Kocijançiqi i përgjigjet Beogradit pas vendimit që zyrtarët serbë të mos hyjnë në Kosovë
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dy ditë më parë ka marrë vendim për t’u ndaluar hyrjen zyrtarëve serbë nga Beogradi në Kosovë për të bërë fushatë.
E pas ankesave të Beogradit zyrtar, zëdhënësja e Bashkimit Evropian (BE), Maja Kocijançiq ka thënë për “FaktePlus” se palët duhet të sillen në linjë me marrëveshjet e arritura në Bruksel, por në këtë rast edhe në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës.
Jeltir Zyberaj, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë se këtë vendim autoritetet kosovare e kanë marrë pas kërcënimeve që po iu bëhen komunitetit serb në Kosovë nga ana e Beogradit zyrtar, shkruan FaktePlus.
“Zgjedhjet e 6 Tetorit janë zgjedhje të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Zyrtarët e Beogradit nuk mund dhe nuk do të lejohen të bëjnë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e Kosovës. E as nuk do të tolerohen kërcënimet kundër komunitetit serb të Kosovës nga Beogradi”, ka shkruar Zyberaj.
Ai ka shkruar se Beogradi e di realitetin në Kosovë dhe konform kësaj duhet të sillet, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Hyrja në Kosovë po ashtu, i është ndaluar edhe zëvendës drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Damjan Joviqit.
E, pas kësaj ndalese gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe e ashtuquajtura Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Në kjo zyrë kanë thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka nxjerrë një ndalim që nuk mund të kalohet me asnjë ligj apo marrëveshje në Bruksel për të parandaluar përfaqësuesit e Qeverisë serbe të mbështesin popullin serb.
Madje, në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është kritikuar edhe Bashkësia Ndërkombëtare për mosreagim.
“Është shqetësuese heshtja e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, të cilët në heshtje vëzhgojnë përshkallëzimin e dhunës politike kundër popullit serb. Kjo është mjaftë shqetësuese”, është thënë në reagimin e tyre.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus për këtë çështje dhe për kritikat e Beogradit ndaj Bashkimit Evropian ka pyetur në zyrën e këtyre të fundit, zyrtarë të së cilës kanë thënë se marrëveshja e dialogut e ndërmjetësuar nga BE-ja për vizitat zyrtare përcakton modalitetet dhe zyrtarët duhet t’i nënshtrohen një procedure njoftimi.
“Të gjithë zyrtarët e tjerë nga Kosova ose Serbia që nuk i nënshtrohen një procedure njoftimi kanë të drejtë të përfitojnë nga dispozitat për lirinë e lëvizjes. Ne presim që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE të respektohen dhe zbatohen, gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq për “FaktePlus”.
Ajo ka thënë se këto ndalesa nuk janë në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel, porse kur këto vizita lidhen me zgjedhjet në kohë fushate, atëherë secili duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës.
“Ndalimi i zyrtarëve serbë për të hyrë në Kosovë nuk është në përputhje ose në një linjë me këto marrëveshje të arritura. Të gjithë ata që janë pjesë e fushatës për këto zgjedhje në Kosovë, pritet nga ta që të veprojnë në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë Kocijançiq.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës merr vendime të tilla ndaj zyrtarëve serbë, për shkak të fushatës së egër që këta të fundit po vazhdojnë të bëjnë kundër Kosovës.