Koalicioni për Familjen takohet me Sindikatën e Pensionistëve
Përfaqësuesit e Koalicionit për Familjen kanë zhvilluar takim me Sindikatën e Pensionistëve.
Lajmi është bërë me dije me një komunikatë për medie nga ky koalicion.
“Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit mes institucioneve dhe përfaqësuesve të pensionistëve, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre dhe rritjen e përkujdesjes sociale për këtë kategori”, ka njoftuar Koalicioni për Familjen.
Komunikata e plotë:
Sot u mbajt një takim i rëndësishëm ndërmjet liderëve të koalicionit “Për Familjen”, z. Eman Rrahmani, z. Selim Pacolli, z. Ferid Agani dhe z. Fatmir Smajli, me përfaqësuesit e Sindikatës së Pensionistëve të Kosovës, z. Sadik Gjukolli, z. Osman Vitia dhe znj. Hana Berisha.
Gjatë takimit, i cili u zhvillua në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit, u diskutuan çështjet kyçe që prekin pensionistët në Kosovë. Përfaqësuesit e Sindikatës ngritën shqetësime mbi nivelin e ulët të pensioneve, mungesën e mbështetjes shëndetësore adekuate dhe nevojën për përmirësimin e të drejtave sociale të pensionistëve. Ata theksuan se kjo shtresë e ndjeshme e shoqërisë meriton më shumë kujdes dhe vëmendje nga institucionet shtetërore.
Nga ana e tyre, liderët e koalicionit “Për Familjen” shprehën mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të pensionistëve në ndërmarrjen e zhvillimit të vendit. Ata siguruan përfaqësuesit e Sindikatës së Pensionistëve se çështjet e ngritura do të trajtohen me prioritet në programet e tyre politike dhe se do të angazhohen për zgjidhje konkrete në favor të pensionistëve.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit mes institucioneve dhe përfaqësuesve të pensionistëve, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre dhe rritjen e përkujdesjes sociale për këtë kategori.