Koalicioni për Familjen hapi fushatën: Përparimi i shoqërisë fillon nga zhvillimi i familjes

11 janar 2025 | 22:45

Koalicioni për Familjen ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore me një tubim madhështor të mbajtur në Klan Arena.

Në këtë aktivitet morën pjesë kandidatët për deputetë, kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, liderët dhe përfaqësuesit e koalicionit, qytetarë të shumtë, si dhe mysafiri i veçantë, ambasadori William Walker.

Në fjalën e tij, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, theksoi rëndësinë jetike të familjes si bazë e ndërtimit të një vendi të fortë dhe të qëndrueshëm. Ai nënvizoi se përparimi i shoqërisë fillon nga përkrahja dhe zhvillimi i familjes.

Selim Pacolli, prijësi i listës së AKR-së, theksoi se lista e kandidatëve përfaqëson vlerat e përkushtimit, ndershmërisë dhe profesionalizmit.

Ai u shpreh se një familje e shëndoshë është baza për një shoqëri të shëndoshë dhe se angazhimi për ruajtjen dhe kultivimin e këtyre vlerave është prioriteti kryesor i koalicionit.

Prof. Dr. Ferid Agani deklaroi se Koalicioni për Familjen ka një vizion të qartë për tejkalimin e sfidave aktuale përmes një qeverisjeje që do të përmirësojë në mënyrë sistematike ekonominë familjare dhe mirëqenien shoqërore.

Fatmir Smajli, lider i koalicionit, ftoi qytetarët të mbështesin këtë kauzë të mbushur me përkushtim dhe dashuri për mbrojtjen e familjes si vlerë thelbësore që e dallon dhe e identifikon shoqërinë shqiptare.

Ndërkohë, lideri i koalicionit, Eman Rrahmani, e cilësoi familjen si një faktor vendimtar për mirëqenien dhe zhvillimin e shoqërisë. Ai theksoi përkushtimin e përbashkët për të luftuar dukuritë negative dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për qytetarët.

Koalicioni për Familjen prezantoi një listë kandidatësh për deputetë me profile të larmishme, të cilët synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ndërtimin e një vendi më të mirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i LV-së, Albin Kurti, ka shkruar në “Facebook” për…