‘Kodi Civil në kundërshtim me Kushtetutën’
Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë në bashkëpunim me Programin e BE-së për Kodin Civil ka organizuar diskutimin me temën: “Martesa, bashkëshortët dhe bashkimi civil në Kodin Civil modern të Republikës së Kosovës”.
Blert Morina, drejtor ekzekutiv në CEL, ka thënë se grupi punues që ka marrë pjesë në përbërjen e kodit civil të Kosovës nuk ka qenë i hapur ndërsa ka shtuar se Kushtetuta e Kosovës lë shumë gjëra të hapura dhe të papërcaktuara mirë.
“Grupi punues nuk ka qenë shumë i hapur për individë për të kontribuuar. CEL i ka dërguar rekomandimet sepse ne vazhdojmë të mendojmë që ky kod civil i ri është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Nuk thotë asnjëherë që të rregullohet me një ligj të ri. Rekomandimet tona janë të qarta që të rregullohet me ligj të ri martesa edhe jashtë heteroseksualë. Kushtetuta është shumë e hapur, lë shumë mundësi dhe nuk mundemi me lënë në dorë të grupit punues dhe më rreziku jetë njerëzish”, ka thënë ai.
Ndërsa, udhëheqësi i projektit të BE-së për Kodin Civil, Alfons Benjamin Lentze, ka thënë se diferenca ka në të gjitha shtetet, derisa ka këshilluar që qytetarët e Kosovës të mos bëjnë krahasime.
“Çka do që jeni dhe çfarëdo backgroundi që keni jeni të barabartë para ligjit. Kemi nenin 37 e drejta për martesë në familje. Unë vi nga Holanda dhe ne nuk e kemi në Kushtetutë këtë nen, kurse ju e keni këtë aspekt të përfshirë. Kur shikoj kolegët e mi të Kosovës i referohen vendeve të ndryshme dhe kjo nuk është relevante sepse ligji civil është ligj vendor. Mos krahasoni çka ndodhë në Kosovë me atë që ndodhë në botë sepse ju keni një kushtetutë shumë të mirë dhe ajo duhet të respektohet nga të gjithë”,, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Kerstin Niethammer Jurgens, eksperte në programin e BE-së për Kodin Civil, ka thënë se diskutimet në grupin punues në krahasim kur kanë filluar, janë më të hapura dhe më të detajuara.