Koci për bastisjen e shtëpisë së ish-shefit të AKI-së: Shqetësuese nëse keqpërdoren informacionet e klasifikuara
Pas bastisjes së shtëpisë së ish-drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës Bashkim Smakajt, avokati Arianit Koci, thotë edhe pse kjo është me vendim gjykate dhe sipas ligjeve pozitive, është një zhvillim që kërkon reflektim të kujdesshëm.
“Megjithatë, nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, shqetësimi im kryesor lidhet me garantimin se çdo informacion i ndjeshëm apo i klasifikuar që evetualisht mund të jetë gjetur gjatë bastisjes, dhe që nuk ka lidhje me rastin penal, të mbetet i mbrojtur”, shkroi ai në Facebook.
Koci tha se informacione të tilla, nëse keqpërdoren, mund të cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Kam besim të plotë se institucionet përkatëse do të veprojnë me kujdes dhe përgjegjësi për të shmangur çdo rrezik të tillë. Po ashtu, është jetike që të ruajmë me çdo kusht bashkëpunimet dhe komunikimet tona strategjike me partnerët ndërkombëtarë në sferën e inteligjencës”, u shpreh tutje juristi.
Ai mes tjerash theksoi se ky moment duhet të shërbejë si një mësim për të forcuar më tej protokollet e mbrojtjes së informacioneve të klasifikuara dhe për të ruajtur besimin në institucionet e vendit.