Koci: UÇK-ja është dashur t’i spastrojë të gjitha mbeturinat e sojit të buxhovëve
Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe zyrtari i PDK-së, Gani Koci i ka reaguar shkrimatarit Jusuf Buxhovi, i cili deklaroi mbrëmë se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër.
Përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Koci ka shkruar se para se të gjykohet pastëria e luftës së UÇK-së nga Buxhovi, duhet të përgjigjet për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës e për arrestimin e grupit të Hysen Gegës.
Tutje, zëvendësministri Koci ka thënë se lufta e UÇK-së është dashur të spastroj të gjitha mbeturinat.
“Para së të gjykonte për pastërtinë e luftës së UÇK-së, Jusuf Buxhovi duhet të përgjigjet për vrasjën e Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe Kadri Zekës, dhe arrestimin e grupit të Hysen Gegës me dëshmitë e të cilit ky grup ishte dënuar me dhjetra vjet! Vërtetë lufta e UÇK-së, është dashur të spastroj të gjitha mbeturinat e sojit të buxhovëve!”, ka shkruar Gani Koci.
Në një intervistë për “Rubikon”-in në KTV, Buxhovi ka thënë se UÇK-ja nuk ishte e pastër sepse janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së.
“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”, ka thënë Buxhovi.