Koalicioni po funksionon, s’ka ftohje të raporteve
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, të martën ka mohuar pretendimet se ka ftohje të raporteve në mes të liderëve kryesorë të koalicionit qeverisës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë. Sipas Nitajt, qëndrimet për taksën janë ndryshim në metodologjinë se si do të arrihet deri te caku kryesor që është marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi. “Nuk besoj se mund të flitet për ftohje. Unë më shumë këtë e shoh ndryshim në metodologjinë se si do të arrihet deri te caku kryesor që është marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Koalicioni është duke funksionuar mirë. Këto janë qëndrime që dallojnë në metodologjinë e veprimeve”, është shprehur ai, duke shtuar se nuk është kuptuar drejt kërkesa e partnerëve për heqjen e taksës. “Në fakt, kjo taksë është përgjigje ndaj agresivitetit të Serbisë dhe influencës ruse në këtë territor. Jam i bindur se partnerët do ta kuptojnë këtë të vërtetë dhe do të jenë edhe ata po aq të interesuar që të ndalet ndikimi rus në këtë pjesë të Ballkanit. Edhe partnerët e koalicionit po bëjnë të pamundurën që të jenë në unison. Nuk e di si do të zhvillohen proceset tutje, por e di se nuk do të pranohet që Serbia t’i vendosë kushte Kosovës”, ka theksuar Nitaj.
Ai është deklaruar kundër idesë për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, duke thënë se një gjë e tillë është hajgare. “Analistët atë punë kanë. Për hir të së vërtetës, një numër jo i vogël i tyre pak dinë ose flasin me mendjen e tjetërkujt. Unë dëgjova se një gjë të tillë është duke e kërkuar LDK-ja dhe, me gjasë, ky parashikim i analistëve atje e ka burimin. Se si veprohet tutje, vendos AAK-ja, por unë nuk i besoj kësaj ideje dhe më duket hajgare”, ka thënë Nitaj. Kurse sa iu përket zgjedhjeve, ai ka vlerësuar se në këtë kohë nuk janë të përshtatshme për Kosovën. “Ne jemi përballë proceseve më të rëndësishme për vendin e dikush bën kalkulime për pushtet dhe nuk jep pesë pare nëse kjo e vonon Kosovën në proceset jetike për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Ç’është kjo farë meseleje, që ky vend të mos e kuptojë njëherë se zgjedhjet mbahen çdo katër vjet. Ky është realiteti. Nëse të tjerët paskan vendosur ta çojnë vendin në zgjedhje, AAK-ja nuk e ka asnjë arsye elektorale të mos e pranojë këtë sfidë. Zgjedhjet në këtë kohë janë të dëmshme për vendin, jo për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)”, ka deklaruar Nitaj.
“Epoka e re”: Z. Nitaj, AAK-ja dhe kryeministri Haradinaj janë të vendosur që taksa të mbetet në fuqi pavarësisht prej kërkesës së ShBA-së për pezullimin e saj. Por, pjesa tjetër e koalicionit është për pezullimin e taksës. Ka mundësi që në ditët në vijim të arrihet një konsensus brenda koalicionit qeverisës sa i përket taksës në mënyrë që të mos rrezikohet partneriteti dhe miqësia me Amerikën?Nitaj: Nuk jam shumë i sigurt se është kuptuar drejt kërkesa e partnerëve për heqjen e taksës. Vendimi për tarifat ka qenë i imponuar nga Serbia dhe nuk është orientuar kundër partnerëve, as kundër Bashkimit Evropian, as kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt, kjo taksë është përgjigje ndaj agresivitetit të Serbisë dhe influencës ruse në këtë territor. Jam i bindur se partnerët do ta kuptojnë këtë të vërtetë dhe do të jenë edhe ata po aq të interesuar që të ndalet ndikimi rus në këtë pjesë të Ballkanit. Edhe partnerët e koalicionit po bëjnë të pamundurën që të jenë në unison. Nuk e di si do të zhvillohen proceset më tutje, por e di se nuk do të pranohet që Serbia t’i vendosë kushte Kosovës. Ajo është agresorja. Dhe nëse dikush duhet t’i parashtrojë kushte dikujt, ajo është Kosova, jo Serbia.
“Epoka e re”: Deklarimet e fundit për taksën kanë krijuar përshtypjen në opinion se ka ftohje të raporteve në mes të partnerëve kryesorë të koalicionit qeverisës. Mund të tejkalohen këto mospajtime? Nitaj: Nuk besoj se mund të flitet për ftohje. Unë më shumë këtë e shoh ndryshim në metodologjinë se si do të arrihet deri te caku kryesor që është marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për ne kanë rëndësi qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ju e keni dëgjuar kërkesën e fundit të presidentit Trump për njohje. Ky është synimi i të gjithë neve.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh këtë si dhe kërkesën e liderit të koalicionit Kadri Veseli për pezullimin e taksës, edhe sa mund të funksionojë koalicioni PAN?
Nitaj: Koalicioni është duke funksionuar mirë. Këto janë qëndrime që dallojnë në metodologjinë e veprimeve. Unë nuk mund të paragjykoj nëse mund të funksionojë ose jo koalicioni. Ajo është një marrëveshje politike. Partnerët e këtij koalicioni edhe mund ta shfuqizojnë atë. Nuk jam në kokën e askujt për të ditur se cilat janë planet e tij apo atyre.
“Epoka e re”: Analistët politikë parashikojnë prishjen e koalicionit dhe krijimin e një qeverie të re gjithëpërfshirëse. AAK-ja, a do të jetë pjesë e një qeveri të tillë?
Nitaj: Analistët atë punë kanë. Për hir të së vërtetës, një numër jo i vogël i tyre pak dinë ose flasin me mendjen e tjetërkujt. Unë dëgjova se një gjë të tillë është duke e kërkuar LDK-ja dhe, me gjasë, ky parashikim i analistëve aty e ka burimin. Se si veprohet më tutje, vendos AAK-ja, por unë nuk i besoj kësaj ideje dhe më duket hajgare.
“Epoka e re”: Do të ketë zgjedhje të reja në vjeshtën e këtij viti?
Nitaj: Llafe nëpër kafene. Gjithçka është e mundur. Edhe mund të ketë, edhe mund të mos ketë. Unë nuk e kam fuqinë për të parashikuar. Zgjedhjet, në këtë kohë, nuk janë të përshtatshme për Kosovën. Ne jemi përballë proceseve më të rëndësishme për vendin e dikush bën kalkulime për pushtet dhe nuk jep pesë pare nëse kjo e vonon Kosovën në proceset jetike për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Ç’është kjo farë meseleje, që ky vend të mos e kuptojë njëherë e përgjithmonë se zgjedhjet mbahen çdo katër vjet. Ky është realiteti. Nëse të tjerët paskan vendosur ta çojnë vendin në zgjedhje, AAK-ja nuk e ka asnjë arsye elektorale të mos e pranojë këtë sfidë. Zgjedhjet në këtë kohë janë të dëmshme për vendin, jo për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Shqipe Hetemi