Koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë pjesë e Kuvendit por, jo siç e kemi pritur
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se sovrani më 6 tetor e ka kryer detyrën e vet mirë, por ka pasur tentime të blerjeve të votave dhe deformim të rezultatit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se në procesin zgjedhor administrativisht ka pasur gabime jo të vogla, ku KQZ-ja e ka përgjegjësinë e vet.
Krasniqi ka thënë se koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë pjesë e Kuvendit, ndonëse jo siç është pritur.
“Të gjitha informacionet që po vijnë po tregojnë se Nisma-AKR e PD do të jenë pjesë e Kuvendit, ndonëse jo siç e kemi pritur. Ne e kemi pritur një rezultat tjetër, duke pasur parasysh ofertën tonë dhe parimet e socialdemokracisë, por në Kosovë nuk votohet as për programet politike e zgjedhore e as për programin ideologjik”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, ky koalicion, siç duket, nuk është pranuar nga zgjedhësit.
Krasniqi ka folur edhe për qeverinë e re, për të cilën ka thënë se do të ketë vështirësi pasi që partitë kanë dallime ideologjike.
Ai ka theksuar se qeveria LV-LDK do t’i ketë sfidat të mëdha në disa rrafshe.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)