‘Konsultimet e nesërme në Bruksel, mundësi për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi’
Delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedime me Serbinë, kryesuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, pritet që nesër ( e martë) të zhvillojnë një takim tjetër në Bruksel.
Zëdhënësja për media e zyrës së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë për “klankosova.tv” se pritet angazhim i tyre sa i përket procesit të çështjes së dialogut.
Angazhim të tillë sipas Kocijançiq duhet të ketë edhe nga pala serbe, duke qenë se një normalizim i plotë i marrëdhënieve mes të dyja vendeve është i nevojshëm për të qenë pjesë e BE-së.
“Delegacioni u ftua në Bruksel për tu takuar më 8 janar, dhe do të pritet po ashtu nga shefja për politikë të jashtme, Federica Mogherini”, është shprehur ajo.
Kocijançiqi në përgjigjet e dhëna për “klankosova.tv”, ka thënë se këto konsultime janë pozitive për të ardhmen dhe angazhimin e palës kosovare në këtë drejtim.
“Konsultimet janë një mundësi për të shkëmbyer me përfaqësuesit e Kosovës në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, është shprehur ajo.
Delegacioni i shtetëror i Kosovës, këtë herë do të zhvillojnë takim me Federica Mogherinin pa prezencën e presidentit Hashim Thaçi.
Votimi i ekipit negociues në Kuvendin e Kosovës kishte ngjallë reagime të shumta në vend.
Kjo pasi nga opozita e vetmja parti që i është bashkuar Qeverisë është ajo e Shpend Ahmetit, Partia Socialdemokrate (PSD) e cila edhe është kritikuar për ‘pazare’ me zyrtarët qeveritarë.