Koeman: Edhe po ta dija nuk do ta zbuloja të ardhmen e Messit
Ronald Koeman është i etur për ta parë Lionel Messin pjesë të Barcelonës edhe shumë vite, por thotë se nuk do të hedhë dritë mbi bisedimet e rinovimit të kontratës me gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”.
Spekulimet mbeten të përhapura në lidhje me lëvizjen e ardhshme të 33-vjeçarit, teksa Manchester City dhe PSG mbajnë nën vëzhgim ngjarjet në Katalonjë.
Ndërkohë, Messi ka nisur të shkëlqejë në fushë dhe po luan përsëri me buzëqeshje në fytyrë. Pas fitores 5-2 ndaj Getafes, Koeman u pyet përsëri për të ardhmen e Messit dhe iu tha gazetarëve: “Edhe nëse do të kisha folur me Leo, nuk do t’ju tregoja. Vendimi për të qëndruar është në duart e tij. Ai kurrë nuk ia lejon vetes të shpërqendrohet nga fusha e blertë. Kjo duket në lojën e tij. Nuk diskutohet, kemi shumë nevojë për të. Ai ishte përsëri vendimtar. Le të shpresojmë se do të qëndrojë për shumë vite”.