Koalicioni qeverisës ka neglizhuar procesin integrues të Kosovës

09 maj 2019 | 14:29

Zëvendëskryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Armend Zemaj, është shprehur i pakënaqur me dinamikën e agjendës evropiane të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se me këtë konfigurim politik është parë një neglizhencë dhe shumë dytësor procesi integrues i Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Zemaj ka deklaruar se koalicioni qeverisës nuk e ka për interes integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në këtë aspekt, ai ka thënë se roli i Kuvendit është minimizuar për arsye të mosfunksionimit normal të punës dhe kryerjes së detyrave kushtetuese.

Zemaj ka theksuar se Kuvendi është në një gjendje inerte të funksionimit të tij, ka përzierje të plotë të kompetencave dhe detyrave kushtetuese dhe, sipas tij, kjo gjendje është kontribuues i keq që Kosova dhe qytetarët e saj edhe këtë vit të vazhdojnë të jenë të izoluar dhe larg nga rruga euroatlantike.

“Ky tregues që sot Kosovën e gjënë të izoluar edhe në festën e BE-së vazhdon të jetë përgjegjësi për institucionet tona në këtë mashtrim optik, njëherësh tregon kompleksitetin që e ka BE-ja për të pranuar në gjirin e vet shtete dhe kombe të reja të cilat nuk janë ende pjesë e BE-së. Andaj edhe festimi i Ditës së Evropës është shumë më i zbehur kur elementi kryesor, që është lëvizja e lirë, nuk është arritur dhe qytetarët e Kosovës e festojnë me shumë si dëshirë sesa si realitet”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka folur edhe për procesin e zbatimit të MSA-së, për të cilin ka thënë se duhet angazhim shtesë, përgjegjësi më e madhe e të gjitha institucioneve në Kosovë në mënyrë që të ketë zbatim të plotë në interes të vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Së fundmi ne kemi dhënë vërejtje dhe sugjerime përmbajtjesore për Ministrinë e Integrimeve Evropiane për moszbatushmerinë e plotë të masave zbatuese të MSA-së”, ka theksuar Zemaj.

“Epoka e re”: Z. Zemaj, edhe këtë vit Republika e Kosovës po feston Ditën e Evropës e izoluar dhe larg BE-së. A do të jetë 9 maji i këtij viti data e fundit, të paktën pa liberalizim të vizave?
Zemaj: Kur është caktuar si datë feste më shumë ka qenë simbolika e përafrimit me BE-në dhe treguesit e rrugës evropiane për Kosovën sesa një datë e cila të duket e imponuar duke treguar se ne jemi më shumë evropianë sesa vetë unioni. Ky tregues që sot Kosovën e gjen të izoluar edhe në festën e BE-së vazhdon të jetë përgjegjësi për institucionet tona në këtë mashtrim optik, njëherësh tregon edhe vetë kompleksitetin që ka vetë BE-ja për të pranuar në gjirin e vet shtete dhe kombe të reja të cilat nuk janë akoma pjesë e BE-së. Andaj edhe festimi i saj është shumë më i zbehur kur elementi kryesor, që është lëvizja e lirë, nuk është arritur dhe qytetarët e Kosovës këtë ditë e festojnë me shumë si dëshirë sesa si realitet.

“Epoka e re”: Komisioni, pjesë e të cilit jeni edhe ju, çfarë është duke bërë në këtë drejtim, në mënyrë që vendi ynë të shënojë përparim sa i përket agjendës evropiane në përgjithësi?
Zemaj: Komisioni është mekanizëm i cili përcjell legjislacionin që duhet të jetë në harmoni me acquiscommunitare, mbikëqyr përmbushjen e obligimeve për ekzekutivin që dalin nga agjenda evropiane dhe fushat e tjera specifike të cilat lidhen me procesin e plotë të afrimit dhe integrimit në BE. Fatkeqësisht, me këtë konfigurim politik dhe këtë koalicion qeverisës është parë një neglizhencë e theksuar dhe shumë dytësore e procesit integrues të Kosovës. Sundimi i rendit dhe ligjit, aferat e mëdha korruptive, kritikat edhe nga vendet mike të BE-së për shpenzimet pa kontroll të parasë publike si dhe keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i fondeve të BE-së, kanë vështirësuar edhe komunikimin tonë institucional në mes punës së Komisionit për Integrime dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe ministrive të linjës të cilat janë kompetente për proceset integruese të shtetit të Kosovës.

“Epoka e re”: Mendoni se Kuvendi i Republikës së Kosovës është duke e kryer rolin që i takon sa i përket agjendës evropiane? Cilat janë të metat në këtë drejtim?
Zemaj: Roli i Kuvendit është minimizuar për arsye të mosfunksionimit normal të punës dhe kryerjes së detyrave kushtetuese të Kuvendit të Kosovës. Pasqyrë e kësaj janë seancat e grumbulluara, mungesa e kuorumit nga shumica parlamentare dhe mospërgjegjësia e ministrave dhe qeverisë që të jetë e pranishme në seancat parlamentare. Kuvendi është në një gjendje inerte të funksionimit, ka përzierje të plotë të kompetencave dhe detyrave kushtetuese. Andaj kjo gjendje është kontribuues i keq që Kosova dhe qytetarët e saj edhe këtë vit janë duke vazhduar të jenë të izoluar dhe shumë larg nga rruga euroatlantike. Paramendojeni që agjenda evropiane ka muaj që ka kaluar në Komisionin për Integrime Evropiane, ndërsa edhe sot e kësaj dite nuk ka dalë në debat parlamentar për miratim. Ky është fakt që kjo qeveri dhe ky koalicion i cili e ka venë në anashkalim rolin dhe fuqinë e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë për interes integrimin e Kosovës në BE.

“Epoka e re”: Në këtë aspekt, a mund të paraqesin problem çështja e taksës dhe procesi i dialogut?
Zemaj: Taksa është problem i luftës së marrjes së meritave brenda koalicionit qeverisës, përfshirë këtu, fatkeqësisht, edhe presidentin e shtetit. Taksa është ndërmarrë pa asnjë marrëveshje me opozitën dhe pa asnjë sqarim të arsyetimit të këtij vendimi, qoftë edhe të mendimit të Kuvendit të Kosovës. Tani është vënë në dijeni të plotë nga deklaratat e tyre se vendosja e taksës është arsyetuar vetëm si vendim meritor ndaj shtetit të Serbisë, sepse edhe ne kemi menduar dhe kërkuar masa reciprociteti në sjelljen shtetërore të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës. Si vendim mendoj se nuk i duhet dhënë rëndësi në procesin dialogues apo ta imponojmë rreth agjendës evropiane diçka e cila do t’i komplikonte edhe më shumë raportet me BE-në. Me një fjalë, Kuvendi është përjashtuar nga këto veprime dhe gjithçka është përkufizuar në interes elektoral të ‘PAN-istve’ dhe luftës së tyre të brendshme për dominim politik apo vendimmarrës.

“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me nivelin e zbatimit të MSA-së dhe cilat janë sfidat me të cilat po përballet ky proces?
Zemaj: Janë dy aspekte të nivelit të zbatimit të MSA-së, detyrat dhe obligimet që dalin, por edhe prioritetet për zbatimin e masave të paracaktuara. Ka një mes të zbatimit dhe moszbatimit, andaj edhe vetëm një përqindje e caktuar që nuk arrin zbatueshmërinë e masave krijon komplikime dhe dobëson interesin tonë integrues dhe të bashkëpunimit me BE-në. Mendoj se duhet angazhim shtesë, përgjegjësi më e madhe e të gjitha institucioneve në Kosovë, që kjo marrëveshje kontraktuale të zbatohet plotësisht si interes i vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Së fundmi ne kemi dhënë vërejtje dhe sugjerime përmbajtjesore për Ministrinë e Integrimeve Evropiane për moszbatueshmërinë e plotë të masave zbatuese të MSA-së.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova sot po shënon Ditën e Evropës, ani pse ende…