Koalicioni AAK – PSD ka gjasa të fitojë
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se kjo parti nuk do ta kishte problem kalimin e pragut zgjedhor.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai e ka quajtur banale të mendohet se PSD-ja nuk ka garuar e vetme në zgjedhjet e 6 tetorit meqë ka pasur frikë se nuk mund ta kalojë pragun zgjedhor.
“Në Kosovë do të jenë rreth 750 mijë votues. Për ta kaluar pragun duhen rreth 38 mijë vota. Nëse e përkthejmë në aspektin e komunave që jemi duke dëshmuar qeverisje transparente, luftim të korrupsionit, përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje, si dhe duke pasur parasysh edhe 12 deputetët shumë aktivë që janë marrë konkretisht me tema konkrete e që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve, është banale të mendohet se PSD-ja nuk ka mundësi ta kalojë pragun zgjedhor”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka thënë se për rrethanat në të cilat ndodhet Kosova, arritja e koalicionit AAK-PSD ka qenë e domosdoshme.
“Duke pasur parasysh proceset që pritet të ndodhin në Kosovë dhe nevojën e bashkimit për t’u ballafaquar me këto procese, mendoj se ka qenë zgjidhje e domosdoshme. Ne duhet ta kuptojmë se koalicionet bëhen në raport me rrethanat që i kemi. Edhe në raport me negociatat me Serbinë është e domosdoshme të kombinohen guximi, dija, përgatitja dhe përvoja që Kosova të përfaqësohet në gjendjen më të mirë dhe ta arrijë marrëveshjen”, është shprehur Kastrati. Ai ka thënë se koalicioni AAK-PSD ka potencial të madh për zhvillim shoqëror dhe për proceset e ardhshme në vend. Kastrati ka shprehur optimizëm se ky koalicion do të dalë fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Madje, sipas tij, PSD-ja dhe AAK-ja do të kenë rritje më shumë se 100 për qind.
“Epoka e re”: Z. Kastrati, Partia Socialdemokrate (PSD) vendosi që në zgjedhjet e 6 tetorit të mos garojë e vetme, por në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Si erdhi ky vendim? Patët frikë se nuk do të mund ta kaloni pragun zgjedhor?
Kastrati: Jo, nuk qëndron kjo që jeni duke e thënë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, se vetëm koalicioni apo partia që del e para në zgjedhje e ka mandatarin dhe mundësinë për ta formuar qeverinë, i ka nxitur subjektet politike për të bërë koalicione parazgjedhore. Janë dy arsye pse e kemi bërë një marrëveshje të tillë. E para që të bëhemi bashkë me dikë që ka potencial të dalë subjekti i parë në zgjedhje, e dyta janë proceset që e presin Kosovën. Nuk është interesim i vogël gatishmëria e fuqive ndërkombëtare që të përfundohet çështja në mes të Kosovës dhe Serbisë. ShBA-ja ka emëruar një përfaqësues special për Ballkanin, po ashtu pritet edhe BE-ja ta bëjë këtë si dhe ambasadori rus, që është caktuar në Serbi, është një prej figurave më të fuqishme dhe me ndikim aty. Në një situatë të tillë ne si shoqëri dhe si Kosovë duhet të përkujdesemi që mos t’i kemi përfaqësues në dialog ata të cilët nuk e kanë guximin për të thënë jo edhe për diçka që është e dëmshme për Kosovën. Bazuar në këtë dhe prej përvojës 20-vjeçare, është vetëm Ramush Haradinaj që ka dëshmuar se është i gatshëm të thotë jo nëse diçka është në dëm të Kosovës. Këto janë dy arsyet pse jemi bërë bashkë në një koalicion me potencial për t’i fituar zgjedhjet dhe për të qenë prej subjekteve të ardhshme në qeverisje të cilat do të jenë të përfshira në një marrëveshje potenciale që është historike dhe do të ndikojë për 50 vjetët e ardhshëm për qytetarët në Kosovë dhe për gjithë Ballkanin.
“Epoka e re”: Pra, për PSD-në nuk ka qenë problematike çështja e pragut, siç po thonë ish-bashkëpartiakët tuaj?
Kastrati: Në Kosovë do të jenë rreth 750 mijë votues. Për ta kaluar pragun duhen rreth 38 mijë vota. Nëse e përkthejmë në aspektin e komunave që jemi duke dëshmuar qeverisje transparente, luftim të korrupsionit, përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje, si dhe duke pasur parasysh edhe 12 deputetët shumë aktivë që janë marrë konkretisht me tema konkrete e që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve, është banale të mendohet se PSD-ja nuk ka mundësi ta kalojë pragun zgjedhor.
“Epoka e re”: Si po funksionon në terren ky koalicion dhe cilat janë pritjet tuaja?
Kastrati: Është një prej koalicioneve më komplementare që ka ndodhur në Kosovë. Domethënë, e plotësojnë njëra-tjetrën. Është kombinim shumë i qëlluar. Dikush ka kapacitete, potencial, guxim, dije, e dikush tjetër ka diçka tjetër dhe kur ato bëhen bashkë krijojnë një trup i cili është me potencial të madh edhe për zhvillim shoqëror, por edhe për proceset e ardhshme në vend.
“Epoka e re”: Nuk mendoni se PSD-ja mund të humbë vota për shkak të këtij koalicioni?
Kastrati: Duke pasur parasysh proceset që pritet të ndodhin në Kosovë dhe nevojën e bashkimit për t’u ballafaquar me këto procese, mendoj se ka qenë një zgjidhje e domosdoshme. Ne duhet ta kuptojmë se koalicionet bëhen në raport me rrethanat që i kemi. Në raport me negociatat me Serbinë është e domosdoshme të kombinohen guximi, dija, përgatitja dhe përvoja që Kosova të përfaqësohet në gjendjen më të mirë dhe ta arrijë marrëveshjen. Unë po e shoh që shumica e subjekteve politike po përpiqen t’i shmangin proceset e ardhshme që e presin Kosovën sepse janë të vetëdijshme se këto procese nuk shkojnë në favor që ato individualisht ose grupisht mund ta përfaqësojnë dhe ta mbrojnë Kosovën më së miri.
“Epoka e re”: Në këto zgjedhje janë tri parti të mëdha dhe një koalicion që pretendojnë vendin e parë. Si e shihni këtë garë? Kush është pretendenti kryesor?
Kastrati: Meqenëse nuk mund ta shmangim marrëveshjen me Serbinë, por duhet të merremi me të si dhe duke pasur parasysh projektet zhvillimore në shërbim të mirëqenies qytetare, mendoj se koalicioni AAK-PSD i ka gjasat e mëdha të fitojë.
“Epoka e re”: Bazuar në pritjet tuaja për fitore, po i bie që do të ketë rritje 100 për qind.
Kastrati: Nëse i keni përcjellë sondazhet dhe anketat prej kompanive profesionale, rritja do të jetë më shumë se 100 për qind.
“Epoka e re”: Sa për qind apo sa deputetë pretendoni t’i merrni si koalicion dhe si PSD?
Kastrati: Për ne janë të rëndësishme proceset e ardhshme. Nuk do të ketë garë të brendshme qoftë brenda subjekteve, qoftë brenda kandidatëve. Potenciali ynë është që të dalë koalicioni i pari.
“Epoka e re”: Ju do të jeni pjesë e listës për deputet?
Kastrati: Është çështje që ende s’e kemi vendosur, por për mua me rëndësi kanë projektet që e presin Kosovën. Por, në koordinim me subjektin dhe koalicionin vendimin do ta marrim në kohën e duhur.
“Epoka e re”: A do t’ju penalizojë në votë reforma e nisur në arsim në Kamenicë?
Kastrati: Reforma në arsim në lokacione të caktuara mund të ndikojë në vota por, në përgjithësi në Kosovë, do të jetë shumë pozitive edhe për shkak të testit PISA, edhe për shkak të gjendjes në arsim. Shumica e qytetarëve që mendojnë dhe e kanë një vizion se si do të zhvillohet ky vend mendojnë se reformat në arsim janë më të rëndësishmet edhe për kohën e tashme, edhe për të ardhmen e kësaj shoqërie.
“Epoka e re”: Meqë po synoni fitore më 6 tetor, kënd e shihni partner për bashkëqeverisje, meqë deri më tani asnjë prej partive nuk ka mundur t’i fitojë mbi 50 për qind të votave?
Kastrati: Mendoj se është e mirë për demokracinë që mos të ketë subjekte që veç vetë i marrin mbi 50 për qind. Për ne është e qartë se PDK-ja është vijë e kuqe shkaku i së kaluarës së saj. Ç’kapja e shtetit, luftimi i korrupsionit dhe reforma në drejtësi e administratë nuk mund të bëhen me PDK-në. Është e domosdoshme që për një ose dy mandate kjo parti të mbetet në opozitë. Në anën tjetër, nuk po them se ne nuk duam, por për shkak të së kaluarës së saj dhe për shkak se ka dëshmuar jokonstruktivitet në procese dhe në marrëdhënie me të tjerët, edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka pothuajse të pamundur të jetë në qeverinë e ardhshme.
Shqipe HETEMI