Kodi +383, i paqasshëm për verifikimin e dyfishtë të aplikacioneve

05 shtator 2019 | 15:56

Verifikimi i dyfishtë është një procedurë që tashmë kërkohet nga shumë aplikacione të cilat kanë gjetur përdorim të shtuar sot në botë, qoftë për një shfletim të postës elektronike (e-mail) apo edhe për aplikacionet e famshme të platformave si “Microsoft”, “Google”, “Viber”, “WhatsApp”, “Snapchat”, etj. Ky lloj verifikimi, kërkon që krahas fjalëkalimit, përdoruesit të përdorin edhe një kod, i cili atyre u vjen përmes numrit të tyre personal të telefonit. Përderisa në disa prej këtyre platformave të mëdha, autoritetet e Kosovës kanë arritur ta përfshijnë kodin e ri, +383, problemet paraqiten me aplikacione me të vogla.

Qëndresa Ajeti, një kliente e operatorit të telefonisë mobile “Vala”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nuk ka arritur të bëjë shkarkimin e disa aplikacioneve nga interneti për shkak të pamundësisë që të pranojë kodin e nevojshëm në numrin e saj të telefonit.

“Në shumë raste nuk kam arritur të bëj shkarkimin e aplikacioneve të ndryshme për shkak se kodi i cili duhet të vijë në telefon, nuk ka ardhur. Nuk e di se ku qëndron problemi”, ka thënë ajo.

Një pjesë e madhe e këtyre problemeve, sipas kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, janë si pasojë e mospërfshirjes së Kosovës në listën zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se këto probleme kanë ardhur pas kalimit të kodeve të huaja ndërkombëtare, në kodin shtetëror të Kosovës +383. “Ka shumë aplikacione në botë që e përdorin verifikimin e dyfishtë si një nga opsionet për të arritur sigurinë në mënyrë që të auto-identifikohet përdoruesi direkt i llogarisë së caktuar. Ky problem është shfaqur në disa aplikacione me rastin e kalimit në kodin +383, për faktin se Kosova nuk është e listuar në Organizatën Ndërkombëtare të Standardizimit (ISO), standardin 3166, që merret me akronimet e shteteve, përkatësisht e merr listën e shteteve nga Agjencia e Statistikave të OKB-së, ku Kosova nuk është në këtë listë dhe nuk jemi të listuar në ISO, standardin përkatës. Prandaj ka probleme të kohëpaskohshme në disa aplikacione”, ka thënë Gashi

Kosovës i është ndarë kodi telefonik nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) në dhjetor të vitit 2016. Ndërkohë, largimi i kodeve të huaja të cilat ishin përdorur si ai i Monakos +377 dhe kodi i Sllovenisë +386, kanë filluar të largohen nga muaj shkurt i këtij viti. Gashi ka thënë se është detyrë teknike dhe obligative e operatorëve të telefonisë në Kosovë, që gjatë kalimit në kodim +383 të njoftojnë sa më shumë operatorë të aplikacioneve të ndryshme, në mënyrë që qytetarët të mos kenë probleme në auto-identifikimin e dyfishtë.

“Si ARKEP, me marrjen e kodit +383 i kemi kontaktuar në mënyrë direkte disa nga aplikacionet më të mëdha që përdoren në Kosovë, siç është platforma e ‘Google’, ‘Viber’, ‘WhatsApp’ në mënyrë që Kosova të jetë e listuar, por është detyrë teknike e operatorëve që të njoftojnë në vazhdimësi edhe aplikacionet më të vogla në mënyrë që të listohet edhe kodi +383. Përveç kësaj, duhet t’i njoftojnë dhe qytetarët se ka nevojë të ndryshohet edhe formati i numrit telefonik që përdoret për verifikim. Nëse e marrim platformën e “Google”, aty është i vendosur kodi +383, por nëse (në telefon) nuk është ndërruar nga përdoruesi dhe ka mbetur kodi +386 apo +377, ka mundësi që nuk vjen mesazhi apo thirrja në drejtim të verifikimit”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se Kosova duhet që identitetin digjital ta ndërtojë duke lobuar tek aplikacionet e ndryshme, te platformat e ndryshme sepse nuk mund ta marrin automatikisht.

Ndërsa, zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli, ka thënë se nuk janë në dijeni për raste të tilla të raportuara, por, nëse konsumatorët që marrin shërbimet nga Telekomi kanë probleme të tilla, ai i fton ata që të kërkojnë ndihmë në Qendrën e thirrjeve dhe shërbimin e konsumatorëve.

Por, nuk janë vetëm problemet ndërkombëtare që po e përcjellin zbatimin e kodit +383 të Kosovës. Klientë të operatorit “Vala”, ankohen vazhdimisht se nuk po arrijnë të pranojnë dhe të bëjnë thirrje. Me këtë rast, Bilalli përmes një përgjigjeje elektronike dërguar “Radios Evropa e Lirë” nuk e përjashton mundësinë që të ketë vështirësi në realizimin e thirrjeve, qoftë për shkak të ngarkesës së shtuar të trafikut apo mirëmbajtjes së planifikuar të rrjetit. Por, këto probleme, sipas tij, mund të jenë vetëm në zona të caktuara dhe në kohë të kufizuar.

Probleme teknike në sistemin operativ kishin ndodhur edhe në korrik të këtij viti. Problemet teknike në sistemin operativ të “Valës” në atë kohë kishin ardhur si pasojë e ngarkesës së madhe që ka pasur në rrjet, por që si të tilla ishin eliminuar, patën thënë zyrtarë të Telekomit.

Në atë kohë ekspertë të çështjeve të telekomunikimeve patën theksuar se kjo nuk do të duhej të ndodhte, pasi që rrezikon sigurinë nacionale.

Driart Elshani, ekspert i çështjeve të telekomunikimeve, pati thënë për “Radion Evropa e Lirë” së është e rëndësishme që Kosova të ketë një rrjet të veçantë për shërbime emergjente që në rastet si këto, telekomunikimet për shërbime emergjente të jenë funksionale.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Patrik Schick beson se Republika Çeke mund t’i fitojë 6…