Koalicioni  LV-LDK besoj se do të bëhet, por… por, a do të jetë vërtet i shpresës?!

14 janar 2020 | 11:53

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

 Lehtësisht e parashikueshme, vështirë e realizueshme: Para zgjedhjeve të 6 nëntorit 2019 në një intervistë në “Epoka e re” pata deklaruar se më vështirë do të jetë të bëhet koalicioni LV-LDK pas zgjedhjeve se ai para zgjedhjeve. Ishte një eufori parazgjedhore midis këtyre dy subjekteve se do ta luftojnë korrupsionin, se do ta çkapnin shtetin e kapur, se do të luftojnë për shtet e jo për pushtet, se do të bëjnë reforma të thella në arsim, shëndetësi, ekonomi e sidomos se do ta dekriminalizojnë Ministrinë për Punë të Jashtme e udhëhequr nga një kalkulant i berëzës politike që këtë ministri dhe diplomacinë e ka shndërruar në qerthull të një prostitucioni primitiv dhe servis për baraspeshime politike. Ishte një ofertë, më shumë e natyrës emocionale, se do të bisedohet për çështjen e të pagjeturve, plagë kjo që ende nuk është mbyllur dhe prodhon dhimbje dhe vuajtje, për fat të keq vetëm për familjarët e të pagjeturve, për faktin se ka filluar të harrohet nga të tjerët. Pati premtime edhe për kompensim të dëmeve të luftës e që nuk ka gjasa të realizohet për faktin se asnjë shtet, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht përgjegjësisë konkrete, nuk ka kompensuar palën e dëmtuar porse vetë shteto, në rastin konkret Kosova, i ka kompensuar deri më tani qytetarët e Kosovës që kanë qenë viktimë e gjenocidit nga ish-Jugosllavia dhe Serbia e Aleksandar (Vuçiqit) dhe (Sllobodan) Milloshqeviqit. Këto ishin tema të patrajtuara në masë të duhur nga qeveritë e mëparshme dhe, duhet pranuar se, përveç se tingëllojnë bukur për veshin e dëgjuesit, kanë të bëjnë edhe me krenarinë kombëtare. Ishte një disponim konsensual se duhet të ndodhin ndryshime andaj personazhi kryesor i këtyre ndryshimeve llogaritej Albin Kurti, i cili, deri më tani, kryesisht e kishte provuar dhunën e shtetit e jo mundësinë tjetër. Albin Kurti e njeh fort mirë tabelën e shumëzimit si dhe ekuacionet me shumë të panjohura, prandaj u përcaktua për “martesë” me LDK-në, e cila në jo shumë pak raste u dëshmua të jetë një kurtizane e sofistikuar politike duke i ndërruar të gjithë partnerët në shtratin qeverisës dhe duke deklaruar se, pas të gjithave, ka dalë e paprekur duke e ruajtur “virgjërinë politike” e që, realisht, askush nuk e beson këtë. Këto dy subjekte politike e kishin përkrahjen e madhe si brenda vendit, të diasporës ashtu edhe të faktorit ndërkombëtar, i cili bën çka të dojë në Kosovë, që nga përcaktimi i menysë në zinxhirin e restoranteve prestigjioze, “Te Nazi” ashtu edhe te përcaktimi i rendit të ditës të çdo subjekti politik apo institucioni në Kosovë, qoftë ai në nivel të lagjes e deri tek institucionet më të larta të vendit. Për herë të parë faktori ndërkombëtar ishte 100 për qind kundër krahut të luftës dhe 100 për qind për “Koalicionin e shpresës???”. Për herë të parë në Kosovë ishte një opozitë konstruktive që nuk e lakmonte pushtetin dhe që menjëherë i pranoi rezultatet e zgjedhjeve duke u deklaruar si opozitë dhe duke refuzuar në të gjitha mundësitë pjesëmarrjen në pushtetin e ardhshëm, hiç këtu koalicionin që mbijetoi me infuzion, Nisma-AKR, që u ofrua për pushtet e që vendosmërisht u refuzua nga LV-ja, në ndërkohë që LDK-ja mbajti qëndrim oportunist. Për herë të parë pozita e ardhshme nuk pati problem me opozitën, por pati dhe ka problem me partnerin e shtratit, apo më mirë ta them, grazhdit të pushtetit dhe tërë lufta po bëhet se kush do ta ketë një thes me taxhi (post) më shumë! Askush, madje as dyshuesit më të mëdhenj nuk kanë besuar se do të kalojnë tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, pa kurorëzim të  “dashurisë” midis partnerëve që duan të lidhen. Pse e kemi këtë mosmarrëveshje

Rregullat e Albinit e forcuan LDK-në: Albin Kurti ishte fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit dhe nuk ka rëndësi se a ishte fitues absolut apo relativ për faktin se me Ligjin zgjedhor në fuqi është e pamundur që një subjekt politik ta fitojë shumicën absolute në Kosovë. Gjithashtu, është e qartë se në çdo vend të botës fituesi përcakton dhe i cakton rregullat e lojës e pse këtë të drejtë të mos e ketë Albin Kurti dhe LV-ja?! Në politikë, por edhe në jetën e përditshme, ai që mban qëndrim përjashtues nuk siguron qëndrueshmëri e as bashkëpunim, si kusht elementar i qëndrueshmërisë. Albin Kurti, si frontmen i LV-së, vuri vijat e kuqe për të gjitha subjektet politike në Kosovë (PDK, AAK, NISMA-AKR dhe Lista Serbe), ndërsa ofroi dashuri dhe ngrohtësi politike vetëm për LDK-në dhe pakicat joserbe. Në këtë mënyrë jashtëzakonisht shumë e fuqizoi LDK-së duke krijuar monopol të dashurisë politike, në ndërkohë që u detyrua të sigurojë një përkujdesje kushtetuese për LS-në pasi ia bënë të qartë ambasadorët e shteteve të huaja në Kosovë, se pa Listën Serbe në Kosovë nuk ka jetë politike, nuk të ngrohë dielli dhe nuk ta ndriçon natën as hëna! E tash, midis një LS-je dhe partive të krahut të luftës, të përcaktoheni për LS-në dhe të injoroni një të kaluar të lavdishme dhe një të tashme, më pak të lavdishme siç është krahu i luftës, besoj se edhe për talibanët e Afganistanit do të ishte një situatë jonormale e lëre më për LV-në që, së paku biologjia dhe anatomia politike, i bënë pjesë të krahut të luftës! Është e vërtetë se një pjesë e krahut të luftës ka hyrë thellë lakrave, mirëpo është një e vërtetë edhe më e madhe, se LDK-ja asnjëherë nuk ka dalë nga lakrat, në të gjitha sistemet dhe në të gjitha përbërjet qeveritare. Albin Kurti tërë kohën pas përfundimit të zgjedhjeve ka qenë kryeministër, pa zyrë dhe pa kapacitet zbatimi të këtij mandati. Ndërkombëtarët e kanë pranuar si kryeministër në ardhje, Serbia nuk e ka kundërshtuar, por se është frikësuar nga fenomeni Kurti. Përveç gabimit të vijave të kuqe ndaj krahut të luftës dhe hapjen e parajsës politike për LDK-në, Albini ka bërë një gabim sepse e ka demonstruar një karshillëk ndaj politikanëve të Shqipërisë e që ka krijuar një mjedis krejtësisht jotolerant dhe jobashkëpunues. Gabimi i radhës i Albinit ka qenë nënçmimi i kapacitetit negociues të Isa Mustafës, një ujku të moçëm të politikës së Brozit, tash i shndërruar në një dhelpër shumë dinake që po përpiqet (me shumë sukses të gjuajë sa më shumë pula – poste) për subjektin politik të cilin e ka drejtuar me shumë mjeshtri, sidomos kohëve të fundit kur LDK-së i parashikonin fatin e Titanikut! Sipas mendimit tim, sot në Kosovë politikani më i fuqishëm dhe më spirituoz është pikërisht Isa Mustafa i cili, me mjeshtri të një filigranisti e shpëtoi LDK-në nga çarja e madhe e që dukej e pashmangshme kurse tani, nga një humbës i madh, del të jetë një fitues i madh për faktin që edhe vetë Albin deklaroi publikisht se pa LDK-në (më saktësisht pa Isa Mustafën) nuk bëhet dot kryeministër! Një e thënë e vërtetë e Albinit e që e ka burimin te rregullat përjashtuese të Albinit që nuk sheh “dashuri” tjetër politike përveç LDK-së. Sot LDK-ja është në situatë të kërkojë çka të dojë nga LV-ja e që dikush mund ta quajë edhe shantazh. Por çfarë rëndësie ka ky formulim i cili, sidomos në Ballkan, është i legalizuar, i lejuar dhe konsideroheni budalla dhe leshko nëse nuk e shfrytëzoni rastin: “Kur ju vjen vera kah dera…”. LDK-ja ka karta të fuqishme negociimi dhe xhokerin kryesor e ka shantazhimin me postin e kryeministrit. Deri më tani intervenimi i ndërkombëtarëve nuk ka lënë ndonjë gjurmë në lëkurën prej elefanti të LDK-së. Madje as haxhi politik te Grenelli në Gjermani duket se nuk ka ndikuar te LDK-ja, kurse tani edhe një pensionist, që kur nuk ka çka të bëjë vjen në Kosovë dhe i mban ligjërata Albin Kurtit se si duhet të veprojë politikisht, si kusht për t’u liruar nga burgu, si Brad Piti ka marrë përsipër një mision të pamundur, për ta bindur LDK-në të bëhet më konstruktive në kohën kur Isa Mustafa për Walkerin është Duejn Xhonsoni politik!

Molla e Adamit apo molla e Glaukut: Pas zgjedhjeve duket se ishin ndarë postet; LV-ja postin e kryeministrit e që i takon, edhe sipas rezultatit të zgjedhjeve, edhe sipas Ligjit të Hamurabit, 5 ministri dhe një zëvendëskryeministër, kurse LDK-ja postin e kryetarit të Kuvendit, 5 ministri, një zëvendëskryeministër e që ishte ndarje kryesisht korrekte midis partnerëve që nuk kanë asgjë të përbashkët përveç luftës për pushtet në një vend ku thuaja nuk ka shtet! Në ndërkohë, apetiti i LDK-së u rritë dukshëm dhe në menynë e propozuar, si delikatesë e propozoi edhe postin e presidentit në kohën kur Hashim Thaçit – Shimës i kalon mandati kushtetues. Pritja një vit e gjysmë për ta marrë postin e rezervuar të presidentit me një projekt të kapjes tipike të shtetit në procesin e çkapjes së premtuar nuk i dallon aspak nga subjektet e tjera. Realisht, këta që e duan “lëkuren presidenciale të Shimës” nuk llogarisin një kohë aq të gjatë, shpresojnë se Gjykata Speciale do ta përshpejtojë këtë proces të “kapjes” së shtetit duke lehtësuar kapjen e re, si model tashmë të etabluar të qeverisjes në Kosovë! Në ndërkohë pati zhvillime “dramatike”, Glauk Konjufca u zgjodh në mënyrë shumë demokratike kryetar i Kuvendit. Pas votave të LV-së për Glaukun, për votim demokratik u shqua LDK-ja, që thuaja unanimisht votoi për Glauk Konjufcën duke menduar se do ta përdorë si kartë të fuqishme në negociatat e ardhshme me LV-në. Tash, duke e hëngër fjalën (votën) e tyre, po kërkojnë rikthimin e këtij posti meqë, sipas marrëveshjes së mëhershme, ky post qenka rezervuar për Vjosa Osmanin! Absolutisht nuk kanë të drejtë dhe, nëse LV-ja bën rikthim, duke e detyruar Glaukun të jap dorëheqje, LV-ja, përkatësisht Albini, do të identifikoheshin me kryetuxharin dhe kryekapësin e shtetit ku, Gjat Macolli apo grofi Minhauzen kosovar do të mbetej si sinonim i shembulltyrës, korrektësisë dhe ndershmërisë. LDK-ja, e ardhur në situatë kur: “Vetë pordhë dhe vetë trembet…” nuk duhet më fare të bisedojë për postin e kryetarit të Kuvendit që tashmë është legjitim dhe i udhëhequr nga një politikan dhe deputet jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe kompetent! Nëse është e vërtetë se LV-ja i ofron 6 ministri LDK-së, një ministri më shumë në këmbim të postit të kryetarit të Kuvendit, konsideroj se është një ofertë shumë bujare e cila nuk do të duhej të refuzohej nga LDK-ja. Nëse LDK-ja qenka hatruar pse LV-ja i ka bërë publike emrat e ministrave, pjesë e kabinetit qeveritar nga LV-ja i bie sikur nëse LDK-ja, përkatësisht Isa Mustafa, e preferon fasulen për drekë, kurse LV-ja i preferon lakrat! Askush nuk e ka ndaluar LDK-në t’i propozojë emrat e ministrave (afërsisht dihen kush do të jenë), edhe pa një marrëveshje të nënshkruar! Për mua shumë më i rëndësishëm është posti i ministrit të Punëve të Jashtme se posti i kryetarit të Kuvendit. Realisht, kryetari i Kuvendit ka përparësi veten në aspektin material sepse ka siguri të përhershme ekonomike përmes përfitimeve të përjetshme që ia garanton Kushtetuta e Kosovës!

Shtrohet pyetja se sa do të jetë efikase qeverisja LV dhe LDK për faktin se besoj se koalicioni do të përfundojë, me hatër a me zor, me një marrëveshje e cila, gjithashtu, besoj se nuk do të vonohet? Nëse LDK-ja i mban ministritë hipotetike, e që ka të ngjarë të jenë reale, për faktin se Albini i ka ndarë ministritë e tij duke i bërë publike, atëherë do të ketë shumë probleme në jetësimin e programit qeverisës i cili kushtëzohet nga shumë pengesa siç janë: a do t’i kontrollojë kryeministri Kurti edhe ministrat e LDK-së apo vetëm të LV-së dhe pakicave joserbe për faktin se LS-në nuk do ta kontrollojë për aq kohë sa Marko Gjuriqi të jetë gjallë! Nëse lideri i partive të koalicionit do ta ketë fuqinë e kryeministrit për ministrat nga radhët e subjektit që e drejton atëherë del se LDK-ja do të jetë forcë shumicë në qeverinë e ardhshme, kurse LV-ja, minoritet politik për faktin se deputetët e pakicave joserbe dhe të LS-së më lehtë përshtaten në gjirin e LDK-së, sidomos në çastet kur hahet fasulja, jo kokërr me kokërr, por me lugë të madhe të pushtetit! Nëse LDK-ja do ta ketë Ministrinë për Punë të Brendshme atëherë Albulena Haxhiu, si ministre e ardhshme e Drejtësisë, reformat në fushën e drejtësisë do t’i bëjë sipas stilit të ikebanas japoneze dhe për nevoja ekskluzivisht të brendshme! Uroj të jem parashikues i gabuar dhe jo t’ia qëlloj në çdo 10 vjet siç e bën Milaimi! Qeveria në ardhje e ka të kurdisur bombën sociale, detonatorin e së cilës e ka në duar, kamikazi kryesor në botë, më i vlerësuari dhe më i rrezikshmi, kingu i SBAShK-ut, Mon Jasharaj! Pritshmëritë e qytetarëve (për shkak të vonesës së arritjes së marrëveshje pakëz janë zbehur) ishin të mëdha, prandaj edhe zhgënjimi dhe reagimi është në proporcion me këto pritje. Ndërkaq, problemi më i madh dhe, ma merr mendjen për Albinin dhe LV-në është i pakapërcyeshëm, janë bisedimet me Serbinë, fleksibiliteti i kërkuar për Kosovën (ulje e kurrizit deri në nënshtrim) që, për rrethanat tona, e ka fuqinë shkatërruese të reaktorit nuklear të Çernobilit!

Albin Kurti, me një kaligrafi shprehjesh po përpiqet të luaj tope me presidentin aktual, Shkëlqesinë e Tij, Hashim Thaçi – Shimen, duke i dërguar letra sikur në kohën e Buharinit. Dua ta përkujtoj Albinin se nuk janë të rrezikshëm ata që lexojnë, qoftë letra e lëre më ndonjë roman, por janë shumë të rrezikshëm pikërisht ata që nuk lexojnë fare dhe kam informata se Shima nuk e lexon asnjë letër të Albinit. Shima i ka disa këshilltarë, tradhtarë dhe zuzarë (sepse për të ndershmit dhe patriotët e vërtetë nuk ka vend aty) të cilët, letrat e Albinit i kanë shndërruar në gazeta muri sikur daci – baot në Kinë ku, njeri lexon, kurse të tjerët dëgjojnë.

Përsëri po e them se marrëveshja do të ndodhë mirëpo, së paku deri më tani, që të dy partnerët nuk janë treguar si çkapës të shtetit, por janë më kapës se kapësit e mëparshëm sepse po luftojnë për çdo post, mbase për interes të qytetarit dhe të shtetit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Para se të mund të nënshkruajnë çfarëdo…