Koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë pjesë e Kuvendit por, jo siç e kemi pritur
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se procesi zgjedhor i 6 tetorit administrativisht ka pasur gabime jo të vogla për të cilat ka përgjegjësi edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se ka pasur tentime të blerjeve të votave dhe deformim të rezultatit nga komisionarët.
“Nga ajo që shihet, sovrani e ka kryer detyrën e vet mirë, ndërsa pak ka pasur tentime të blerjeve të votave e nga komisionarët deformim të rezultatit zgjedhor, sidomos në mes të kandidatëve ka pasur garë jokorrekte. Madje administrativisht ka pasur gabime jo të vogla, ku edhe KQZ-ja e ka përgjegjësinë e vet”, është shprehur Krasniqi.
Duke e komentuar rezultatin jo të mirë të koalicionit parazgjedhor Nisma-AKR-PD, ai ka thënë se, siç duket, ky koalicion nuk u pranua nga qytetarët.
“Si po duket koalicioni nuk është pranuar nga zgjedhësit. Këtë ata e treguan me votën e tyre”, ka theksuar ai. Megjithatë, Krasniqi ka bërë me dije se koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë pjesë e Kuvendit, ndonëse jo siç është pritur.
“Të gjitha informacionet që po vijnë po tregojnë se Nisma-AKR e PD do të jenë pjesë e Kuvendit, ndonëse jo siç e kemi pritur. Ne e kemi pritur një rezultat tjetër, duke pasur parasysh ofertën tonë dhe parimet e socialdemokracisë, por në Kosovë nuk votohet as për programet politike e zgjedhore e as për programin ideologjik”, ka deklaruar Krasniqi.
Po në këtë intervistë ai ka folur edhe për qeverinë e re, duke thënë se do të ketë vështirësi, pasi që dy partitë politike kanë dallime ideologjike.
“Nuk dëshiroj të paragjykoj për asgjë. Sigurisht se do të ketë vështirësi pasi partitë kanë dallime ideologjike. Por, pasi që gara bëhet për pushtet, dallimet mund të shkrihen. Në rastin tonë duhet të presim si do t’i qasen qeverisjes dhe problemeve politike që i presin”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se qeveria LV-LDK do të ketë sfidat të mëdha para vetes.
“Sfidat e këtij koalicioni do të jenë të mëdha në tri rrafshe: Së pari do të kenë probleme me politikën në raport me vendet mbështetëse të Kosovës siç janë BE-ja dhe ShBA-ja. Së dyti me politikën serbe e cila vazhdon të jetë shumë armiqësore. Me këtë të fundit nuk e di se si do ta gjejnë gjuhën e dialogut. Së treti dhe kryesoret, janë problemet kryesore si zhvillimi ekonomik dhe punësimi, pastaj funksionimi i institucioneve të shtetit. Probleme në vete janë arsimi dhe shëndetësia me ndërmarrjet publike”, ka theksuar Krasniqi.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, në përgjithësi si i vlerësoni zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe rezultatet e tyre?
Krasniqi: Nga ajo që po shihet, sovrani e ka kryer detyrën e vet mirë, ndërsa pak ka pasur tentime të blerjeve të votave e nga komisionarët deformim të rezultatit zgjedhor, sidomos në mes të kandidatëve ka pasur garë jokorrekte. Madje administrativisht ka pasur gabime jo të vogla, ku edhe KQZ-ja e ka përgjegjësinë e vet.
“Epoka e re”: Çfarë mendoni se shkoi keq që koalicioni parazgjedhor, Nisma-AKR-PD, nuk i realizoi pritjet në këto zgjedhje?
Krasniqi: Si po duket koalicioni nuk është pranuar nga zgjedhësit. Këtë ata e treguan me vota.
“Epoka e re”: Meqë ende nuk janë numëruar të gjitha votat e ardhura nga diaspora, a besoni se mund ta kaloni pragun zgjedhor?
Krasniqi: Të gjitha informacionet që po vijnë po tregojnë se Nisma-AKR e PD do të jetë pjesë e Kuvendit, ndonëse jo siç e kemi pritur. Ne e kemi pritur një rezultat tjetër, duke pasur parasysh ofertën tonë dhe parimet e socialdemokracisë, por në Kosovë nuk votohet as për programet politike e zgjedhore e as për programin ideologjik.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh përvojën tuaj të gjatë në politikë, si e shihni funksionimin e qeverisë së ardhshme në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës?
Krasniqi: Nuk dëshiroj të paragjykoj për asgjë. Sigurisht se do të ketë vështirësi pasi partitë kanë dallime ideologjike. Por, pasi gara bëhet për pushtet, dallimet mund të shkrihen. Në rastin tonë duhet të presim si do t’i qasen qeverisjes dhe problemeve politike që i presin.
“Epoka e re”: Qeveria e ardhshme do të ketë para vetes shumë sfida si në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe dialogun me Serbinë. Do të mund t’u bëjë ballë kjo qeveri këtyre sfidave?
Krasniqi: Sfidat e këtij koalicioni do të jenë të mëdha në tri rrafshe: Së pari do të kenë probleme me politikën në raport me vendet mbështetëse të Kosovës siç janë BE-ja dhe ShBA-ja. Së dyti me politikën serbe e cila vazhdon të jetë shumë armiqësore. Me këtë të fundit nuk e di se si do ta gjejnë gjuhën e dialogut. Së treti dhe kryesoret, janë problemet kryesore si zhvillimi ekonomik e punësimi, pastaj funksionimi i institucioneve të shtetit. Probleme në vete janë arsimi dhe shëndetësia me ndërmarrjet publike.
Shqipe HETEMI