Koalicioni “Rrugës së drejtë” në krye me DPS po përhap parulla me qëllim ndasinë ndërfetare në Malësi
Ferhat Dinosha
Zgjedhjet e 5 marsit për Komunën e Tuzit po afrohen. Është e pritshme se fushata do të ashpërsohet, por do të ishte mirë që ajo të mos dilte nga binarët e një gare të durueshme politike dhe të mos prekte në vlerat e shoqërisë heterogjene të Malësisë, të cilat janë ruajtur dhe kultivuar me shekuj.
Një ndër vlerat e posaçme të shqiptarëve, pra edhe të malësorëve, është dhe duhet të mbetet harmonia ndërfetare, e cila jeton dhe lidhë fuqishëm edhe indin kombëtar të tyre.
Ta zëmë, rilindasit tanë myslimanë, ortodoksë e katolikë, kanë vepruar bashkë për lirinë e atdheut, duke u ndier vëllezër të një gjuhe e të një gjaku, pa pyetur kush i cilës fe është.
Edhe patriotët katolikë e myslimanë në Malësi kanë vepruar së bashku dhe malësorët kanë pasur bashkëjetesë të mirë.
Por, gjithmonë kemi pasur edhe individë a grupe, që kanë tentuar të lëndojnë harmoninë tonë ndërfetare, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm vazhdimisht.
Informacionet e Forumit Shqiptar nga terreni flasin se edhe gjatë këtyre ditëve të fushatës, në radhët e koalicionit “Rrugës së drejtë”, në krye me Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS), ka filluar të përhapet parulla e dëmshme që do të kishte për qëllim ndasinë ndërfetare në Malësi. Vështirë ta besosh, por në radhët e koalicionit të DPS-së kanë filluar t’u thonë votuesve: “Kush voton për Forumin Shqiptar, voton për katolikë. Nuk guxojmë t’ua lëmë Tuzin katolikëve!”.
Nëse është kështu, është e tmerrshme dhe e palejueshme. Kjo do të thotë se dikush, për qëllime politike, është i gatshëm të propagojë mosdurim e urrejtje fetare, madje brenda një kombi. Kjo është jo vetëm jonjerëzore e antikombëtare, por edhe antifetare. Sepse, besimtari cilëndo fe që të ketë, nuk urren pjesëtarin e fesë tjetër. Ose nuk është besimtar.
Veç kësaj, kjo është rrenë. Sepse, Forumi Shqiptar në radhët e veta ka dhe do të ketë edhe katolikë edhe myslimanë. Edhe struktura e administratës komunale është dhe do të jetë shumëfetare e shumënacionale.
Sipas kësaj teze të çuditshme po na del se myslimanët janë mbledhur në DPS, e nuk gjenden ku tjetër, kurse katolikët në FSH, e jo edhe tjetërkund. Kjo ofendon jo vetëm myslimanët e Forumit Shqiptar, por edhe katolikët e DPS.
Nuk janë myslimanët e DPS më myslimanë se ata të Forumit Shqiptar, ashtu si nuk janë as katolikët e Forumit Shqiptar më katolikë se ata të DPS. Myslimanët dhe katolikët e DPS mund të jenë vetëm me më pak ndjenja kombëtare se ata të Forumit Shqiptar, por kjo nuk iu jep të drejtë që të mos respektojnë ndjenjën kombëtare dhe angazhimin e tyre për të ruajtur identitetin kombëtar, secili në fenë e vetë.
Në esencë, kjo tezë e rrezikshme, angazhohet për ndarje të Malësisë në dy blloqe: në bllokun katolik dhe në tjetrin mysliman. Madje, jo vetëm që propagon ndarjen, por të keqen e lidhë me katolikë, kurse të mirën me myslimanë, duke kaluar, kështu, jo vetëm në fanatizëm por edhe nacizëm.
Natyrisht se Forumi Shqiptar do të luftojë me vendosmëri tendencat e këtilla, të kujtdo qofshin ato. Nuk do të lejojmë që mendje të sëmura dhe zemra të liga të helmojnë bashkëjetesën e vëllezërve shqiptarë të dy feve në Malësi.
Sepse, Forumi Shqiptar mendon se pa harmoni fetare e bashkëjetesë të shlirë të qytetarëve të saj, Malësisë nuk do t’i bënte mirë as zhvillimi ekonomik. Për këtë arsye, Forumi Shqiptar, në krye me z. Nikë Gjeloshaj, edhe në mandatin e ardhshëm do të kujdeset si për zhvillimin ekonomik, ashtu edhe për bashkimin ndërfetar të malësorëve.
Nuk është e rastit motoja jonë BASHKIM E ZHVILLIM. Sepse, ky është imperativi ynë.