ky koalicion ka kohë që të përgatitet mirë që të jetë alternativë serioze.
“Ky front ka për qëllim që të fitojë besimin e zgjedhësve. Në Kosovë duhet të ketë përfunduar një herë e mirë periudha e thirrjes për rrëzime. Pasi ta marrim besimin e qytetarëve të Kosovës vendosim cila do të jetë rruga.”, u shpreh ai.