Kocijançiqi: Kosovës dhe Serbisë t’u jepet hapësirë për marrëveshje
Komisioni Evropian vlerëson se Kosovës dhe Serbisë duhet t’iu jepet hapësirë që të merren vesh për përmbajtjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë zëdhënësja e këtij komisioni, Maja Kocijançiq.
Në një konferencë për gazetarët në Bruksel, Kocijançiqi ka thënë se BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut, nuk mund t’i komentojë elementet e mundshme të marrëveshjes, porse do të vazhdojë të punojë në mënyrë intensive me të dyja palët për arritjen e një ujdie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila do të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare.
Kocijançiqi ka theksuar se “zgjidhja e përhershme nënkupton zgjidhje të qëndrueshme dhe reale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, raporton “Rel”.
E pyetur nga gazetarët nëse BE-ja pranon ndryshimin e kufijve, shkëmbim të territoreve dhe territore të pastra etnike, Kocijançiqi ka thënë se nuk dëshiron të futet në spekulime dhe detaje “në këtë fazë të fundit të dialogut”.